2016-04-29 14:55:00

Jubileu. Viti Shenjt i mëshirës: "Ai, unë e tjetri"


Në qendër të vëmendjes së emisionit të 36-të të rubrikës sonë “Jubileu, Viti Shenjt i mëshirës”, lidhja e trefishtë, “Ai, unë e tjetri”.

Nëse në shëmbëlltyrat e Jezusit vërshon i gjithë realiteti, në ato të mëshirës gjejmë marrëdhënie, të cilat formojnë një trekëndësh. Tre kulme: Ai, unë, tjetri”. Në skenë janë dy huamarrës e një huadhënës; një prift, një levit e një samaritan; bariu me njëqind dele, nga të cilat, një e humbur dhe e rigjetur. Një shtëpiake me dhjetë drahma, një nga të cilat, e humbur dhe e rigjetur; një atë me dy bij, njëri nga të cilët, i vdekur e i rikthyer në jetë; një pasanik i paemër, Lazri e Abrahami; një gjykatës i padrejtë, Zoti e vejusha; një farize, një tagrambledhës e Hyji në tempull.

Me që në Ungjijtë ka edhe shëmbëlltyra, të cilat ngulmojnë mbi një element të vetëm, si ajo e farës së senapit, që rritet vetvetiu (Lk 13,18-19), ajo e dy bashkëbiseduesve, ajo e zojës së shtëpisë dhe tharmit të brumit (Lk 13,20-21), trekëndëshi i marrëdhënive në shëmbëlltyrat e Mëshirës bëhet me qëllim. Skema i përshtatet  përmbajtjes: mëshira e Zotit  lidhet gjithnjë me atë ndërmjet njerëzve e nuk vendoset kurrë vetëm, e as vetëm  ndërmjet meje e Zotit. “Të jini të mëshirshëm si (e pse) i mëshirshëm është edhe Ati juaj” (Lk 6,36) është arkitrau i mëshirës në shëmbëlltyra.

Kthim përmbys

Në shëmbëlltyrat e Mëshirës nuk mund të parashikohet asgjë, sepse i bëjnë papritmas shah mat dëgjuesve, duke i zgjidhur në mënyrë krejt të kundërt, në krahasim me atë që pritej.

Kur Jezusi e pyet Simonin se cilin nga huamarrësit do ta dojë më shumë huadhënësin, ai përgjigjet: “Besoj se do ta dojë më shumë ai, të cilit i fali më shumë”. Kështu përligj, fare pa dashur, mëkataren, që po ia lante këmbët Jezusit. Në se pyetjes “kush është i afërmi, që duhet dashur”, Jezusi i përgjigjet me shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë (10,29), në përfundim duhej të ishte doktori i ligjit ai, që bëhet i afërmi i gjithkujt (10,36), duke i përngjarë Samaritanit, i cili pati mëshirë për njeriun në prag të vdekjes. Është në kundërshtim me çdo logjikë të mirë të lësh nëntëdhjetë e nëntë dele në shkretëtirë, për të kërkuar delen e humbur, me rrezikun që të mbetesh bari pa grigjë (15,4-7). Shëmbëlltyra e babait të mëshirshëm të trondit, sepse e përmbys gjendjen e dy bijve. Përballë djalit të madh, që e përbuz të voglin, duke përsëritur shprehjen “ky biri yt” (15,30), ati përgjigjet, duke e përmbysur marrëdhënien ndërmjet  tyre: “Ky vëllai yt…” (15,32). Ngashëryese, përmbysja e  gjendjes së pasanikut e Lazrit të varfër: i pari i gëzoi të mirat sa ishte gjallë, i dyti ngushëllohet për amshim (16,25). Nëse një gjykatës i padrejtë ua vë veshin, pas shumë kohe, kërkesave të vejushës, Zoti i dëgjon menjëherë ato të të zgjedhurve të tij (18,7). Përmbysja, që vërehet për farizeun e publikanin në tempull, është e pakonceptueshme: i pari lutet gjatë, kujton veprat e tij të mira, por nuk shfajsohet; i dyti pranon se është mëkatar e kthehet në shtëpi i shfajsuar (18,14).

Gjithçka vendoset një mbi një, si në piramidat e përmbysura! Shëmbëlltyrat e Mëshirës i habisin dëgjuesit, sepse mënyra si vepron Zoti, që tejduket në to, e përmbys çdo bindje, të detyron ta rishikosh mënyrën tënde të të menduarit e ta llogaritësh mirë atë të Jezusit.








All the contents on this site are copyrighted ©.