2016-05-10 14:26:00

Së shpejti shenjtorë, themeluesi i “vëllezërve punëtorë” dhe një martir lasalian


Kisha ka dy shenjtorë të rinj. Është fjala për të Lumin Ludovico Pavoni, themelues i Kongregatës së Bijve të Zojës së Papërlyer, dhe për të Lumin Salomon Leclercq të Vëllezërve të Shkollave të Krishtera, që ka vdekur martir në fund të viteve ‘700. Në dekretet e miratuara nga Papa Françesku dje, gjatë audiencës me prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato, të dyve u njihet një mrekulli.

Edukator përparimtar

Ludovico Pavoni ishte meshtar veçanërisht inteligjent, kur u shugurua në Brescia të Italisë më 1807. Vlerësohej nga ipeshkvi, i cili i dha shumë detyra. Ndër to, kujdesi për një institut, ku strehoheshin të rinj të varfër dhe të braktisur. Për 30 vjet me radhë, don Ludovico e përmirëson metodën edukative, duke u paraprirë shkollave moderne profesionale. Edhe kur themeloi Kongregatën fetare të Bijve të Zojës së Papërlyer, të ashtuquajturit “vëllezër punëtorë”, imagjinata e tij apostolike i lë pa gojë autoritetet, që verifikojnë hollësisht veprimtarinë e Institutit para se ta miratojnë. Don Ludovico vdiq në moshën 65 vjeçare, në vitin 1849.

Martir i Revolucionit francez

E ndryshme, historia e të Lumit Salomon Leclercq, i cili ka jetuar në gjysmën e dytë të viteve ‘700. Kur Revolucioni francez e shtrëngoi lakun rreth Kishës, persekutimi preku edhe anëtarët e Institutit të Shkollave të Krishtera, që njiheshin e njihen edhe sot si Lasalianë. Ligji i konsideroi të paligjshme strukturat kishtare dhe u kërkoi rregulltarëve të hiqnin dorë nga kushtet e tyre fetare, përndryshe i priste vdekja. Fratel Salomoni, i pari martir lasalian, u vra pikërisht sepse nuk pranoi, më 2 shtator 1792, në kopshtin e kuvendit të karmelitanëve në Paris, riorganizuar si burg. Ishte 46 vjeç.

I Lum i ri

Dekretet e miratuara nga Papa Françesku, i njohin virtytet heroike edhe Shërbëtorit të Zotit Raffaele Emanuele Almansa Rianjo, meshtar dioqezan, ish-rregulltar i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, lindur më 2 gusht 1840 dhe vdekur më 28 qershor 1927.








All the contents on this site are copyrighted ©.