2016-05-08 09:00:00

Shëndetësia, në qendër të takimeve të djeshme të Papës në Vatikan


E pasur me botën e shëndetësisë, dita e djeshme në Vatikan. Në orën 12.15, Ati i Shenjtë u takua, në Sallën Pali VI, me anëtarët e shoqatës “Mjekët me Afrikën-Cuamm (Kolegji Universitar i Aspirantëve dhe i Mjekëve Misionarë)”, ku bëjnë pjesë individë e grupe, vullnetarë, përkrahës, miq, bashkëpunëtorë, të rinj e të moshuar, familje e fëmijë, të cilët çdo ditë, impenjohen për të përballuar sfidat, që i ka vënë vetes Cuamm. Rreth 9 mijë të pranishmit shoqëroheshin edhe nga ipeshkvi i Padovës, imzot Claudio Cipolla dhe vikari i përgjithshëm, president i Këshillit Drejtues të Cuamm, imzot Paolo Doni.

Përveç mjekëve nga Afrika, të pranishëm në Vatikan edhe krerët italianë të Unitalsit, shoqatës, që merret me transportin e të sëmurëve në shenjtëroren e Lurdës e në shenjtërore të tjera kudo në botë. Me rastin e 80-vjetorit të shtegtimit të parë të Unitalsit në Loreto, zhvilluar pikërisht më 8 maj 1936, shtatorja e lashtë e Zojës së Loretos erdhi në procesion në rrugën Conciliazione në Romë, duke filluar nga ora 9.30.  Kujtojmë se shtegtimi i parë i Unitalsit u organizua si përgjigje ndaj fashizmit, i cili pati ndaluar “turizmin fetar” jashtë vendit.

         Në fund të procesionit, pjesëmarrësit kapërcyen Portën Shenjte dhe morën pjesë në meshën e kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, nga kardinali Angelo Comastri, kryeprifti i saj. Më pas, u nisën për në Loreto, në një shtegtim të veçantë, që do të përfundojë më 10 maj.

Po në kuadrin e Jubileut të Mëshirës, në bashkëpunim me Unitalsin, në orën 12.00 të ditës së djeshme, Shoqata Italiane e Pikave të Ndihmës së Shpejtë në Romë e Lacio solli në shtegtim nxënësit e shkollave romake, që e kapërcyen Portën Shenjte të Shën Pjetrit me kryqin e Lampeduzës në krah. Ky kryq është realizuar me drurin e barkave të refugjatëve, që kanë zbarkuar në ishullin italian për të ikur nga lufta e persekutimi. Grupi i nxënësve u përshëndet në shesh nga kreu i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fisichella.








All the contents on this site are copyrighted ©.