2016-05-12 12:28:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: vejusha e Sareptës


Në dy emisionet e fundit, ju kemi folur për një nga veprat e mëshirës:jepuni për të ngrënë të uriturve”, duke e parë si nga këndvështrimi i Besëlidhjes së Vjetër, ashtu edhe nga ai i së Resë. Sot, do të shohim një shembull nga Besëlidhja e Vjetër, atë të vejushës së Sareptës, që na bën të kuptojmë se edhe në zbatimin në praktikë të kësaj vepre të mëshirës duhet ta lejojmë Zotin të na marrë përdore e të na çojë atje ku thotë Ai i Lumi e jo ku duam ne.

Akabi, pasi u kurorëzua mbret i Izraelit, bëri gjithçka ishte keq për sytë e Zotit. Sipas komentarit rabinik u takua me Elinë, Tesbiun, në shtëpinë e Hielit të Betelit, ndërsa ky vajtonte vdekjen e bijve të ofruar si fli në muret e Jerikut. Lindi një diskutim i ashpër ndërmjet Elisë dhe mbretit e meqë si Akabi, ashtu edhe populli, silleshin sikur Zoti të mos ekzistonte, Elia profetizoi: “Pasha jetën e Zotit, Hyjit të Izraelit, në shërbimin e të cilit jam unë: në këto vite s’do të bjerë as vesë as shi, përveç në thënça unë” (1 Mbr 17,1). Por, Hyji nuk ishte dakord me të, prandaj e përzuri, duke i thënë: “Largohu prej këndej e shko në lindje dhe fshihu në përroin Kerit, që është përballë Jordanit. Kështu do të mund të pish ujë nga përroi, kurse korbave u kam urdhëruar të ta sjellin ushqimin atje”(1 Mbr 17, 3-4).

Pse Elia dërgohet drejt Lindjes? Për faktin se vendosi vetë si ta dënonte popullin e, duke bërë kështu, u largua nga Hyji, i cili e nxiti të rrinte vetëm e në heshtje, për ta gjetur sërish lidhjen me Të. Pranë lumit Kerit, ai u ushqye nga korbat, sepse Zoti deshi që ta dinte se ishte njëlloj si këta shpezë. Korbi i braktis të vegjlit e vet në çerdhen e shpendëve të tjerë, pra nuk ka aspak mëshirë për ta, njëlloj si Elia për popullin e vet. Pavarësisht, nga kjo periudhë reflektimi, Elia nuk ndërroi mendje, atëherë Zoti e çoi në Sareptë, që t’i prekte me dorë pasojat e profecisë së tij: “‘Ngrihu e shko në Sareptën e sidonasve dhe qëndro atje. I kam urdhëruar një vejushe të të ushqejë’. Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të ve duke mbledhur dru. Elia e thiri e i tha: ‘Ma sill pak ujë në katrovë që të pi’”(1 Mbr 17, 9-10). Nuk pati guxim për t’i kërkuar më shumë, por veç ujë dhe një copë bukë. E në atë çast dëgjoi nga goja e gruas se s’kishte tjetër, veçse një dorë miell e pak vaj për vete e për të birin, pastaj do të vdisnin të dy.

Shën Augustini, duke komentuar këtë pjesë, shkruan: “Ku është atëherë fjala, që Zoti i tha Elisë: ‘Ngrihu e shko në Sareptën e sidonasve dhe qëndro atje. I kam urdhëruar një vejushe të të ushqejë’ (1 Mbr 17,9)? Vëreni si i jep Zoti urdhërat e Tij: jo në vesh, por në zemër. Lexojmë gjëkundi që ndonjë profet është dërguar tek ajo grua për t’i thënë: ‘Ja – thotë Zoti – do të vijë tek ti një shërbëtor i uritur, jepi të hajë çfarë ke; mos ki frikë se të mungon; unë do të ta kthej gjithçka ke dhënë’? Nuk e lexojmë këtë askund. As lexojmë se ka parë ndonjë ëndërr a i është dërguar ndonjë engjëll, për t’i kumtuar se po mbërrinte Elia i uritur. Askush nuk e këshilloi gruan ta ushqejë. Zoti i dërgon urdhërat në mënyra të mrekullueshme, Ai flet me mendime. Pra, themi se Zoti dha urdhër, duke i folur zemrës, duke e frymëzuar ç’duhej të bënte, duke e bindur shpirtin racional të vejushës të bënte ç’duhej bërë. Kështu lexojmë edhe në librin e profetëve: Zoti i dha urdhër një krimbi ta brente urthin dhe urthi u tha (Jn 4,7). Çfarë do të thotë ‘dha urdhër’, nëse jo ‘përgatiti zemrën e tij apo të saj’? E frymëzuar nga Zoti, pra, vejusha e kishte zemrën gati për t’u bindur. Me shpirtin e përgatitur erdhi e kështu i foli edhe Elisë”.

Zoti i flet zemrës së njeriut, duke e bindur të bëjë vepra mëshire. Janë vepra “që Hyji i përgatiti që më parë që t’i vemë në jetë” (Ef 2,10). Atëherë, gruaja shkoi në shtëpi, përgatiti bukën, të cilën e hëngrën për shumë ditë rresht, siç i  pati thënë Zoti Elisë: “Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua” (1Mbr 17,16).

Por, ndodhi që i biri i vejushës u sëmur rëndë e vdiq dhe Elia iu lut Zotit ta kthente në jetë. Për këtë episod, një midrash hebraik(tekst interpretimi i Shkrimit Shenjt) shumë i bukur imagjinon një lloj diskutimi ndërmjet Elisë e Hyjit. Elia i kërkon Zotit t’i japë mundësinë ta sjellë sërish në jetë të birin e vejushës e Hyji i përgjigjet: “Ka tri gjëra, që vetëm Zoti mund t’i bëjë. Kur e krijova botën, krijova edhe tre çelësa, që hapin tri dyer: atë të lindjes, atë të shiut e atë të ringjalljes prej së vdekurish. Këto tri dyer mund t’i hap vetëm unë. Të kam dhënë hua çelësin e derës së shiut, nëse të jap edhe atë të ringjalljes së të vdekurve, ti ke dy çelësa e unë një të vetëm; prandaj, duhet të ma kthesh çelësin e shiut për të pasur atë që ngjall të vdekurit”. Elia pranoi dhe fëmija u kthye në jetë e kështu, edhe populli, sepse ra sërish shiu, që Elia e kishte ndalur, e zia e bukës mori fund. 








All the contents on this site are copyrighted ©.