2016-05-06 12:57:00

Ekspozita e parë e Bulave jubilare Papnore të Arkivit Sekret të Vatikanit


Me rastin e Jubileut të jashtëzakonshëm të mëshirës, shpallur nga Papa Françesku, Arkivi Sekret i Vatikanit hapi ekspozitën me Bulat Papnore, të cilat që prej 1300 vjetësh shoqërojnë historinë e jubileve të jashtëzakonshme të Kishës. Është fjala për dokumente me vlera të pallogaritshme historike e kulturore, që përbëjnë zemrën e kësaj  ekspozite, vendosur në Pallatin e Vjetër të Vikariatit. E përuruar më 3 maj, ekspozita, organizuar nga Vepra Romake e Shtegtimeve, nën drejtimin e prefektit të Arkivit Sekret të Vatikanit, ipeshkvit Sergio Pagano, do të mund të vizitohet deri më 31 korrik. Vizitori mund të sodisë dokumente  të papëve për shpalljen e Jubileve të jashtzakonshme, që nga Jubileu i parë, shpallur nga Papa Bonifaci VIII e kremtuar në vitin 1300, deri tek Jubileu i madh i vitit 2000, kremtuar nga Papa Gjon Pali II. Rast vërtet i pashoq ky, për t’i admiruar këto dokumete të çmuara, ardhur nga Arkivi Sekret i Vatikanit e për të thelluar njohuritë historike, kulturore e fetare.

Për më shumë, intervistuam imzot Liberio Andreatën, administrator-delegat i Veprës Romake të Shtegtimeve, i cili thekson posaçërisht vlerën shpirtërore që kanë edhe sot e kësaj dite shtegtimet, sidomos kur bëhet fjalë për kremtime jubilesh:

Përgjigje: - Është rast i jashtëzakonshëm për të gjithë shtegtarët, ky, që u krijon mundësitë të shikojnë për herë të parë në historinë e Kishës, këto dokumente, në zanafillë të të gjithë jubileve. Besoj se është hera e parë, e ndoshta edhe e fundit, sepse nuk është aspak e lehtë t’i nxjerrësh  nga peshtafet këto thesare sekrete të arkiveve të Papës, dokumente tejet të çmueshme, tepër të rralla. Me rastin e Vitit Shenjt të jashtëzakonshëm të mëshirës, shpallur nga Papa Françesku, drejtuesit e Arkivit Vatikanas  nuk ngurruan t’i ekspozojnë, në shërbim të shtegtarëve të shumtë, që vijojnë të arrijnë në Romë për të kapërcyer portat shenjte. E, me këtë rast, edhe portën e kësaj ekspozite të jashtëzakonshme.

Pyetje:-  Një çerek shekulli nga Jubileu i fundit! Çfarë ka ndryshuar brenda Kishës, posaçërisht në këndvështrimin e  komunikimit, të shtegtarëve e të besimtarëve në përgjithësi?

Përgjigje: - Para së gjithash ndryshimi kryesor është ky: ndërsa në të kaluarën shtegtimi ishte kryesisht akt thelbësisht pendestar, devocional, i lidhur ngushtë me përshpirtërinë popullore, tani është pasuruar edhe me një aspekt të madh kulturor, domethënë është edhe takim me artin, me historinë, me kulturën, me bukuritë natyrore, shenjtërinë e vendeve. Ka fituar një larmi të re. E ka rëndësi të madhe ta shoqërosh njeriun në përvojën e shtegtimit, për të bërë jo vetëm udhën shpirtërore, udhë shndërrimi e kthese, por edhe  për t’u takuar me vëllezërit, duke e kapëcyer individualizmin, egoizmin, mungesën e solidaritetit, tipike për shoqërinë e mirëqenies e të konsumit, në mënyrë që, duke u takuar me tjetrin, shtegtari të takohet me vetë Zotin! 








All the contents on this site are copyrighted ©.