2016-05-08 12:00:00

Imzot Viganò për mënyrën e komunikimit të Papës Françesku


Sot, e diela e festës së të Shëlbuemit, por edhe ajo e Zojës së Pompeit, Papa Françesku tha Lutjen e Mbretëreshës Qiellore në Vatikan, duke kujtuar edhe Ditën e 50-të Botërore të komunikimeve shoqërore. Mesazhi i tij për këtë ditë u bë i njohur më 24 janar. Tema e sivjetme “Komunikimi dhe mëshira: një takim i frytshëm”. Në mesazh, Ati i Shenjtë vë theksin në rëndësinë që ka dëgjimi i tjetrit, si premisë për komunikimin e vërtetë. Ndoshta, Papa dëshiron të na thotë se është humbur disi kjo vlerë, që presupozon heshtjen. I kërkuam një koment prefektit të Sekretarisë së Komunikimit, imzot Dario Edoardo Viganò:

Kjo është e qartë, sidomos në ndërhyrjet e tij të vazhdueshme kundër thashethemeve. E kundërta e dëgjimit do të ishte fjala bosh, që mbyllet në vetvete e madje, mund të arrijë deri në krim, nëse thashethemet, zhurmat, kthehen në kallëzim, shpifje. Prandaj, ky është aspekt qëndror në mesazhin e Papës. Jo rastësisht, kur Ati i Shenjtë flet për komunikim nënvizon se të komunikosh do të thotë të ndash e kjo kërkon dëgjimin, të cilin ai e konsideron një lloj martirizimi. Pra, për të dëgjuar, duhet të dalim nga vetvetja. Ja përse është interesante ç’thuhet në Librin e Dajles: “Hiqi sandalet, sepse toka ku shkel, është tokë, ku është i pranishëm Tjetri”, pra, Zoti. Kemi një bashkëveprim, që na kërkon të hyjnë në majë të gishtave në botën e tjetrit për të krijuar marrëdhënie me të.

Papa jo vetëm që vijon të shkruajë në faqen e Tëitterit, nisur nga Benedikti XVI, por ka hapur një faqe të re edhe në Instagram, rrjet tjetër shoqëror, ku postohen fotografi. Cili është kontributi, që jep Ati i Shenjtë në botën digjitale?

Besoj se na tërheq vëmendjen, duke na thënë se të jesh gjithnjë në lidhje me të tjerët është diçka e rëndësishme, e dobishme, por duhet të shoqërohet nga takimi i vërtetë. Sot, sidomos të rinjtë jetojnë natyrshëm online dhe offline, por ne të rriturit duhet t’i nxisim drejt takimit konkret me tjetrin. Kemi nevojë t’i japim teknologjisë më shumë humanitet.








All the contents on this site are copyrighted ©.