2016-05-09 14:12:00

Papa: Shpirti Shenjt na bën të krishterë “të vërtetë”, jo “virtualë”


Shpirti Shenjt e lëviz Kishën, por për shumë të krishterë sot është i panjohur ose “i burgosur luksi”. Ky, qortimi i Papës Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi edhe se Shpirti Shenjt na bën të krishterë të vërtetë, jo virtualë dhe i nxiti besimtarët ta lënë t’i shtyjë Ai, që na mëson udhën e lirisë. Gjatë Meshës, Ati i Shenjtë u drejtoi një përshëndetje të posaçme motrave vinçenciane, që punojnë në Shtëpinë e Shën Martës, në ditën e festës së themelueses së tyre, Shën Luizës di Marillac.

“Ne as që kemi dëgjuar se ka kund Shpirt Shenjt”. Papa Françesku e mori shtytjen nga dialogu ndërmjet dishepujve të parë të Efezit me Shën Palin, për t’u ndaluar tek prania e Shpirtit Shenjt në jetën e të krishterëve. Edhe sot – theksoi – ndodh, siç ndodhi me këta dishepuj që, ndonëse besonin në Krishtin, nuk e dinin fare se kush ishte Shpirti Shenjt.

Shpirti Shenjt e lëviz Kishën e na bën ta dëshmojmë Jezusin

Shumëkush - vijoi Papa - duke u nisur nga katekizmi, që ka mësuar, thotë se Shpirti Shenjt është në Trini. Kaq! Nuk di më shumë për këtë Shpirt Shenjt e më pas, pyet se çfarë bën:

“Shpirti Shenjt është Ai, që e vë në lëvizje Kishën; është Ai, që punon në Kishë e në zemrat tona; është Ai, që e bën çdo të krishterë njeri të ndryshëm nga të tjerët, e, nga të gjithë bashkë, bën unitetin. Është Ai, që të shtyn përpara, që i hap portat e të çon të japësh dëshmi për Krishtin. Dëgjuam, në fillim të Meshës, fjalët: ‘Merreni Shpirtin Shenjt e do të jeni dëshmitarët e mi në mbarë botën’. Shpirti Shenjt është Ai, që na shtyn ta lavdërojmë Zotin, na nxit të lutemi: ‘Lutet, në ne’. Shpirti Shenjt është në ne e na mëson ta shikojmë Atin e t’i themi: ‘Atë’. Na çliron  nga jeta prej jetimi, ku dëshiron të na çojë shpirti i botës”.

Shpirti Shenjt - vijoi Papa - është protagonisti i Kishës së gjallë: është Ai, që punon në Kishë. Rreziku është - vërejti Françesku - kur nuk e jetojmë këtë, kur nuk jemi në lartësinë këtij misioni të Shpirtit Shenjt, kur e rëgjojmë fenë në moral, në etikë. Nuk duhet të mjaftohemi me bindjen ndaj Urdhërimeve, e asgjë më… Me: “kjo mund të bëhet” a “kjo nuk mund të bëhet”, “deri këtu” a “deri atje”, jo! Kjo çon në kazistikë, në moral të akullt.

Të mos e bëjmë Shpirtin Shenjt ‘të burgosur luksi”

Jeta e krishterë - pohoi Papa - nuk është etikë, është takim me Jezu Krishtin. Dhe është pikërisht Shpirti Shenjt që na çon në këtë takim me Zotin:

“Por ne, në jetë, e kemi Shpirtin Shenjt në zemrën tonë si ‘të burgosur luksi’: nuk e lëmë të na shtyjë, nuk e lëmë të na vërë në lëvizje. Bën gjithçka, di gjithçka, di të na kujtojë atë që tha Jezusi, di të na i shpjegojë punët e Jezusit, vetëm një gjë nuk di të bëjë Shpirti Shenjt; të krishterë sallonesh. Këtë jo, nuk di ta bëjë! Nuk di të bëjë të krishterë ‘virtualë’,  por jo ‘virtuozë’. Ai bën të krishterë të vërtetë, ai e merr jetën e vërtetë, ashtu siç është, me profecinë e leximit të shenjave të kohëve e na çon përpara kështu. Është i burgosuri i madh i zemrës sonë. E ne mjaftohemi të themi se është Vetja e tretë e Trinisë, e kaq….”.

Reflektoni për atë që bën Shpirti Shenjt në jetën tonë

Këtë javë - kujtoi Papa - na bën mirë të reflektojmë për atë që bën Shpirti Shenjt në jetën e secilit prej nesh e të pyesim veten nëse na e ka mësuar udhën e lirisë. “Shpirti Shenjt, që është në mua – shtoi - a më shtyn të dal përjashta? A kam frikë? A e kam guximin, atë, që ma jep Shpirti Shenjt, për të dalë nga vetvetja e për ta dëshmuar Jezusin?”. E akoma: “Sa mund të duroj në prova?”. Sepse edhe durimin na e jep Shpirti Shenjt:

“Në këtë javë, nësa përgatitemi për festën e Rrëshajëve, të mendojmë: ‘A besoj vërtet në Shpirtin Shenjt, apo për mua është vetëm një fjalë goje?’. E të përpiqemi të flasim me Të e t’i themi: ‘E di se Ti je në zemrën time, se je në zemrën e Kishës, se e çon përpara Kishën, se na bën si të ishim një njeri i vetëm, edhe pse të ndryshëm”.

T’ia themi gjithë këto fjalë e t’i kërkojmë hirin për të mësuar - po praktikisht, në jetën time - çfarë bën Ai. Është hiri i bindjes ndaj Tij: hir që na bën të epshëm ndaj Shpirtit Shenjt. Këtë javë ta bëjmë këtë: të mendojmë për Shpirtin Shenjt e të flasim me Të.








All the contents on this site are copyrighted ©.