2016-05-01 14:57:00

Papa lutet për paqen në Siri e për dinjitetin njerëzor


Të forcohet dialogu për paqen, përballë situatës së dëshpëruar humanitare në Siri, të mbrohen të miturit, pa toleruar asnjë shpërdorim, të promovohet dinjiteti njerëzor, duke respektuar plotësisht ligjet mbi punën e ambientin. Këto, reflektimet e Papës gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar kryesisht domethënies të dhuratës së Shpirtit Shenjt në jetën tonë.

Papa shprehu dhimbjen e tij të thellë për lajmet, që merr nga Siria e, menjëherë pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, u lut të marrë fund sa më shpejt spiralja e dhunës që - vërejti - vijon ta rëndojë më tej situatën  humanitare në vend. Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi posaçërisht tek qyteti i Halebit dhe tek viktimat e pafajshme të këtij konflikti, ndërmjet të cilave - kujtoi - fëmijët e sëmurë dhe të gjithë ata që, me flijime të mëdha, e vunë  vetveten në shërbim të të afërmit:

“I nxis të gjitha palët në konflikt ta respektojnë ndalimin e zjarrit e ta thellojnë dialogun në vijim, e vetmja rrugë që çon drejt paqes”.

Duke përshëndetur anëtarët e shoqatës “Meter” të don Fortunato Di Noto-s,  mendimi i Françeskut shkoi edhe tek ata, që luftojnë kundër çdo forme të shpërdorimit të të miturve, të cilët i nxiti ta vijojnë me guxim angazhimin e tyre në këtë drejtim:

“Kjo është tragjedi! Nuk duhet të tolerojmë asnjë shpërdorim mbi të miturit! Duhet t’i mbrojmë të shpërdoruarit e t’i dënojmë rreptësisht shpërdoruesit”.

Sot, kur Kisha kremton Shën Jozefin Punëtor e duke kujtuar se së shpejti në Romë do të mbahet konferenca ndërkombëtare me temë “Zhvillimi i qëndrueshëm dhe format më të rrezikshme të punës”, Papa uroi të sensibilizohen në këtë drejtim autoritetet, institucionet politike dhe ekonomike si dhe shoqëria civile:

“Të nxitet modeli i zhvillimit, që e llogarit mirë dinjitetin njerëzor dhe  respekton plotësisht ligjet mbi punën e mbi ambientin”.

Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, duke shtjelluar Ungjillin e Shën Gjonit kushtuar Darkës së Mbrame, Papa kujtoi se nuk jemi kurrë vetëm, sepse Jezusi është pranë nesh, mes nesh, brenda nesh, përmes dhuratës së Shpirtit Shenjt, e cila na ndihmon të krijojmë një lidhje të fuqishme me të Kryqëzuarin e Ngjallur. E shenja e qartë e pranisë së Shpirtit Shenjt - shtoi Françesku - është paqja, që u jep Jezusi dishepujve të vet:

“Ajo ndryshon nga paqja, që e dëshirojnë e mundohen ta realizojnë njerëzit. Paqja e Krishtit gurron nga fitorja mbi mëkatin, mbi egoizmin, që na pengon ta duam njëri-tjerin si vëllezër. Është dhuratë e Zotit e shenjë e pranisë së Tij”.

Të gjithë dishepujt janë të thirrur sot ta ndjekin Jezusin, duke mbartur kryqin e duke marrë dhuratën e paqes së Tij:

“Shpirti Shenjt, i dikuar në ne me sakramentin e Pagëzimit e të Krezmimit, vepron fuqimisht në jetën tonë. Ai na prin në mënyrën e mendimit, të veprimit, të dallimit të së mirës nga e keqja: na ndihmon ta praktikojmë dashurinë e Jezusit, dhurimin e Tij për të tjerët, posaçërisht për më nevojtarët”.

Nga ana tjetër, ashtu si u ndodhi apostujve, edhe sot - vijoi Papa - Shpirti Shenjt na mëson e na kujton, në zemrat tona, fjalët e Krishtit. Dishepujt i ndihmoi ta kuptonin gjithnjë më mirë e më thellë Ungjillin, si të dërguar, që ishin, për ta çuar kumtin e madh në mbarë botën e për ta rizgjuar kujtesën mbi mësimet e Jezusit. E kjo ndodh edhe sot e kësaj dite në Kishë, që udhëhiqet nga drita e nga forca e Shpirtit Shenjt, për t’ua çuar të gjithëve dhuratën e shëlbimit, domethënë, dashurinë dhe mëshirën e Zotit:

“Kur ju të lexoni, për gjithë ditë - siç ju kam porositur - një fragment të Ungjillit, lutjuni Shpirtit Shenjt: ‘Ndihmomë t’i kuptoj e t’i kujtoj këto fjalë të Jezusit!’. E pastaj ta lexoni copëzën, ditë për ditë. Por para se të nisni leximin, përsëriteni këtë lutje drejtuar Shpirtit Shenjt, që e kemi në zemër: ‘Më ndihmo, të lutem, të kujtoj e të kuptoj”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.