2016-05-01 16:18:00

Fundjava në Vatikan


Sot 1 maj, festë e punëtorëve në mbarë botën, e Shën Jozefit punëtor në Kishë, familja ndërkombëtare e ushtrisë dhe e policisë kremtoi Jubileun e saj të Mëshirës.

Në orën 10.00, në Elterin e  Dëshmisë të Bazilikës së Vatikanit, sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin, kryesoi Meshën, në kuadrin e këtij takimi jubilar ndërkombëtar.

Nisi që më 29 prill, ku Jubile, organizuar nga Kongregata për Ipeshkvijtë dhe Këshilli Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të ri. Na kujtoi edhe një ngjarje të veçantë, 30-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës Apostolike “Spirituali Militum Curae”.

Kur Mesha po i afrohej përfundimit, akrepët e orës prekën 12-tën. Është ora  e mesditës. Ora kur Papa duket në dritaren e bibliotekës së tij private, i pritur me duartrokitje, që tundin Sheshin e Shën Pjetrit. Sot, të ngjyrosur me ngjyrat e uniformave të shumta të ushtarakëve e punonjësve  të policisë, të sapo dalë në Shesh nga Mesha, për të ndjekur Lutjen e Mbretëreshës  Qiellore.

Të pranishëm, edhe pjesëmarrësit në Ditën XX të fëmijëve, viktima të dhunës, të shfrytëzimit dhe të indiferencës kundër pedofilisë, me temë: “Fëmijë, ngrejuni!”. Dita, e organizuar që në vitin 1995 nga Shoqata Meter Onlus e don Fortunato Di Noto, arriti kulmin pikërisht në këtë kremtim. Kujtojmë se sot nisma përfshiu disa realitete kishtare, në të cilat, përmes ipeshkvijve e famullive, u lartua një lutje e përgatitur për këtë rast.

E sot, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi posaçërisht faqen ungjillore të së dielës, në të cilën Jezusi u premton dishepujve të kohës së Tij dhe të të gjitha kohëve, ardhjen e Shpirtit Shenjt, që të na mësojë e të na kujtojë: është ky, misioni i “Ngushëlluesit” në harkun e kohës ndërmjet ngjitjes së Jezusit tek Ati e kthimit të Tij, e kjo edhe siguria e Kishës që, duke ecur në histori, duhet të vazhdojë të besojë në Krishtin, pa e parë. Për këtë  është e nevojshme të udhëhiqet nga Shpirti Shenjt, “për ta kujtuar”, “për ta kuptuar në fe” e “për ta pranuar” fjalën e Zotit Jezus, që është gjithnjë e gjallë e vepruese.

Ky ishte edhe kulmi i Jubileut të ushtarakëve e punonjësve të policisë, i cili nisi që dje, me pjesëmarrjen në audiencën jubilare të Papës, kremtim, që filloi në orën 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Morën pjesë edhe besimtarët e dioqezës së Trieshtes, të cilët këto ditë shtegtuan për Jubileun e tyre drejt Romës, ku kapërcyen Portat Shenjte jubilare. Me këtë rast, kryeipeshkvi i qytetit, imzot Crepaldi, i dorëzoi Françeskut dokumentet e Sinodit V dioqezan, titulluar “Sinodi i Fesë”, në të cilin morën pjesë ipeshkvi, meshtarë, diakonë, rregulltarë, rregulltare e laikë, pjesëmarrës në një udhë sinodale bashkimi, që zgjati pesë vjet.








All the contents on this site are copyrighted ©.