2016-04-30 16:09:00

Papa falënderon ushtarakët: t’i ndihmosh të tjerët është mesazh paqeje


Sot, në Sheshin e Shën Pjetrit, ishin të pranishëm mijëra ushtarë, rreth 20 mijë, ardhur nga mbarë bota me rastin e Jubileut të Mëshirës. Papa i përshëndeti me gëzim, duke i ftuar t’i sigurojnë njerëzimit paqen e drejtësinë.

Bandat muzikore të forcave të ndryshme të armatosura e të policisë, parakaluan njëra pas tjetrës në Rrugën e Pajtimit duke luajtur himnet përkatëse. Në Sheshin e Shën Pjetrit, burra e gra të trupave të ndryshme  dhanë dëshmi nga veprimtaria e tyre: folën për ndihmën ndaj njerëzve, që kalojnë vështirësi, shpëtimin e emigrantëve në mëshirën e dallgëve të detit, transportimin urgjent të të posalindurve me helikopter në Spitalin Bambin Gesù. Ndihmë për të tjerët, duke vënë shpesh në rrezik jetën e vet. Që përfundon me falënderimin drejtuar Zotit nga ana e atij, që shpëtoi, e atyre që u shpëtuan. Misioni juaj - u tha Papa - është të garantoni një ambient të sigurt, që çdo qytetar të mund të jetojë në paqe  e qetësi:

“Të jeni mjete pajtimi, ndërtues urash e përhapës paqeje. Jeni të thirrur jo vetëm t’i parandaloni, t’i drejtoni e t’u jepni fund konflikteve, por edhe të kontribuoni në ndërtimin e nje rendi, të bazuar mbi vërtetësinë, drejtësinë, dashurinë e lirinë, sipas përkufizimit të paqes nga ana e Shën Gjonit XXIII, në Enciklikën “Pacem in Terris” (nn 18 ss)”.

Sfidat e sotme janë të shumta - kujtoi Papa - por perspektiva e krishterë na siguron se dashuria ngadhënjen përherë mbi urrejtjen, paqja mbi luftën:

“Sigurimi i paqes nuk është gjithnjë sipërmarrje e lehtë, posaçërisht për shkak të luftës, që i than zemrat, e thellon dhunën dhe urrejtjen. Ju inkurajoj të mos e humbisni guximin!”.

Nesër paradite ushtarakët do të marrin pjesë në Meshën përfundimtare të Jubileut të tyre, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në Bazilikën e Vatikanit. E, më pas, do të jenë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, për lutjen e Mbretëreshës Qiellore me Papën. 








All the contents on this site are copyrighted ©.