2016-04-28 13:56:00

Papa: edhe sot në Kishë ka rezistencë ndaj Shpirtit, por Ai fiton


Edhe sot në Kishë, si dje, ka rezistencë ndaj të papriturave të Shpirtit Shenjt përballë situatave të reja, mirëpo Ai na ndihmon t’i kapërcejmë e të shkojmë përpara, të sigurt, në rrugën e Jezusit: kështu tha, mes tjerash, Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar sot në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.

Duke komentuar fragmentin e njohur nga Veprat e Apostujve (Vp 15,7-21) mbi të ashtuquajturin “Koncil” të Jerusalemit, Papa vërejti se “protagonisti i Kishës” është Shpirti Shenjt. “Është Ai i cili që nga momenti i parë u ka dhënë forcë apostujve për të shpallur Ungjillin”, është “Shpirti që bën gjithçka, është Shpirti që e çon Kishën përpara”, edhe atëherë ku ka “problemet e veta”, edhe atëherë “kur shpërthen persekutimi” ndaj saj, është Ai “që u jep forcën besimtarëve për të qëndruar në fe”, edhe në çastet e “kundërshtimit, të tërbimit e të këmbënguljes së doktorëve të ligjit”. Në këtë rast, siç duket në Leximin e parë të Meshës, nga Veprat e Apostujve, kemi një rezistencë të dyfishtë ndaj veprës së Shpirtit Shenjt: ajo e atyre, që besonin se “Jezusi kishte ardhur vetëm për popullin e zgjedhur” dhe, ajo e atyre, që dëshironin të impononin ligjin e Moisiut, duke përfshirë rrethprerjen për paganët e konvertuar. Papa Françesku vëren se asokohe “qe një konfuzion i madh në tërë këto çështje”:

“Shpirti i orientonte zemrat drejt një rruge të re: ishin të papriturat e Shpirtit Shenjt. E apostujt u gjenden në situata që kurrë s'i kishin menduar e besuar, në situata të reja. E si të orientoheshin e si t'i zgjidhnin këto situata të reja? Për këtë fragmenti i sotëm i Veprave të Apostujve, që shpallet në Meshë, fillon kështu: ‘Në ato ditë, pas një rragatjeje të gjatë, pas një diskutimi të madh’, pas një diskutimi të zjarrtë, sepse diskutonin mbi këtë argument... Ata, nga njëra anë, kishin forcën e Shpirtit – protagonistit – që i nxiste të shkonin përpara, përpara, përpara...Mirëpo Shpirti i çonte në disa risi, në disa gjëra që nuk ishin bërë kurrë. Kurrë! As që e kishin imagjinuar, që paganët të merrnin Shpirtin Shenjt, për shembull”.

Dishepujt “ e kishin çështjen delikate e të vështirë në duar e nuk dinin ç'të bënin”. Kështu, thirrën njerëzit për një mbledhje në Jerusalem, në të cilën çdonjëri mund të tregonte eksperiencën personale, se si Shpirtit Shenjt zbret edhe mbi paganët:

“E në mbarim ranë dakord. Por më parë ndodhi një gjë të bukur: ‘E tërë asambleja heshtëte e rrinte duke dëgjuar Barnabën e Palin, të cilët tregonin sa shenja të mëdha e mrekulli kishte bërë Hyji me anën e tyre ndër paganët’. Të dëgjosh, të mos kesh frikë të dëgjosh. Kur njeriu ka frikë të dëgjojë, nuk e ka Shpirtin në zemër të vet. Të dëgjosh: ‘Ti çka mendon e pse?’. Të dëgjosh me përvujtëri. E pasi dëgjuan, vendosën të shkojnë pranë komuniteteve greke, do të thotë pranë të krishterëve që kanë ardhur nga paganizmi, dërguan disa dishepuj për t’i qetësuar e për t’u thënë: ‘Është mirë kështu, ecni përpara’”.

Paganët e konvertuar nuk janë të detyruar t’i nënshtrohen rrethprerjes. Është një vendim ky, që u komunikua përmes një letre, në të cilën “protagonist është Shpirti Shenjt”. E vërtet, dishepujt pohonin: “Shpirti Shenjt dhe ne kemi vendosur....”. Kjo – pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit – është udha e Kishës “para risive, jo para risive të kësaj bote, siç është moda e veshjeve (petkave)” , por “risive, të papriturave të Shpirtit, sepse vetëm Shpirti Shenjt na befason përherë. E si e zgjidh këtë Kisha? Si i përballon këto probleme, çfarë bën për t’i zgjidhur? Me mbledhje, me takime, me dëgjim, me diskutim, me lutje dhe me vendimin përfundimtar”:

“Kjo është udha e Kishës deri më sot. E kur Shpirti na befason me diçka, që duket e re apo që ‘nuk është bërë kurrë kështu’, ‘duhet të bëjmë pikërisht kështu’ siç sugjeron Shpirti, mendojeni për shembull Koncilin II të Vatikanit, vështirësitë që ka pasur Koncili II i Vatikanit, ...e them këtë sepse është ngjarja më afër nesh në kohë. Sa kundërshti, sa rezistencë ka pasur: ... Edhe sot rezistencat vazhdojnë në një formë apo në një tjetër, e Shpirti ecën përpara. E udha e Kishës është pikërisht kjo: të mblidhet, të mblidhet së bashku, të dëgjojë, të diskutojë, të lutet e të vendosë. E ky është edhe i ashtuquajturi sinodalitet i Kishës, që shpreh bashkimin e njësimin e Kishës. E Kush e bën bashkimin? Është Shpirti Shenjt! Edhe një herë, Ai është protagonist. Ç'na kërkon Zoti? Ta dëgjojmë Shpirtin me përvuajtëri. Ç'na kërkon Zoti? Të mos kemi frikë, kur shohim se Shpirti na thërret”.








All the contents on this site are copyrighted ©.