2016-05-04 14:50:00

Papa në Mbrëmjen e lutjes për “të fshirë lotët” e gjithë njerëzve, që bartin mbi shpatulla histori vuajtjesh të mëdha


Familja Pellegrino, e prekur nga drama e vetëvrasjes së djalit; historia e Felix Qaiser, refugjat politik, gazetar pakistanez, që i përket pakicës katolike të vendit, ardhur në Itali për t’i dhënë një jetë të sigurtë familjes; Maurizio Fratamico dhe i vëllai i tij binjak Enzo, kthimi i të cilit në fenë e krishterë shenjon edhe jetën e Maurizio-s, që, i ri, kishte gjithçka nga pikpamja materiale, por kalonte një jetë pa kuptim, të cilin e gjeti vetëm pas lotëve të së ëmës, pas një takimi e fesë. Këto janë tri dëshmi, që do të dëgjojë sot, 5 maj në Vatikan, Papa Françesku gjatë Mbrëmjes së Lutjes për “të fshirë lotët” në festën liturgjike të të Ngjiturit të Zotit në Qiell. Duke filluar nga ora 18.00, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, do të ekspozohet edhe relikuari me lotët e Zojës së Sirakuzës, për të kërkuar mbrojtjen amnore të shën Marisë, në muajin kushtuar asaj.

Gjatë kremtimit, Papa Françesku do t’u shpërndajë të pranishmëve, si simbol ngushëllimi e shprese, “Agnus Dei” (Qingjin e Hyjit), një objekt devocioni bekuar prej tij. Realizuar me dyll të bardhë në formë ovale, “Agnus Dei” që do të dhurojë Ati i Shenjtë, mban, nga njëra anë, gjurmën e Qengjit të Pashkëve dhe, nga ana tjetër, logon e Jubileut të Mëshirës. Sipas disave, përdorimi i këtij objekti duhet kërkuar larg në shekullin IV, por është i dokumentuar pa asnjë dyshim që nga shekulli IX. Kryediakoni i kishës, të Shtunën e Madhe, thyente qiriun e Pashkëve, në përdorim deri atë ditë e pasi e shkrinte dyllin bashkonte me përzierjen vaj, duke e bekuar. Më pas, dylli e vaji derdheshin në forma e ovalja e përftuar kështu, u jepej besimtarëve gjatë tetëditëshit të Pashkëve. Duke filluar nga viti 1470, me Papën Pali II, “Agnus Dei” përdoret edhe gjatë viteve jubilare.

Drejtpërdrejt nga duart e Papës Françesku do ta marrin “Agnus Dei”-n dhjetë vetë, të cilët do të përfaqësojnë të gjithë njerëzit, që bartin mbi shpatulla histori vuajtjesh të mëdha. Ndër ta, kryetarja e shoqatës “Bijtë në qiell”, e cila ka humbur para kohe të birin, por edhe kryetarja e shoqatës “Viktima të Rrugës”, së cilës i biri i iku duarsh nga një aksident automobilistik. Së bashku me to, edhe të gjithë njerëzit që kanë humbur dikë në punë, përfaqësuar nga kreu i shoqatës “Viktima të detyrës”, por edhe diakoni Euge’ne, një i ri ruandez, që ka humbur shumë nga familjarët në genocidin e vitit 1994. E pastaj, Angelo, që ka përjetuar dramën e burgut për krime mafioze; Agostino, viktimë e bixhozit; e një tjetër Angelo, ish- i pastrehë. Përkrah tyre, histori lotësh, derdhur e fshirë nga gratë, në rolin e tyre të trefishtë si nuse, nëna e gjyshe, përfaqësuar nga zonja Mariella; histori murgeshash të impenjuara në misione, si motër Silvana, që shërben në botën e shkollës. Së fundi, një infermiere, Alessia, e cila çdo ditë kujdeset për të sëmurët e pashërueshëm e në perëndim të jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.