2016-05-05 11:48:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: “jepuni për të ngrënë të uriturve" në Besëlidhjen e Re


Shën Çezari, ipeshkëv i Arles, shkruan: “Në këtë tokë, Zoti ka uri e etje në personin e gjithë të varfërve, siç pati thënë vetë: ‘Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua’ (Mt 25,40). Ai Zot, që denjohet të na shpërblejë në qiell, dëshiron të marrë këtu në tokë. E kush jemi ne që kur Zoti dhuron, marrim, por kur Zoti kërkon, nuk duam të japim? Kur një i varfër ka uri, është Krishti që ka uri… Mos e përbuzni pra, mjerimin e të varfërve, nëse doni të shpresoni me siguri në faljen e mëkateve. Krishti ka uri, Ai denjohet të ketë uri dhe etje në të gjithë të varfërit; atë që merr në tokë, ta kthen në qiell”.

Të dashur dëgjues, javën e kaluar folëm për njërën nga veprat trupore të mëshirës, “jepuni të hanë të uriturve”, të cilën e pamë në këndvështrimin e Besëlidhjes së Vjetër. Sot, do të përqendrohemi në risitë, që solli Jezu Krishti. Ngjarja, që të bie menjëherë në sy në Besëlidhjen e Re, është pa dyshim shumëfishimi i pesë bukëve dhe dy peshqve, të cilët qenë të mjaftueshme për të ushqyer mijëra njerëz (shih Gjn 6,1-13). Natyrisht, Jezusi qe protagonisti i kësaj mrekullie, por Benedikti XVI thoshte: “Mrekullia nuk vjen nga asgjëja, por nga ndarja me të tjerët e atij pak ushqimi, që një djalosh kishte me vete. Jezusi nuk na kërkon atë që s’kemi, por na tregon se nëse secili ofron çfarë ka, mund të ndodhë gjithnjë e sërish po ajo mrekulli: Zoti është i aftë ta shumëfishojë gjestin tonë të vogël të dashurisë e të na bëjë pjesëmarrës në dhuratën e Tij” (Engjëlli i Tënzot, 29 korrik 2012).

Shumëfishimi i bukëve nga Jezusi shkon përtej realitetit material të përditshëm, sepse është simbol i një shumëfishimi tjetër, i bukës tjetër, që është Korpi i tij i thyer për dashuri të njerëzve e që na ushqen për amshim: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje” (Gjn 6,35).

Kjo bukë është ajo që kërkojmë çdo ditë, kur themi lutjen e Atynës, që na ka mësuar Jezusi: “Bukën tonë të përditshme na e jep sot!” (Mt 6,11). Kërkesa për bukë nuk është individuale, “më jep”, por përfshin në përqafimin e Atit si personin që lutet, ashtu edhe të tjerët, që kanë nevojë.

Sot, shoqëria po jeton një moment kthimi mbrapa, sepse ka humbur jo vetëm përmasën simbolike të ushqimit, por edhe përshpirtërinë, që përmbahet në këtë shenjë. Në Mesjetë, ulja në sofër ishte e ngarkuar me elemente fetare e përkushtim, aq sa të krishterët, kur pinin, e bënin këtë me pesë gllënjka të vogla, një për çdo plagë të Krishtit; çdo kafshatë ndahej në katër pjesë, nga të cilat tre për Trininë Shenjte dhe një për Marinë, Nënën e Jezusit. Sot, hamë shpejt e shpejt e nganjëherë, edhe në këmbë. Secili shkon për të ngrënë ku mundet e, edhe kur shkon në shtëpi, shpesh, ulet me një panine para televizorit apo kompiuterit. Siç thotë Papa Françesku, do të na bënte mirë të mendonim herë pas here për vlerën materiale e shpirtërore të ushqimit.

Njerëzit kanë, natyrisht, uri për bukën materiale, sepse sot, pavarësisht nga pasuria e disave, rritet gjithnjë e më shumë numri i atyre, që jetojnë në mjerim. Prandaj, ndarja e bukës me të uriturin është një nga veprat më aktuale të mëshirës. Secili prej nesh mund e duhet ta bëjë këtë, sepse duke ushqyer të uriturin, nuk bëjmë tjetër veçse i kthejmë Zotit një pjesë të dhuratave, që Ai i Lumi na ka bërë.

Shën Augustini na fton të kemi kujdes si i kryejmë veprat e mira: “Për shembull: ti i jep bukë të uriturit; jepja me zemër, mos ia hidh, për të mos e trajtuar si qen njeriun, që është njësoj si ti. Pra, kur bën një vepër mëshire, sillu kështu: nëse i jep një copë bukë, përpiqu të marrësh pjesë në dhimbjen e të uriturit” (Fjalimi 358, A). T’i japë bukë të uriturit me dashuri, me përvuajtëri e fshehtas, që të mos e marrë vesh kush, është detyrë e çdo të krishteri.

Por jo vetëm kaq, sepse problemi më i madh i shoqërisë së sotme është uria për drejtësi, për dinjitet, për fjalë të vërteta e për liri. Duket sikur për njerëzimin është shuar drita e shpresës e njeriut i mjafton vetvetja, por kështu, provon vetëm zhgënjime e hidhërime, sepse e sheh të mbyllur qiellin sipër tij. Ka uri, ai që është gjallë. Prandaj, kush nuk ka uri e etje për drejtësi ka vdekur në shpirt, sepse e ka ndërprerë lidhjen e tij me Hyjin, për të ndjekur dëshirat materiale (shih Ef 2,1-3). Atij i duhet dhënë dora për t’i kumtuar Lajmin e Mirë të Ungjillit e faljen e mëkateve, që të kthehet e të kremtojë sërish Pashkët e Ringjalljes së bashku me Krishtin, që ta shuajë urinë me bukën e vërtetë të jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.