2016-04-30 06:00:00

Françesku: rrëfyesit të jenë etër, jo inkuizitorë


Papa Françesku e përqendroi katekizmin e audiencës së sotme jubilare në një aspekt të rëndësishëm të mëshirës: pajtimin me Zotin. “Shpesh – tha Ati i Shenjtë Bergoglio – mendojmë se mëkatet e largojnë Zotin prej nesh: në të vërtetë, duke mëkatuar, jemi ne ata, që largohemi prej Tij, por Hyji, duke na parë në rrezik, vjen të na kërkojë edhe më fort”. Zoti, vijoi Papa, nuk e lë kurrë njeriun vetëm, por duhet të shohë ndonjë shenjë pendimi për të keqen e bërë.

Më pas, Papa e shtjelloi më tej mendimin, duke cituar edhe Letrën e dytë të Shën Palit, me të cilën Apostulli i Popujve u kërkonte të krishterëve të parë të Korintit të pajtoheshin me Zotin. Vetëm me forcat tona, theksoi Françesku, nuk arrijmë të pajtohemi me Zotin. Mëkati është shprehje e refuzimit të dashurisë së Hyjit e si pasojë, na bën të mbyllemi në vetvete, duke kujtuar se brenda vetes gjejmë më shumë liri e autonomi. Në të vërtetë, larg Zotit, nga shtegtarë në këtë botë, shndërrohemi në “endacakë” e i kthejmë shpinën Hyjit. “Megjithatë, - shpjegoi më pas Ati i Shenjtë – Jezusi vjen të na kërkojë si bariu i mirë, që nuk është i kënaqur derisa ta gjejë delen e humbur. Ai e rindërton urën, që na bashkon me Atin e na jep mundësinë të rifitojmë dinjitetin e bijve. Me ofertën e jetës, na pajtoi me Atin Qiellor e na dhuroi jetën e amshuar”.

 Jubileu i Mëshirës është rast pajtimi për të gjithë, ka thënë disa herë Papa. Shumë njerëz, nënvizoi dje Françesku, duan të pajtohen me Zotin, por nuk dinë si t’ia bëjnë: ose e ndjejnë veten të padenjë, ose nuk duan t’ia pohojnë këtë as vetvetes. I takon bashkësisë së krishterë, mendon Papa, të favorizojë kthimin e sinqertë për të gjithë ata, që ndjejnë mall për Hyjin. Sidomos meshtarët apo ata, që e kanë për detyrë këtë shërbim, kujtoi Papa fjalët e shën Palit, duhet të jenë mjete të Shpirtit Shenjt, në mënyrë që aty ku shumëzohet mëkati, edhe më e begatshme të jetë mëshira hyjnore (shih Rom 5,20). “Askush të mos rrijë larg Zotit për shkak të pengesave vënë nga njerëzit! – kjo, thirrja e Françeskut. Ky Vit Shenjt të jetë kohë e favorshme që të rizbulohet nevoja për dhembshurinë dhe afërsinë e Atit Qiellor e për kthimin me gjithë zemër tek Ai”.

E nga pajtimi me Zotin, vuri në dukje Ati i Shenjtë, rrjedhin edhe forma të tjera të pajtimit: në familje, në marrëdhëniet personale, në bashkësitë kishtare e, madje, edhe në marrëdhëniet shoqërore e ndërkombëtare. Pajtimi me Hyjin, theksoi Papa, është shërbim për paqen, për njohjen e të drejtave themelore të njeriut, për solidaritetin e për mikpritjen e të gjithëve.

Së fundi, Ati i Shenjtë Bergolgio u bëri thirrje të gjithëve ta lejojnë Zotin që, përmes pajtimit, t’i shndërrojë në krijesa të reja, të afta për ta rrezatuar mëshirën hyjnore ndër vëllezërit e tjerë.








All the contents on this site are copyrighted ©.