2016-05-11 12:54:00

Françesku: Zoti na trajton si bij e askush nuk mund të na e marrë këtë dinjitet


“Edhe në çastin më të keq të jetës, Zoti më fal e dëshiron të më përqafojë”.  Françesku e përsëriti mendimin qendror të Jubileut gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar fytyrës së Atit të mëshirshëm, ashtu siç përshkruhet në shëmbëlltyrën e djalit plangprishës. Audienca nisi me përshëndetjen e Papës drejtuar të sëmurëve, mbledhur në Sallën Pali VI.

Logjika e mëshirës  së Zotit e shpartallon çdo arsyetim të njeriut. E çmonton, e shemb, e përmbys rregullën e shtangët, sipas të cilës i drejti shpërblehet e mëkatari merr dënimin e merituar. Sepse zemra e Zotit nuk është e shtangët, e ashpër, si ligji. Zemra e Zotit është shtëpi e madhe, ku ligji kryesor është ai i faljes, që shëlbon; i vëllazërimit, që bashkon.

Dhembshuria e një ati

Një nga temat më të dashura për Françeskun, kjo e Atit të Mëshirshëm, titull, ky, edhe i katekizmit të sotëm, shtjelluar në përkim me  fazat e shëmbëlltyrës së djalit plangprishës. Papës i interesojnë më shumë dy skenat përfundimtare. E para, ajo e atit, që nuk do as ta dëgjojë  aktin e përuljes së birit, ndërsa i pranon gabimet e veta. Përkundrazi, ia rikthen - vërejti Françesku - shenjat e dinjitetit të tij: rrobat e reja, të bukura, unazën, këpucët…:

“Jezusi nuk na përshkruan një atë të fyer e të lënduar, një atë që, për shembull, i thotë të birit: ‘Do të ma paguash, eh!’... Jo! Ati e përqafon djalin që ia prishi plangun, e pret me dashuri, atë që iku duke e përbuzur shtëpinë atërore. Në kundërshtim të plotë me çka pritej. E vetmja gjë, që ka për zemër ati, është kthimi i të birit. Ai është përsëri në shtëpi, shëndosh e mirë, prej këndej ati, i lumtur, nuk mund të mos festojë. Ç’ dhembshuri. Ati e shikon nga larg: ç’do të thotë kjo? Do të thotë se ngjitej gjithnjë në tarracë, prej nga ia ngulte sytë rrugës. E priste e priste. Priste të birin, i sigurt se një ditë do të kthehej përsëri. Priste këtë bir, që s’kish lënë gjë pa bërë. Po ai e priste. Ishte atë. Ç’gjë e bukur, dashuria e Atit”.

Dinjitet i përhershëm

Këtë theksoi Françesku e, në vijim, kujtoi se mëshira e atit është pa asnjë kufi, pa asnjë kusht. Nga përqafimi e puthja e atit, djali e kupton menjëherë se, pavarësisht nga të gjitha, qe konsideruar gjithnjë si bir:

“I rëndësishëm, ky mësim i Jezusit: ne jemi bij të Zotit e ky është fryt i dashurisë së zemrës së Atit; nuk varet nga meritat tona, as nga veprat tona, e prandaj, askush nuk mund të na e marrë, askush, as vetë djalli! Askush nuk mund të na e marrë këtë dinjitet”.

Kjo shëmbëlltyrë e Jezusit na jep zemër të mos dëshpërohemi kurrë.

Nuk mund të bësh trambë me Zotin

Pra, përsëriti me forcë Françesku, edhe në situatën më të vështirë të jetës, duhet të jem i sigurt se Zoti më pret, se Zoti dëshiron të më përqafojë, Zoti më pret. Gjithsesi, shëmbëlltyra tregon edhe historinë e një biri, të cilit nuk i intereson fare dhembshuria e atit. Prej këndej, vëllai i tij i madh e përbuz. I vjen keq për të atin. “I gjori baba” - ia qau hallin Françesku - njëri djalë i iku, tjetri vërtet i shërbente, ishte aty afër, por pa e jetuar kurrë  gëzimin e kësaj afërsie:

“Djali i madh, edhe ai ka nevojë për mëshirë. Të drejtët, ata që besojnë se janë të drejtë, kanë edhe ata nevojë për mëshirë. Ky bir na nxit të mendojmë nëse ia vlen barra qiranë të lodhemi e të këputemi, pa e marrë kurrë shpërblimin, që e meritojmë! E Jezusi na kujton se njeriu nuk rri në shtëpinë e Atit duke pritur shpërblimin, por sepse gëzon dinjitetin e birit. Nuk mund të bësh trambë me Zotin. Çka duhet të bësh është të ecësh në gjurmët e Krishtit, që e dhuroi vetveten mbi kryq pa masë, pa pritur kurrfarë shpërblimi”.

Kemi nevojë për shtëpinë e Zotit

Në fund të shëmbëlltyrës, babai e fiton përsëri birin e humbur e madje, ia rikthen edhe tjetrit, duke ndjerë në zemër gëzimin më të madh, kur i shikon që duhen përsëri si vëllezër. Tani, përfundon Françesku:…

“Bijtë mund ta vendosin vetë nëse dëshirojnë të bashkohen plot gëzim me atin, apo të mos e pranojnë më këtë bashkim. Duhet ta pyesin veten cilat janë dëshirat e tyre e cili, vizioni që kanë për jetën. Shëmbëlltyra mbyllet me një fund të papërfunduar plotësisht: nuk e marrim vesh çka vendosi të bëjë djali i madh. E kjo është nxitje për ne. Ky Ungjill na mëson se të gjithë kemi nevojë të hyjmë në shtëpinë e Atit e të marrim pjesë në gëzimin e Tij, në festën e mëshirës e të vëllazërisë".

Zoja e Fatimës, ftesë për kthesë

Në përshëndetjet pas katekizmit Papa kujtoi, ndërmjet tjerash, festën liturgjike të Zojës së Fatimës, që do të kremtohet të premten e ardhshme, duke nënvizuar se dukja mariane na fton edhe një herë për lutje, pendesë e kthim në rrugën e  Zotit. Zoja na fton të mos e fyejmë kurrë më Zotin dhe i kujton mbarë njerëzimit nevojën për ta lëshuar plotësisht veten në duart e Tij, burim dashurie e mëshire”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.