2016-05-09 16:08:00

Papa Rrethit të Shën Pjetrit: të jeni dhembshuria e Zotit për të varfërit


“Shenjë e mjet i dashurisë së Zotit për çdo njeri, posaçërisht për më të ligshtit e më të papërfillurit”. Këtë u kërkoi Françesku ta dëshmojnë anëtarëve të Rrethit të Shën Pjetrit, të cilët i priti sot në audiencë, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Ashtu si Maria shkoi te Elizabeta, edhe ju duhet të rendni drejt atyre, që kanë nevojë për ndihmë, i porositi.

Dashuria e krishterë për të varfërit nuk fle mbi dafinat e prestigjit, por niset e shkon me nxitim tek nevojtarët. Rrethi i Shën Pjetrit, që kujdeset për të varfërit e Romës që nga viti 1869, e di mirë se solidariteti nuk mund të presë. E Papa Françesku u tregoi anëtarëve të tij modelin e Marisë, që u nis pa pritur ftesë të veçantë, në ndihmë të së kushërirës.

Të varfërit janë pasuria juaj

Rrethi juaj, kujtoi Françesku, u krijua pikërisht për këtë, si shprehje e një Kishe në dalje:

“Një Kishe, që ecën për të kërkuar, për të vizituar, për të takuar, për të dëgjuar, për të qenë pranë, për të ndarë gjithçka me njerëzit më të varfër. Secilit nga ju i kërkohet jo vetëm të shkojë t’i takojë  më nevojtarët, por të shkojë tek ata, për t’u çuar Jezusin. Ju kërkohet të shkoni si dishepuj, si miq të Zotit;  të shkoni për të ndarë me ta Fjalën e Tij, atë të Ungjillit, për të përsëritur gjestet e Tij të faljes, të dashurisë, të dhurimit, pa kërkuar asnjë nderim, por vetëm të mirën e të tjerëve”.

Çojani Jezusin, jo vetveten!

Ajo, që vërejmë në përvojën e Marisë me të kushërirën, është aspekt i dukshëm: Nëna e Jezusit jo vetëm që shkon vetë tek Elizabeta, por çon  edhe të Birin. E çon - shtoi Papa – për vizitë vetë Zotin, sepse është në bashkim të plotë me Të. E këtë duhet të shprehë i krishteri në çdo akt bamirësie:

“Maria është ikona e fesë. Vetëm në fe mund të çohet Jezusi, e jo vetvetja. Në këtë Vit Shenjt, ndërsa përpiqemi të përshkojmë udhën e veprave të mëshirës, jemi të thirrur të përtërihemi në fe, për t’ua çuar vetë Zotin, atyre që vuajnë në korp e në shpirt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.