2016-04-26 12:16:00

30 vjet pas Çernobilit: falenderimi i Papës për ekipet e ndihmës


30 vjet më parë, katastrofa bërthamore në Çernobil. Ishte 26 prilli i vitit 1986, kur njëri nga reaktorët e centralit shpërtheu, duke përhapur në atmosferë, në gjithë Evropën, një re me elementë bërthamorë toksikë. Papa Françesku e kujtoi këtë përvjetor gjatë audiencës së fundit të përgjithshme, duke u lutur për viktimat e duke u shprehur mirënjohje ekipeve të ndihmës, që u përpoqën të lehtësojnë vuajtjet dhe dëmet. Në Shqipëri – atëherë akoma nën komunizëm – iu dhanë popullsisë siguri se qumështi dhe perimet mund të haheshin, duke e fshehur pjesërisht, me urdhër të Partisë, ndotjen e tyre me lëndë radioaktive. Çfarë i mësoi njerëzimit tragjedia e Çernobilit? Pyetëm zv.drejtorin e revistës katolike italiane “Familja e krishterë”, Fulvio Scaglione:

         Na mësoi se tema e energjisë duhet parë me shumë kujdes, me shumë vëmendje. Në temën e mbizotërimit të njeriut mbi burimet energjitike – si ato natyrore, ashtu edhe ato artificiale, siç është energjia atomike, në fund të fundit – hyn e gjithë historia e këtyre dhjetëvjeçarëve, edhe ajo e luftrave të fundit. E sa i përket fushës bërthamore, kemi pasur edhe tragjedinë e Fukushimës, në Japoni, e cila dëshmon se rreziku nuk është zhdukur e se nuk janë marrë as masat e duhura pas Çernobilit.

         Çernobili, tashmë, është zonë e pabanuar. 30 vjet më vonë, a ekziston akoma drama e të ndoturve me lëndë radioaktive?

         Unë kam qenë dy herë në Çernobil e, zona përreth reaktorit, me një rreze prej 130 km, është e mbyllur. E megjithatë, ekziston e ashtuquajtura “dramë e kthimit”, sepse, sidomos të moshuarit, filluan të kthehen në shtëpitë e tyre, pavarësisht nga rreziku. Ajo zonë është leksion në qiell të hapur: duhet parë, sepse nga pikpamja natyrore, duke mos qenë aty më njeriu, është bërë e mrekullueshme. Ka një natyrë plot jetë e gjallëri. Por, për njeriun është zonë e vdekur.  Problemi i rrezatimit dhe i ndotjes ka qenë shumë i madh, por meqë ndodhi në epokën sovjetike, u morën masa të menjëhershme dhe u zgjidh, në pjesën më të madhe. Natyrisht, bilancin e vërtetë të Çernobilit nuk do ta marrim vesh kurrë. Por, dimë që ka qenë i tmerrshëm.

         Pas Çernobilit, por sidomos pas Fukushimës, në botë u ndez edhe më shumë debati për energjinë bërthamore, ndërsa bëhet pak për ato të rinovueshmet. Përdorim akoma lëndë djegëse fosile...

         Kam frikë se të gjitha përpjekjet shkojnë në drejtimin e rritjes së shfrytëzimit të lëndëve djegëse fosile. Sot, jemi në një situatë, në të cilën nafta kushton më pak se uji që pijmë, prandaj, nuk mund të parashikojmë asgjë tjetër, veçse rritjen e përdorimit të këtyre lëndëve.

         A ekziston, sipas jush, energjia bërthamore e sigurtë?

         Për të qenë të ndershëm, centralet bërthamore në botë janë të shumta, funksionojnë dhe aksidentet dramatike janë vërtet të pakta. Problemi i energjisë bërthamore është se aksidenti atomik është gjithnjë me përmasa tepër vdekjeprurëse, prandaj përgjigjja ndaj pyetjes suaj do të ishte: energjia bërthamore është e sigurtë, kur nuk ndodh asgjë e keqe…








All the contents on this site are copyrighted ©.