2016-05-08 14:03:00

Papa: në çdo qytet mund të shikojmë të njëjtin qiell, të banuar nga Jezusi


Dhjetra mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit ne Vatikan, për të marrë pjesë në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, në Solemnitetin e Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell. Françesku pohoi se çdo i krishterë ka mundësi ta jetojë e ta dëshmojë fenë kudo, sepse nga të gjitha qytetet e botës mund të lartohen sytë plot shpresë drejt qiellit, ku banon Zoti i bërë njeri. E, në ditën që u kushtohet, Papa i përshëndeti përzemërsisht të gjitha nënat e botës!

Në Solemnitetin e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, dyzet ditë pas Pashkëve, kundrohet misteri i Jezusit, që del nga hapësira tokësore, për të hyrë në përsosurinë e mbretërisë së Zotit, duke marrë me vete natyrën tonë njerëzore. Dishepujt - vërejti Papa - nuk trishtohen nga mendimi se Jezusi s' është më fizikisht mes tyre, por kthehen me gëzim në Jeruzalem, në qytetin që nuk e kishte pranuar Mësuesin:

“Që nga kjo ditë për Apostujt e për çdo dishepull të Krishtit, u bë e mundur të banojë në Jeruzalem e në të gjitha qytetet e botës, edhe në më të tronditurat nga padrejtësitë e dhuna, sepse mbi çdo qytet është i njëjti qiell e çdo banor i tokës mund t’i lartojë sytë plot shpresë. Jezusi, Zoti, është njeri i vërtetë e me trupin e tij njerëzor është në qiell! Kjo, shpresa jonë, nëse shikojmë qiellin. Në këtë qiell banon Ai, Zoti, që u dëftua aq i afërt, sa të marrë fytyrë njerëzore, Jezusi i Nazaretit. Ai mbetet gjithnjë Zoti-me-ne - ta kujtojmë këtë: Emmanueli, Zoti-me-ne - e nuk na lë kurrë vetëm”.

Ta dëshmojmë Krishtin e ngjallur në jetën e përditshme

Dishepujt munden tani t’ua kumtojnë të gjithëve jetën e re, që vjen nga i Kryqëzuari i Ngjallur:

“Kjo është dëshmia - jo vetëm me fjalë, por edhe me jetën tonë të përditshme - dëshmi që çdo të diel duhet të dalë nga Kishat tona, për të hyrë gjatë javës ndër shtëpi, në zyra, në shkolla, në vendet e takimit e të dëfrimit, në spitale, në burgje, në strehët e pleqve, në gjirin e turmave të emigrantëve, në periferitë e qyteteve…”.

Shpirti Shenjt është krijues i dëshmisë së krishterë

Eshtë dëshmi, që bëhet e mundur përmes Shpirtit Shenjt:

“Këtu është sekreti i këtij misioni: prania mes nesh e Zotit të ngjallur, që me dhuratën e Shpirtit Shenjt vijon të na e hapë mendjen tonë e zemrën tonë, për ta kumtuar dashurinë e mëshirën e Tij edhe në mjediset më të panënshtrueshme të qyteteve tona. Është Shpirti Shenjt, krijuesi i vërtetë i dëshmisë shumëformëshe që japin në botë Kisha e çdo i pagëzuar. Prandaj nuk duhet ta harrojmë kurrë gjunjëzimin në lutje për ta lavdëruar Zotin e për t’i kërkuar dhuratën e Shpirtit Shenjt”.

Komunikatorët mund të hedhin ura

Papa u bashkua shpirtërisht me besimtarët e mbledhur në Shenjtëroren e Pompeit, për Lutjen tradicionale drejtuar Zojës Rruzare. Më pas kujtoi se sot kremtohet edhe Dita e 50-të Botërore e Komunikimeve Shoqërore, themeluar sipas dëshirës, shprehur në Koncilin II të Vatikanit, me vetëdijen se komunikimet kanë rëndësi vendimtare, sepse mund të hedhin ura  ndërmjet njerëzve, familjeve, grupeve shoqërore, popujve. E kjo, si në mjediset fizike, ashtu edhe në ato dixhitale (Mesazhi 2016):

“U drejtoj të gjithë veprimtarëve të komunikimit një përshëndetje të përzemërt, duke uruar që mënyra jonë e komunikimit në Kishë ta ketë gjithnjë më të qartë stilin ungjillor, stilin që bashkon në një, të vërtetën e mëshirën”.

Urime nënave të mbarë botës

Së fundi Papa kujtoi se sot në shumë vende kremtohet festa e nënës:

“Kujtojmë me mirënjohje e dashuri të gjitha nënat, këto që janë sot këtu, në Shesh, e nënat tona, ende mes nesh, e edhe ato, që shkuan në qiell, duke ia besuar Marisë, Nënës së Jezusit. E, së bashku me të gjitha nënat, të themi një Falemi Mari…”.








All the contents on this site are copyrighted ©.