2016-05-02 13:51:00

Papa: dëshmia e fesë shkakton sulme e persekutime


Shpirti Shenjt na jep forcë të jemi dëshmitarë të Jezusit edhe në mes të persekutimeve, atyre të mëdha, në të cilat arrihet deri në flijimin e jetës,  e atyre të vogla, si persekutimi i përgojimeve e i kritikave: këtë theksoi sot Papa gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Shpirti Shenjt prek zemrat

Jemi tashmë fare pranë Rrëshajëve e leximet (Vap 16,11-15; Ps 149; Gjn 15,26-16,4a) flasin gjithnjë më shumë për Shpirtin Shenjt. “Veprat e Apostujve” rrëfejnë se Zoti ia hapi zemrën një gruaje me emrin Lidia, një tregtareje purpuri, që banonte në qytetin e Troades dhe dëgjonte fjalët e Palit. Komentoi Papa:

 “Diçka duhet të ketë ndjerë kjo grua brenda vetes, diçka që e shtynte të thoshte: ‘Kjo është e vërtetë! Unë jam një mendjeje me atë, që thotë ky burrë. Ky burrë, që jep dëshmi për Jezu Krishtin. Është më  se e vërtetë fjala, që thotë!’. Por, kush e preku zemrën e kësaj gruaje? Kush i tha: ‘Dëgjojeni, sepse është e vërtetë?’. Eshtë pikërisht Shpirti Shenjt, që e bëri  këtë grua të dëgjojë se Jezusi është Zoti; e bëri të kuptojë se në fjalët e Palit ishte shëlbimi; e bëri këtë grua të dëgjojë një dëshmi. Shpirti Shenjt jep dëshmi për Jezusin. E sa herë ne ndjejmë në zemër diçka, që na afron me Jezusin, është Shpirti Shenjt që punon brenda nesh”.

Persekutimi është çmimi i dëshmisë së krishterë   

Ungjilli flet për një dëshmi të dyfishtë: atë të Shpirtit, që na jep dëshminë e Jezusit, e atë tonën. Ne jemi dëshmitarë të Zotit me forcën e Shpirtit Shenjt. Jezusi i fton dishepujt të mos shkandullohen nga mendimi se dëshmia sjell me vete edhe persekutimet. Nga persekutimet e vogla të përgojimeve, të kritikave, tek ato të mëdhatë, me të cilat historia e Kishës është plot e përplot. Persekutime të të gjitha ngjyrave, që i çojnë të krishterët nga burgjet, deri në atë pikë, sa të derdhin edhe gjakun për Krishtin:

“Është - thotë Zotit - çmimi i dëshmisë së krishterë. Do t’ju dëbojnë nga sinagogat; madje do të vijë ora në të cilën kushdo që t’ju vrasë, do të besojë se po i bën shërbesë Zotit. I krishteri, me forcën e Shpirtit Shenjt, jep dëshminë se Zoti jeton, se Zoti u ngjall, se Zoti është ndërmjet nesh, se Zoti e kremton me ne vdekjen e ngjalljen e Tij, sa herë që i afrohemi elterit. I krishteri, i frymëzuar nga Shpirti Shenjt, jep dëshmi edhe në jetën e përditshme, me mënyrën si vepron. Është dëshmia e vazhdueshme e të krishterit. Por shpesh herë kjo dëshmi shkakton sulme, persekutime”.

Ta bëjmë të njohur Jezusin jo aq me fjalë, sa me dëshmi

Shpirti Shenjt, që na bëri ta njohim Jezusin - përfundoi Papa - është po ai, që na shtyn ta bëjmë të njohur, jo aq me fjalë, sa me dëshminë e jetës:

“Është gjë e mirë t’i kërkojmë Shpirtit Shenjt të vijë në zemrat tona, të japë dëshmi për Jezusin; t’i themi: Zot, mësomë të mos largohem kurrë nga Jezusi. Ndihmomë ta nxë mësimin e Jezusit. Bëmë të kujtoj çka tha e çka bëri Jezusi e, edhe, ndihmomë të jap dëshmi për këto gjëra. E ndihmomë që mendësia e botës, gjërat e lehta, që vijnë pikërisht nga ati i mashtrimit, nga princi i kësaj bote, nga mëkati, të mos më largojnë kurrë nga dëshmia!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.