2016-05-03 10:26:00

Muaji maj kushtuar Zojës së Bekuar.


Gjate muajit maj më i bukur i vitit, muaj i luleve, kushtuar Zojës së Bekuar, së cilës njerëzimi i lutet në kor, duke përsëritur përshëndetjen e Kryeengjëllit Gabriel drejtuar Vashës së Nazaretit. I foli hebraisht: MaryÄm, apo në gjuhën aramajke Maryām, Kryeengjëlli Vashës së re hebreje, që do të bëhej Nëna e Zotit e që shqiptarët do ta përshëndesnin me fjalët: “Të falemi Mari, hirplote”?

Në këtë atmosferë, në Itali botohet një libërth, që përmbledh lutjen mariane në 91 gjuhë të ndryshme të botës. Për hartimin e librit u shfrytëzua një botim i mëparshëm, i vitit 1931, në gjuhën frënge, realizuar nga Urdhri i Kalorësve të Varrit të Shenjtë, që përmban 404 tekste, në po aq gjuhë e të folme vendase. 
Në botë njihen rreth njëqind gjuhë kryesore, por nuk është arritur kurrë të përcaktohet numri i saktë i gjuhëve të folura nga kombet e mëdha e nga pakicat, që jetojnë të shpërndara nëpër botë, në qytete e fshatra, në male e fusha, në pyjet e thella të Ekuadorit e në polet e ngrira të Tokës. Një gjë, veç, është e qartë: në të gjitha skajet e Planetit, në një numër të papërcaktuar gjuhësh, në bazilika, katedrale, kisha, kapela e elterë shtëpiakë, nesër besimtarët katolikë do ta përkujtojnë Zojën në ditën e parë të muajit, që i është kushtuar, duke kënduar përsëri në kor:

 Në latinisht:
Ave Maria, gratia plena,
Dominus tecum,
benedicta tu in mulieribus,
et benedictus fructus ventris tui, Iesus.
Sancta Maria, mater Dei,
ora pro nobis peccatoribus, nunc et in hora mortis nostrae.
Amen.

Në shqipen e traditës:
Falemi Mërí, hírplote, Zoti me ty, 
bekue jé mi gjith grá 
e bekue fryti i barkut t’yt Jezus.
Shêjtja Mrí, âma e Tenzot, 
lutu për né mëkatnorët, 
tash e në fill të mordës s’onë. 
Ashtu Kjoftë 

 Në shqipen e sotme:
Të falemi Mari, hirplote, Zoti me ty, 
e bekuar je mbi të gjitha gratë 
e i bekuar është fryti i barkut tënd, Jezusi.
Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit, 
lutu për ne mëkatarët, 
tash e në fill të vdekjes sonë. 
Amen!

E dimë të gjithë se ‘Ave Maria’ u kompozua nga mjeshtrit më të mëdhenj të muzikës, frymëzoi qindra poetë, ndërmjet të cilëve, edhe ata shqiptarë. Po radhisim, këtu, dy Ave Maria – bërë poezi nga dy meshtarë shqiptarë, një françeskan e një jezuit:

A ve M a r i a

 Falemi, o virgjin Mrí, o Vajzë fatmire!
Hir-plote, si me lule â plot prendvera;
Zoti â me Tý ; ti jé békue e dlíre,
E zgjedhë ndër gjith grá tjera:
Ndër gjith grá tjera prej s’ Tenzot shenjue
Njeri m’u veshë në krahnuer t’and t’kullue.
O Shêjtja Mrí, o Nana e Hyj’t t’ adhruem,
Lutu për né qi për gjith dit’gabojmë;
Lute, sa t’jemi gjáll T’And-Bír t’ Lumzuem.
E kúr ket jetë të mbarojmë, o Shejtja Mrí,
Ket shpirt na merr, të gzojmë gjithmonë me tý.

Atë Leonard de Martino ‘Harpa e një arbëreshi’, Venedik 1888, fq. 168

T’Falemi, Mrí! 
 

Të falemi, o Mrí! Virgjina e dlir',
O Nana e bukur e K'shillit t'Mirë;
Ty ndimë të kena në ket' shkretí:
T’ falemi, o Mrí, të falemi, o Mrí

Të falemi Virgjin', Nana e Tenzot,
Ndihma e kshtenimit me hire plot;
T'biej në mend se Zoja e Shkodrës je:
Lutu për ne, lutu për ne!

 Lutu, po, e derdhi hiret e m'dhaja
Si n'kohët e moçme n'kishë te Kalaja,
Ku t'lutej Shkodra plot me dobi;
Të falemi, o Mrí, të falemi, Mrí!

 Lutu, Shqiptarët, o Zojë, të tanë
Te Ti e çojnë zanin në Gjenacanë:
Mëshirë, të luten, t'kesh për Shqypni!
Të falemi, o Mrí, të falemi, o Mrí! 

Nga krijimet poetike të Atë Pjetër Mëshkallës








All the contents on this site are copyrighted ©.