2016-04-30 18:15:00

Gjeopolitika e Papës Françesku në një libër të Pasquale Ferraras


Është një vëllim, që prek të gjitha pikat kryesore të veprimtarisë ndërkombëtare të Papës Françesku, vepra e re, shkruar nga Pasquale Ferrara, diplomat karriere dhe pedagog i Diplomacisë në Luiss të Romës dhe në institutin universitar “Sophia” të Lopianos. “Bota e Françeskut. Bergoglio dhe politika ndërkombëtare” titullohet vepra, e sapo botuar nga San Paolo, me parathënie të ministrit italian të punëve të jashtme e të bashkëpunimit ndërkombëtar, Paolo Gentiloni. Faktet, shtegtimet, takimet, nismat e këtyre tri vjetëve të papnisë, vënë me forcë në dukje rolin e Françeskut në skenën botërore. Po cilat janë karakteristikat e veçanta  të qëndrimit të Papës ndaj sfidave planetare të kohës sonë? Pyetjen ia drejtuam vetë Ferrarës:

Përgjigje: - Ka disa këndvështrime të ndryshme, në këtë libër. Në rend të parë është çështja e periferive të botës, e vërejtur nga poshtë, jo nga lart, jo nga qendrat e pushtetit. E kjo shpjegon shumë gjëra: shpjegon, për shembull, shtegtimin në Lampeduzë e atë në Lesbo. Çështja e dytë është të vihesh në  plasat e situatës, para syrit kritik të botës bashkëkohore, për të luajtur një rol, mundësisht, në shërbim të pajtimit.

Pyetje: - Është korrekte të pohosh se Papa bën politikë të jashtme? E dimë se Françesku është shumë i vëmendshëm, kur është fjala për marrëdhëniet e  tij me autoritetet, me politikanët…

Përgjigje: - Papa nuk bën politikë, në kuptimin e zakonshëm të kësaj fjale, posaçërisht, politikë të jashtme, sepse kjo e fundit u përket shteteve. Natyrisht, kemi edhe Vatikanin, që është gjithashtu shtet, po kjo nuk ka të bëjë shumë me shikimin e Françeskut mbi botën. Ajo që shikon Françesku, është familja njerëzore universale. Kur kalon nga deklaratat parimore, në veprimtari konkrete, nuk e ka gjithnjë të lehtë e, për shumë aspekte, Papa Françesku bëhet edhe Papë “besdisës”; përmasa e tij është ajo e njeriut që nuk përdor normat e urtisë diplomatike, përkundrazi, përdor atë, që quhet “parresia”, domethënë e thotë me zë të lartë e të qartë çka mendon, pavarësisht se kush do ta dëgjojë a do ta lexojë, shpesh mund ta përdorë fjalën e tij, për qëllimet e veta.

Pyetje: - Një gjë tjetër, që të prek në shikimin e Papës mbi punët e botës, është se natyrisht përdor fjalë, por duke i shoqëruar edhe me gjeste krejt origjinale, që i japin kuptim të ri, asaj që thotë. Për shembull, në Ditën e Lutjes për Sirinë, në takimin me liderin palestinez e atë izraelit në Vatikan, ose në shtegtimin në Afrikën Qendrore e, rasti i fundit, shtegtimi i kthimit nga Lesbo, së bashku me disa familje emigrantësh…

Përgjigje: - Po, sigurisht, lista është shumë e gjatë. Për shembull hapja e Portës Shenjte në Bangui është një gjest me kuptim tejet të thellë politik, gjest me të cilin sikur donte t’i thoshte botës se për ta bërë vepruese Mëshirën, po e komunikojmë pikërisht në zemrën e Kontinentit të martirizuar. Po aq i rëndësishëm edhe fakti se sirianët, që Papa i solli me vete në Vatikan, janë myslimanë. Kjo nënvizon se të krishterët nuk shqetësohen vetëm për të krishterët e tjerë, por e kanë fort për zemër  dinjitetin dhe mbrojtjen e jetës të të gjithë njerëzve, që vuajnë nga konfliktet.

Pyetje: - Duke u rikthyer tek libri juaj, cila ju duket gjëja më e rëndësishme për t’u nënvizuar?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, nuk është libër i shkruar nga një vatikanist. U shkrua nga një vëzhgues i jashtëm i marrëdhënieve ndërkombëtare, që e shikon këtë aktor botëror, Papën Françesku, duke vepruar në një skenë të ndërlikuar, siç është bota bashkëkohore. Prej këndej, mund të them se ideja është të vërë në dukje vijat udhëheqëse, që tashmë janë mjaft të qarta. Sigurisht, siç thashë më parë, është çështja e periferive; diskutimi mbi muret, mure fizike, kulturore e politike; reflektimi mbi luftën e paqen. Papa flet për luftën e tretë botërore vende-vende, një metaforë tjetër kjo, shumë e fuqishme.

Pyetje: - Ju, pastaj, shkruani se ky nuk është libër kremtimor, sepse synon të prekë edhe disa problematika, e edhe disa pasoja të kësaj mënyre të të përballuarit të sfidave të botës…

Përgjigje: - Në fakt e kujtova pak më parë këtë liri të Papës për të thënë pikë për pikë, atë që mendon. Është Papë, që nuk ka frikë t’i pranojë përgjegjegjësitë e veta, e t’i pranojë në mënyrë jo antagoniste, por në mënyrë dialoguese e të mirëmenduar. Fakti që Papa, për shembull, shkoi në SHBA, ku tha fort e qartë se kapitalizmi bashkëkohor, kështu siç është, nuk funksionon, krijoi, natyrisht, shqetësime jo të pakta. Prej këndej, them se Papa mban qëndrime shumë të qarta e shumë të sakta, që jo përherë pranohen nga të gjithë.








All the contents on this site are copyrighted ©.