2016-05-10 13:47:00

Papa Françesku: misionari e “djeg” jetën për Jezusin


Bindja ndaj zërit të Shpirtit Shenjt, që na nxit “ta djegim” jetën për ta kumtuar Ungjillin edhe në vendet më të largëta. Kjo është karakteristika kryesore e çdo gruaje e burri, që dëshiron të shërbejë në Kishë, duke shkuar në mision. Një aspekt ky, mbi të cilin reflektoi sot Papa Françesku, në homelinë e meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.

         Thirrjes për mision, shpjegoi Papa, nuk mund t’i rezistosh. Të shtyn ta marrësh jetën dhe t’ia dhurosh Krishtit, madje, edhe më shumë: ta “djegësh” për Të. Ky ishte zjarri, nga i cili digjej zemra e Shën Palit dhe e apostujve; ky është zjarri, që flakëron në zemrën e “shumë të rinjve, djem e vajza, që kanë lënë atdheun e familjen e kanë ikur larg, në kontinente të tjera, për të kumtuar Jezu Krishtin”.

“Të detyruar” nga Shpirti Shenjt

         Reflektimi i Papës mori shkas nga pjesa e Veprave të Apostujve, ku tregohet ndarja e shën Palit me bashkësinë e Miletit. Skenë prekëse, sepse shën Pali e di dhe e thotë haptas se nuk do t’i shohë më kurrë. Kishte ardhur koha të shkonte në Jeruzalem, sepse aty e thërriste Shpirti Shenjt, zot i vërtetë i jetës së tij, që e pati nxitur gjithmonë të kumtojë Ungjillin, duke përballuar probleme e dhimbje. Kjo pjesë, nënvizoi Papa, evokon jetën e misionarëve të të gjitha kohrave:

         “Shkonin të detyruar nga Shpirti Shenjt: thirrje kjo! E kur, në ato vende, shkojmë në varreza, shohim edhe varret e tyre: shumë kanë vdekur të rinj, më pak se 40 vjeç. Sepse nuk ishin të përgatitur për të përballuar sëmundjet e atij vendi. Kanë dhënë jetën të rinj: e kanë ‘djegur’ jetën. Unë mendoj se ata, në atë çastin e tyre të fundit, larg nga atdheu, nga familja e nga të dashurit e tyre, kanë thënë: ‘Ia vlente, gjithçka bëra!’”.

Misionarët, lavdi e Kishës

         Misionari niset, pa e ditur ç’e pret, nënvizoi Papa, i cili kujtoi çastin e fundit të shën Françesk Saverit, treguar nga José Marìa Pemàn, shkrimtar e poet spanjoll i viteve ‘900. Faqe kjo, që evokon atë të Shën Palit: “Di vetëm – pati thënë Apostulli në fjalën e përshëndetjes – se Shpirti Shenjt, nga qyteti në qytet, më konfirmon se më presin vargonj e mundime”. Misionari, vijoi Françesku, e di që jeta e tij s’ka për të qenë e lehtë:

         “Misionarët tanë, këta heronj të ungjillëzimit në kohët tona. Evropa, që i ka mbushur me misionarë kontinentet e tjera…E këta ikin, pa u kthyer… Mendoj se është e drejtë ta falenderojmë Zotit për dëshminë e tyre. Është e drejtë të gëzohemi se kemi këta misionarë, që janë dëshmitarë të vërtetë. Unë mendoj si ka qenë çasti i tyre i fundit: si ka qenë largimi i tyre? Si ai i shën Françesk Saverit: ‘Lashë gjithçka, por ia vlente!’. Sa anonimë ikën e shkuan - martirë të tjerë - duke dhënë jetën për Ungjillin. Janë lavdia jonë këta misionarë! Lavdia e Kishës sonë!”.

Të rinj, “digjeni” jetën për çështje fisnike

         Pra, një nga cilësitë më të rëndësishme të misionarit, theksoi më tej Papa, është bindja ndaj Shpirtit Shenjt. E u lut që në vend të “pakënaqësisë”, që i mbërthen të rinjtë e sotëm, zëri i Shpirtit Shenjt t’i udhëheqë për të shkuar larg, për ta “djegur” jetën në favor të çështjeve me të vërtetë fisnike:

         “Unë do t’iu thosha djemve e vajzave të sotme, që nuk ndihen aq mirë – thonë: ‘nuk jam kaq i lumtur me këtë kulturën e konsumizmit, të narcizizmit…’ – të shohin horizontin. Shihni atje, shikojini këta misionarët tanë!. Ta lusim Shpirtin Shenjt që t’i detyrojë të ikin larg, ta ‘djegin’ jetën. Është fjalë pak e ashpër, por jetën duhet t’ia vlejë ta jetosh. E për ta jetuar si duhet, ‘ta djegim’ në shërbim, në kumtim, e të ecim përpara. Ky është gëzimi i kumtimit të Ungjillit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.