2016-05-06 19:18:00

Liderët BE: të inkurajuar nga Papa në projektin Evropë


Nga Papa morëm një mesazh të qartë për mbrojtjen e tërësisë evropiane. Kështu u shpreh kancelarja Angela Merkel, në përfundim të audiencës private me Papën, me rastin e dorëzimit të Çmimit Karli i Madh. Një ceremoni, që i preku thellë tre liderët evropianë, Martin Schultz, Jean-Claude Juncker e Donald Tusk, për të cilët, gazetarët e pranishëm në konferencën e shtypit, thanë se e ndjejnë veten thellësisht të inkurajuar nga Papa  e se dëshrojnë ta përhapin në të gjitha kryeqytetet e Kontinentit të vjetër, fjalimin e Françeskut, mbajtur me këtë rast.

Njëzet e pesë minuta në një klimë përzemërsie, në qendër të të cilave, integrimi i ardhshëm i Evropës. Kështu kaloi audienca private e Papës me Angela Merkel, e cila theksoi se e ndjeu fuqimisht nxitjen për ta shpëtuar tërësinë evropiane, si për monedhën dhe mbrojtjen e kufijve të jashtëm, ashtu edhe për detyrën humanitare, që nuk duhet harruar.

Dialogu, integrimi e krijimtaria, tri bazat e një shoqërie evropiane me fytyrë njerëzore, të nënvizuara nga Papa, prekën thellë edhe Kryetarin e Parlamentit, të Këshillit e të Komisionit BE. Kështu pohuan gazetarët në konferencën e shtypit, menjëherë pas kremtimit. “Më preku posaçërisht shqetësimi i Papës për kohezionin evropian e për kërcënimin më të rëndë në jetën e Kontinentit, që është papunësia në radhët e të rinjve,  tha Martin Schulz, që e mori vitin e kaluar Çmimin Karli i Madh. Sot, vijoi, rrezikohemi ta flakim ndër hithra trashëgiminë evropiane. Forcat e nxitura nga kriza po përçajnë, në vend që të na bëjnë më të bashkuar; egoizmat kombëtare, rinacionalizmi e partikolarizmi po fitojnë përsëri terren. Nuk ka asnjë dyshim se kriza e refugjatëve përfaqëson një sfidë, që tregon sa  i vlen lëkura Evropës. Në asnjë epokë, që nga Lufta II Botërore e tutje, nuk janë parë kaq shumë njerëz në ikje nga dhuna e nga terrori. Populistët pa skrupuj, që nuk kanë asnjë rrugëzgjidhje për të orfruar, përfitojnë nga  frika e njerëzve në këtë situatë. Ata duhet ta lexojnë të parët fjalimin e Papës.

Frika mund të kuptohet, por është këshilltare e keqe. Ka ardhur koha të ngrihemi në këmbë e t’i tregojmë botës se jemi evropianë. Papa Françesku na jep shpresë për të ardhmen. Ai na tregoi të gjithëve, e posaçërisht  krerëve të qeverive, që refuzojnë t’i pranojnë refugjatët muslimanë, sepse vendet e tyre janë të krishtera, ç’do të thotë solidaritet, ç’do të thotë qenie njerëzore, kur, pas vizitës të tij në Lesbo, pranoi në Vatikan tri familje siriane”.

Ka shumë evropianë të përkohshëm, kujtoi Jean Claude Junker, që duartrokiti qëndrimin e Italisë ndaj refugjatëve, por pa hyrë në çështjen e financimeve. E, duke folur për ndërrimin e kryesisë së qeverisë turke, përshëndeti kryeministrin Davutoglu si partner i besueshëm, por jo i thjeshtë,  duke uruar një ardhmëri konstruktive bashkëpunimi.








All the contents on this site are copyrighted ©.