2016-05-04 14:53:00

Venezuela. Kardinali Parolin: Papa ndëmjetësoi në favor të dialogut


“Venezuela po kalon një situatë të rëndë e, meqë për ta kapërcyer duhet vullneti i mirë i të gjitha palëve për të ecur në udhën e dialogut, Papa Françesku mendoi se e kishte për detyrë të jepte një dorë në këtë drejtim”. Pohimi është i sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin.

Në një deklaratë në përfundim të një takimi në Romë, prelati i lartë kujtoi se Françesku ka marrë shumë kërkesa për ndërhyrje, që të mund të favorizohet një takim i mundshëm ndërmjet qeverisë e opozitës në Karakas, e pikërisht për këtë qëllim i dërgoi një letër personale presidentit Nicolas Maduro.

Ja edhe përmbajtja e letrës, thënë me dy fjalë: “Duhet të bashkoheni, për t’i dhënë përgjigje problemeve, reale e të rënda, që po i shkaktojnë vuajtje tragjike vendit”. Pas këtij pohimi, kardinali Parolin  kujtoi se organizimi i një tryeze të rrumbullakët për të biseduar e për të dialoguar, janë mjetet e vetme të mundshme, që të çojnë në zgjidhjen e përbashkët të problemeve.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi edhe fjalët e Papës Françesku kushtuar Venezuelës, gjatë Mesazhit “Urbi et Orbi” drejtuar Romës e Botës për Pashkë:

“Me armët e dashurisë, Zoti e mposhti egoizmin dhe vdekjen; Biri i Tij, Jezus është porta e mëshirës, e hapur në dy kanatat për të gjithë. Mesazhi i Tij i Pashkëve rrezatoftë gjithnjë më shumë mbi popullin e dashur venezuelan, në kushtet e vështira të jetës, si dhe mbi të gjithë ata, të cilët i kanë në dorë fatet e vendit, që të mund të punojnë për të mirën e përbashkët, duke kërkuar hapësira dialogu dhe bashkëpunimi me të gjithë. U bëfshin ngado përpjekje për të favorizuar kulturën e takimit, drejtësinë dhe respektin reciprok, sepse vetëm këto mund të garantojnë mirëqenien shpirtërore e materiale të qytetarëve”.

Këto fjalë të Papës u pasuan nga një deklaratë miratuese, votuar një zëri nga çavizmi e opozita në parlament. 








All the contents on this site are copyrighted ©.