2016-04-29 12:40:00

Kard. Vegliò për emigrantët: Evropa, e shurdhër dhe pa politikë të përbashkët


Së paku 25 të rinj egjiptianë janë mbytur në Mesdhe, në udhëtim drejt Evropës, për shkak të përmbysjes së barkës. Lajmi vjen nga forcat e sigurisë së Egjiptit, të cilat nuk kanë saktësuar datën e kësaj tragjedie. Ndërkaq, sot, në kanalin e Siçilisë, Roja bregdetare shpëtoi 599 emigrantë.

         Zgjidhet edhe kriza e kufirit Itali-Austri. Pas takimit ndërmjet ministrave të brendshëm të dy vendeve, u sqarua se Vjena ka ndërmend të shtojë kontrollet në kufi, por nuk do të ndërtojë asnjë lloj muri e nuk dëshiron ta mbyllë kufirin, në të kundërt me ç’u tha në fillim. Pavarësisht nga ky rast, në Evropë shtohen masat e politikat, që përpiqen t’i mbajnë emigrantët e refugjatët jashtë kontinentit. Kryetari i Këshillit Papnor për Emigrantët, kardinali Antonio Maria Vegliò, flet për një Evropë të shurdhër dhe egoiste, në intervistën me Radio Vatikanin:

        Kur lexoj këto lajme, më kap një trishtim i madh, sepse Evropa po humb tiparet e saj. Evropa ka qenë gjithnjë kontinenti i respektit për të drejtat e njeriut, për pakicat fetare, kontinenti i solidaritetit: të gjitha vlera, që tashmë kanë humbur, fatkeqësisht, ose së paku, kjo është ndjesia e përgjithshme. Evropa mbyllet; Ballkani mbyllet; vendet e Mesdheut mbyllen… Po çfarë Evrope është kjo? E pyetja tjetër: A ka pasur ndonjëherë Bashkim Evropian? Unë e kam thënë dhe e kam menduar gjithnjë se vështirë të kemi një Evropë të bashkuar: nga pikpamja ekonomike, po, por nga pikpamja kulturore, politike, vështirë që vende si Anglia, Franca, Italia apo Gjermania, të cilët kanë pasur, secili, një histori të madhe të vetën, të arrijnë të bashkohen e të kenë një mendje të vetme, që të mendojë një politikë të vetme. Janë në kërkim të këtij bashkimi, por fatkeqësisht, kur është fjala për politikë, Evropa mungon e mbizotëron egoizmi i shteteve të veçanta. Kjo ka sjellë rritjen e grupeve të djathta, antieuropeiste. E kjo do të thotë mure… kjo do të thotë se refugjatët i kthejnë mbrapsht në Turqi. Shoh një mendjeshkurtësi dhe egoizëm, aspak të denja për Evropën, por ky është imazhi, që ajo jep për vetveten në këtë çast.








All the contents on this site are copyrighted ©.