2016-05-03 13:00:00

Papa: Jezusi është rruga, por shumë të krishterë janë mumie o vagabondë


Jezusi është “rruga e drejtë” e jetës së krishterë, prandaj është e rëndësishme të verifikojmë vazhdimisht e me koherencë nëse përvoja e fesë është e drejtë apo ka hyrë në ndonjë shteg të gabuar. Ky qe reflektimi i sotëm i Papës Françesku, në homelinë e meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

         Feja është udhë e, përgjatë saj, mund të takojmë tipe të ndryshme të krishterësh. Papa Françesku përvijoi një lloj katalogu: të krishterë-mumie, të krishterë vagabondë, të krishterë kokëfortë, të krishterë në gjysëm të rrugës – ata, që mrekullohen para ndonjë panorame të bukur e zënë rrënjë aty. Njerëz që, për një arsye a për një tjetër, kanë harruar se “e vetmja rrugë e drejtë”, siç na kujton Ungjilli i sotëm, është Jezusi, i cili i thotë shën Tomës: “Unë jam udha”, “kush më ka parë mua, ka parë Atin”.

“Mumie shpirtërore”

         Ati i Shenjtë i shqyrtoi një për një tipologjitë e të krishterëve, që i bashkon hutimi, pavarësisht nga dallimet ndërmjet njëri-tjetrit. Së pari, i krishteri që, siç tha Papa, “nuk ecën”, është pak si i balsamosur:

         “Një i krishterë, që nuk ecën, nuk shkon përpara, nuk është i krishterë. Nuk dihet ç’është. Është i krishterë pak si ‘i paganizuar’: rri aty, pa lëvizur, nuk ecën përpara në jetën e krishterë, nuk i lë të lulëzojnë lumnitë në jetën e vet, nuk bën vepra mëshire… Ndalet. Më falni për këtë fjalë, por bën sikur të ishte ‘mumie’, aty… ‘mumie shpirtërore’. E ka të krishterë, që janë pikërisht ‘mumie shpirtërore’. Pa lëvizur, aty… Nuk bëjnë keq, por s’bëjnë as mirë”.

Kokëfortët dhe vagabondët

         E më pas, i krishteri kokëfortë. Kur ecim, pranoi Papa, ndodh ta gabojmë rrugën, por nuk është kjo gjëja më e keqe. Për Françeskun, tragjedia qëndron në kokëfortësinë, në rastin kur ngul këmbë se ajo, që ke ndërmarrë, është rruga e drejtë, pavarësisht se Zoti t’i ka dhënë shenjat se nuk është kështu. E pastaj, ka nga ata – e kjo është kategoria tjetër – që ecin e ecin e nuk dinë ku shkojnë:

         “Janë endacakë në jetën e krishterë, vagabondë. Jeta e tyre është xhiroja, andej e këndej, e kështu, humbasin bukurinë e afrimit me Jezusin, në jetën e Jezusit.  Humbin rrugën, sepse sillen e shpesh kjo xhiro endacake i çon drejt një jete pa rrugëdalje: endja e tepërt shndërrohet në labirint e pastaj, nuk dinë si të dalin prej tij. Humbasin çastin e thirrjes së Zotit. Nuk e kanë busullën për të dalë e sillen e sillen e kërkojnë. Ka të tjerë që gjatë rrugës mbeten të mahnitur nga ndonjë bukuri e veçantë, nga diçka e caktuar e kështu, ndalen në gjysëm të saj, të tërhequr nga ajo pamje, nga ajo ide, nga ai propozim, nga ai peisazh… E ndalen aty! Jeta e krishterë nuk është joshje: është një e vërtetë! Është Jezu Krishti!”.

Ora e pyetjeve

         Duke parë këtë kuadër, vijoi reflektimin Ati i Shenjtë, është e nevojshme ta pyesim veten si shkon jeta jonë e krishterë, pas Pagëzimit. Të shohim nëse kemi gabuar rrugë, nëse sillemi rrotull kot, pa shkuar gjëkundi, nëse ndalemi para gjërave që na tërheqin si kotësitë e kësaj bote, apo shkojmë përpara duke i bërë konkrete lumnitë dhe veprat e mëshirës. Sepse rruga e Jezusit, përfundoi Papa, është plot me ngushëllime, me lavdi, ama edhe me kryq. Por gjithmonë, me paqen në zemër:

         “Të ndahemi sot me pyetjen… por le ta bëjmë këtë pyetje për pesë minuta: si jam unë në udhën e krishterë? Ndalem, gaboj, sillem kot, nuk lëviz nga gjërat që më pëlqejnë apo ndjek Jezusin ‘Unë jam udha’? E le t’i kërkojmë Shpirtit Shenjt të na mësojë të ecim mirë, gjithmonë! E kur lodhemi, një pushim i vogël e pastaj, përpara. T’i lutemi për këtë hir”.








All the contents on this site are copyrighted ©.