2016-05-05 14:02:00

Imzot Paglia në Nigeri për të paraqitur dokumentin papnor Amoris Laetitia


Presidenti i Këshillit Papnor për Familjen, kryeipeshkvi imzot Vinçenzo Paglia, gjendet në Nigeri për një vizitë dyditore, me ftesën e Konferencës Ipeshkëvnore lokale, për t’u takuar me grupet e shoqatat familjare dhe për t’u paraqitur ipeshkvijve afrikan nxitjen apostolike të Papa Françeskut ‘Amoris Laetitia’, dokumentin e përpiluar pas Sinodit mbi familjen, që u mbajt vitin e kaluar në Vatikan.

“S’ ka dyshim se Nigeria është duke jetuar e kaluar momente të vështira. Edhe vetë Kisha katolike, që është një Kishë e madh, ka pësuar sulme prej grupit Boko Haram, në njërin prej sulmeve të fundit qe përfshirë edhe kardinali Onaiyekan, i cili ka tërë solidaritetin tonë – thotë imzot Paglia në mikrofonin e Radio Vatikanit – Pikërisht për shkak të kësaj situate, mesazhi i dokumentit papnor ‘Amoris Laetitia’ është një ndihmë për ta jetuar me një forcë më të madhe Ungjillin e në këtë rast edhe impenjimin e Kishës në mbështetje të familjeve”.

Presidenti i Këshillit Papnor për Familjen, kryeipeshkvi imzot Vinçenzo Paglia nënvizon se “nxitja apostolike e Papës nuk është vetëm ftesë për një azhurnim të Kishës në fushën e veprimtarisë baritore familjare, por kërkon ndryshimin e mënyrës së Kishës që shoqëron, kupton dhe mbështet të gjitha familjet, në realitetin dhe vështirësitë e përditshme.

Mes tjerash, tema e familjes është shumë e ndjeshme dhe e rëndësishme në Afrikë, e Kisha afrikane ka dhënë një kontribut të mirë edhe gjatë diskutimeve që u bënë në Sinodit kushtuar familjes, mbajtur në Vatikan. Dokument papnor kërkon shqyrtimin e ndërgjegjes dhe përtëritjen e hovit misionar në favor të familjes, në përgjithësi, e kjo vlen edhe për Kishën afrikane, e cila gjatë Sinodit foli shpesh për Kishën si familje të Zotit. Në Afrikë ekziston edhe një element tjetër pozitiv: në dallim me kulturën evropiane e atë perëndimore, në Afrikë “ne” është shumë më e fortë se “unë”; kultura societas (e shoqërisë e shoqërore) është më e fortë se kultura individualiste, siç është në Perëndim. Në këtë këndvështrim kemi një thesar që mund të imitohet e vlerësohet, tha imzot Paglia.








All the contents on this site are copyrighted ©.