2016-05-09 16:22:00

Ëndrra e një Biri për një humanizëm të ri evropian dhe rilindjen e Kontinentit


Ngjarje prekëse, dorëzimi i Çmimit Karli i Madh Françeskut, e, sidomos, fjalimi i Papës drejtuar mbarë Evropës, të preten e kaluar, më 6 maj 2016. Ngjarje, jehona e së cilës nuk do të kalojë aq shpejt. Madje do të vijojë, nëse Evropa dëshiron ta njohë e ta mbrojë vetveten. Simbolike, edhe mënyra si u dorëzua ky Çmim i lartë. Gjatë dorëzimit, dëshira e Papës për ta kapërcyer përmasën kremtore, u respektua. Në fjalimet, lexuar gjatë ceremonisë, posaçërisht në atë të kryebashkiakut të Aachen, jehuan fjalë të sinqerta, që theksuan pa ngurrim, krizën në të cilën është zhytur sot Evropa. Por, sidomos, në fjalimin e vetë Papës, u duk qartë dëshira për t’ia ofruar çmimin Kontinentit aq të dashur, në një çast kur në gjithë shtrirjen e tij ndjehet fort përhumbja. “Ç’të gjeti Evropë! - përsëriti tri herë Ati i Shenjtë, duke kujtuar madhështinë e arritjeve të Kontinentit të vjetër në shekujt e kaluar.

Nuk është pa kuptim fakti që ky çmim, simbolik për Evropën, i lindur pak vite pas përfundimit të Luftës II Botërore, për herë të parë, më 1989,  i qe dorëzuar një personaliteti fetar. Atë vit, pak para shembjes së Murit të Berlinit (përfunduar më 13 gusht 1961, shembur më 9 nëntor 1989) iu dorëzua Roger Schutz, themelues dhe epror i Bashkësisë së Tezesë që, për më se tridhjetë vjet, kishte endur një mori fijesh ekumenike pajtimi e paqeje, duke ia dalë mbanë të kapërcente deri perden e papërshkueshme të hekurt, që ndante dy blloqet armike.

E, në  vitin 2004, në formë të jashtëzakonshme, Çmimi i jepej Papës Wojtyla, gati-gati në perëndim të papnisë së tij të gjatë. Shoqëruar me një homazh të qartë për veprimtarinë e kryer për dhjetra vite, edhe nga paraardhësit e tij, në mbështetje të bashkimit evropian. Dinamika historike  e sanksionuar nga pasardhja në selinë romake të një pape gjerman, gati- gati vulosi pajtimin e Polonisë me Gjermaninë, përshpjetuar nga episkopatet në kohën e Koncilit.

Fjalimi i Françeskut me rastin e Çmimit të Karlit të Madh, të premten e kaluar, është vazhdimësi e atij, që mbajti në Strasburg, më 2014. Me citime të qarta nga tre “etërit themelues” të procesit të bashkimit të kontinentit të cilët, mbi gërmadhat e lëna nga ndeshja botërore, “guxuan të kërkojnë rrugëzgjidhje të shumanshme për problemet që, pak nga pak, po bëheshin të përbashkëta”: Robert Schuman, Alcide De Gasperi, Konrad Adenauer.

Si kaluan rreth shtatëdhjetë vjet nga “kjo fillesë e re”, pas konfliktit të frikshëm botëror, ndërsa Siria, Lindja e Mesme e Afrika vijojnë t’i  acarojnë më tej luftërat e mjerimet, që po shkaktojnë valë të papara emigracioni, e ndërsa ngrihen mure të kota e dalldi intolerance, Papa kujtoi se duhet azhurnuar ideja e kontinentit, që të jetë i aftë të integrojë, të dialogojë, të krijojë. Kështu figurës së një Evrope të lodhur e të plakur që, e tmerruar, kërkon të mbyllet pas telave me gjemba, Bergoglio i kundërvë nevojën që Kontinenti të bëhet pësëri “Nënë e të lindë procese të reja, pozitive”.

Identiteti evropian ka qenë gjithnjë dinamik e, në rrjedhë kohe, kontinenti ka ditur të bëjë të vetat tiparet e kulturave të ndryshme, kujtoi Papa i parë amerikan. Me origjinë italiane, Bergoglio foli si bir, që gjen rrënjët e veta të jetës e të fesë, tek Nëna Evropë. Bir, që sot ëndërron “një humanizëm të ri evropian”, për rilindjen e Kontinentit, i cili nuk  duhet t’i harrojë kurrë rrënjët e veta. Historinë e vet. E në këtë proces, “mund e duhet të kontribuojë Kisha, domethënë gratë e burrat dëshmitarë të Ungjillit, që i ofrojnë ujë të kulluar rrënjëve të Evropës”.

Kjo, ëndrra e Papës, që  është edhe ëndrra jonë.

Nëse duam të bashkohemi me Evropën, në të cilën bëjmë pjesë gjeografikisht që kur na krijoi Zoti vetë si Komb, duhet t’i dimë këto hollësira historike, për të njohur më mirë vetveten e për të çuar në Evropë çka i pati bërë aq shumë përshtypje Françeskut: frytet e martirizimit e të bashkëjetesës ndërmjet feve, aq aktuale për Evropën e sotme. Kjo do të ishte vlera më e çmuar, që do të çonte Shqipëria në Bashkimin Evropian. E azhurnuar, kuptohet, siç kërkon Papa për Evropën.  








All the contents on this site are copyrighted ©.