2016-05-03 13:53:00

Ndjeti i Papës për majin: gratë të nderohen e të respektohen


Sapo kemi hyrë në muajin e majit e ndjeti i lutjes së Papës nuk vonon të theksojë atë, që të sjell në mendje ky muaj kushtuar Zojës së Bekuar. Gjithashtu, në shumë vende të botës, të dielën e dytë të majit, kremtohet festa e nënës e Ati i Shenjtë nuk mund të mos caktonte si ndjet universal e t’u kërkonte besimtarëve të luten që “në të gjitha vendet e botës gratë të nderohen e të respektohen, si edhe të vlerësohet kontributi i tyre i domosdoshëm shoqëror”.

Gjatë Vitit të Mëshirës, Papa Françesku e shpall ndjetin e tij mujor, edhe me anë të një videoje. Ai i majit u bë i njohur sot:

(https://youtu.be/S4nXV1hKDJM)

“I pamohueshëm – thotë Ati i Shenjtë - është kontributi i grave në të gjitha fushat e veprimtarisë së njeriut, duke filluar nga familja. Por vetëm duhet pranuar kjo… a është e mjaftueshme? Kemi bërë shumë pak për gratë, që ndodhen në gjendje shumë të vështira, të përbuzura, të mënjanuara e, madje, të skllavëruara.

Duhet ta dënojmë dhunën seksuale, që pësojnë gratë, dhe t’i zhdukim pengesat, që nuk lejojnë integrimin e tyre të plotë në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Nëse mendon se kjo është e drejtë – i flet Papa secilit prej nesh - bëje të njohur këtë peticion së bashku me mua. Është lutje që në të gjitha vendet e botës, gratë të nderohen e të respektohen, si edhe të vlerësohet kontributi i tyre i domosdoshëm shoqëror”.

Këto, fjalët e Papës Françesku, ndërsa në video tregohen imazhe nga puna dhe jeta e grave, si edhe fjalë, që dalin nga goja e tyre, si: “Puna ime vlen sa ajo e një burri”, “Nuk do të jem kurrë skllave”, “Jo, dhunës seksuale”, “Mjaft me diskriminimin në punë”, “Burra e gra jemi bij të Zotit”.

Nuk bën pjesë në video, por si çdo muaj, përveç ndjetit universal, Papa Françesku u kërkon besimtarëve të luten edhe sipas ndjetit për ungjillëzimin. Kësaj radhe, katolikët duhet të luten “që të përhapet në familje, bashkësi dhe grupe, praktika e thënies së Rruzares Shenjte për ungjillëzimin e për paqen”. Kujtojmë se lutja sipas ndjeteve të Papës vlen për marrjen e Ndjesës së Plotë, gjatë Vitit Jubilar të Mëshirës, pas plotësimit të kushteve të tjera: Rrëfimi e Pajtimi me Zotin; shtegtimi në një bazilikë jubilare, ku të marrim pjesë në meshë, ose të themi një lutje si Rruzarja, për shembull e, këtu, lutja duhet thënë sipas ndjetit të Papës; së fundi, të impenjohemi në vepra bamirëse e pendese, që shprehin kthimin e zemrës kah Zoti.








All the contents on this site are copyrighted ©.