2016-04-28 12:28:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: "jepuni për të ngrënë të uriturve" në traditën hebraike


Të dashur dëgjues, këtë periudhë jemi marrë me veprat e mëshirës, si në traditën hebraike, ashtu edhe në atë të krishterë. Sot, do të flasim për njërën prej tyre: “jepuni për të ngrënë të uriturve” e do ta shohim sipas traditës hebraike, pra, sipas Besëlidhjes së Vjetër, ku shpjegohet qartë pse kjo vepër mëshire është e pëlqyeshme për Hyjin.

Tema e ushqimit përshkon gjithë Shkrimin Shenjt, që nga Libri i Zanafillës tek ai i Zbulesës, duke nxjerrë në pah se ushqimi, ky element natyror i domosdoshëm për mbijetesën, ka origjinë hyjnore dhe dhurohet falas nga Zoti për njeriun. Vetëdija për këtë kërkon prej njeriut t’ia njohë Hyjit këtë meritë, pra, është Zoti ai, që e vë në dispozicion të njeriut ushqimin dhe e bën këtë falas, siç këndojnë psalmistët. Që me krijimin: “Hyji tha: ‘Ja, çdo bimë që qet farë mbi tokë dhe të gjitha pemët që kanë në vetvete frytin e pemës që qet farë: le të jenë ushqimi juaj” (Zan 1,29). Më pas, në Besëlidhjen e Vjetër, lexojmë se Zoti e urdhëron Izraelin t’ia ofrojë frytin e parë të çdo prodhimi, në mënyrë që njeriu të mos harrojë origjinën hyjnore të dhuratës që përfaqëson ushqimi, pavarësisht se i prodhuar nga duart njerëzore. Në këtë mënyrë kuptohet edhe përvoja e manës së rënë nga qielli në shkretëtirë: “Popullin tënd e ke ushqyer me shujtë engjëjsh, ia ke dërguar nga qielli bukën e bërë gati, që kishte në vete çdo ëmbëlsirë të aftë të kënaqë secilën shije. Shujta që ti u dhuroje, dëshmonte dashurinë tënde ndaj fëmijëve të tu” (Ur 16,20-21). Por si mundet, një ushqim i vetëm, të kënaqte çdo shije? Midrashi, teksti hebre i interpretimit të Shkrimit Shenjt, përgjigjet kështu: “Përsa i përket manës, janë përdorur tre terma: ajo quhet ‘bukë’, ‘vaj’ dhe ‘mjaltë’. Si mund të përkojnë këto tre terma? Kur e hanin të rinjtë ndjenin shijen e bukës, kur e hanin të moshuarit, kishte shijen e mjaltit e, kur e hanin fëmijët, merrte shijen e vajit” (Shem. R. 25).

Mana është ushqim jo i zakonshëm, i cili çdo ditë i kujton njeriut nga vjen e kush e dërgon atë: “Të mundoi me uri, por pastaj të ushqeu me manë, që s’e njihje ti as etërit e tu. Kishte për qëllim ta vërtetonte se për të jetuar njeriut nuk i del mjaft buka, por i lypet edhe secila fjalë që del prej gojës së Zotit”, shkruhet në Librin e Ligjit të Përtërirë (8,3). Kjo përvojë e ndryshon njeriun rrënjësisht: nga një njeri, që dëshiron vetëm të shuajë urinë, pra, nga një njeri materialist, në një person që e kupton dhuratën falas, bekim prej Hyjit, pra, në një person shpirtëror. Ushqimi merr kështu përmasën shenjte dhe tryeza bëhet vendi, ku çdo ditë, zbulohet Provania Hyjnore. Sipas Talmudit, tekstit të shenjtë të hebrenjve pas Biblës, kush dëshiron t’i gëzojë të mirat e kësaj bote, pra, edhe ushqimin, duhet ta bekojë Zotin, përndryshe nuk tregohet besnik ndaj Tij: “Kush i gëzon të mirat e kësaj bote, pa thënë bekimin, vepron sikur ta vidhte të Shenjtnueshmin, qoftë bekuar emri i Tij, si edhe bashkësinë e Izraelit” (Talmudi babilonez, Berakot 34b). Bekimi përmpledh në vetvete parimin e urtisë biblike dhe të traditës hebraike. Ja përse, para se të ushqehemi me bukë, simbol i çdo të mire, që na jep toka për të mbijetuar, thuhet bekimi: “Bekuar qofsh ti o Zot, Hyji ynë, mbret i Gjithësisë, që e nxjerr bukën nga toka”.

Personi që bën kështu, mban tre qëndrime: së pari, tregon se ai vetë vetëm sa e konsumon ushqimin, i cili nuk i përket; së dyti, e njeh Zotin si pronarin e vërtetë të bukës, pa mohuar se buka është edhe prodhim i duarve të njeriut, por fara vjen prej Hyjit; së treti, dëshmon se njeriu ka nevojë për bukë, prandaj duhet t’i drejtohet gjithnjë Zotit, që t’ia dhurojë atë.

Lind kështu falenderimi, mrekullia, lavdi, sepse të gjitha gjërat janë fryt i hirit dhe i dhurohen njeriut si shenjë dashurie e Zotit. E kjo e nxit njeriun të mos shohë më vetëm vetveten, por edhe tjetrin, duke e ndarë me të ushqimin. Impenjimin për këtë lloj solidariteti e hasim që në Librin e Nehemisë, kur pasi dëgjon dhe kupton leximin nga Torah: “Mbarë populli shkoi të hante, të pinte e t’u çonte pjesë atyre që s’kishin, e të kremtonte, sepse i kishin kuptuar fjalët që ua kishin shtjelluar” (Neh 8,12). Edhe Isaia profet i fton njerëzit t’u japin për të ngrënë të uriturve, sepse kur njeriu e vë në punë mëshirën, ajo e bën atë të ngjashëm me Zotin dhe e bën të dukshme lavdinë e Hyjit: “nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita” (Is 58,10).

Natyrisht, edhe në Ungjill, me ardhjen e Krishtit, vijohet kjo traditë, të cilën e vazhduan edhe Etërit e Kishës e Kisha, por për këtë, do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.