2016-04-25 13:29:00

Françesku në Fshatin për tokën: kthejini shkretëtirat në pyje


Vizitë e papritur e Papës, dje pasdite, në “Fshatin për Tokën”, manifestimi në hipodromin e Vilës Borghese në Romë, organizuar nga “Earth Day Italia” dhe nga Lëvizja kishtare e Fokolarëve. Ju falenderoj, u tha Ati i Shenjtë mijëra të pranishmëve, sepse e shndërroni shkretëtirën në pyll.

Fshat i veçantë, ndërtuar enkas për katër ditë, në zemër të Romës, për të treguar fytyrën e fshehtë të Qytetit të Amshuar, atë, që çdo ditë, end pa zhurmë rrjeta solidariteti, dialogu ndërfetar, bashkëjetese, me nisma që nuk tërheqin vëmendjen e shtypit, por janë tulla të vogla në ndërtesën e qytetërimit njerëzor. Papa shkoi këtu, në mes të gjelbërimit, pak para orës 17.00, i pritur me dashuri nga mëse 3.500 vetë e nga notat e “Gen Verde”, bandës muzikore të fokolarinëve, të cilët, me rastin e Ditës Botërore të Tokës, organizuan “Mariapoli”-n e tyre në pika të ndryshme të Romës, në përkim edhe me Jubileun e të Rinjve.  

“Jeni njerëz, që e kthejnë shkretëtirën në pyll”, u tha Papa, duke i falenderuar për impenjimin në shoqëri, që nga afërsia me të burgosurit, deri në luftën kundër lojrave të fatit, që u zbrazin xhepat familjeve. Presidenti i “Earth Day Italia”, Pierluigi Sassi, foli për edukimin ambiental, dialogun ndërfetar, të miturit e pashoqëruar, si edhe për Projektin evropian Erasmus për studentët.

“Një herë – kujtoi Papa – dikush më tha se fjala ‘konflikt’ në gjuhën kineze përbëhet nga dy shenja: ‘rrezik’ dhe ‘mundësi’”. Duhet rrezikuar e duhet të afrohemi për ta njohur nga afër realitetin, theksoi Françesku, i cili nguli këmbë në rëndësinë e dhuratës pa interes. Duket sikur në këtë botë, nëse nuk paguan, nuk mund të jetosh. Në qendër të botës, nënvizoi, është zoti i parasë: “kush nuk mund të afrohet për ta adhuruar, përfundon në uri, në sëmundje, në shfrytëzim”. Papa vuri pastaj në dukje rëndësinë e faljes: fyerja, mëria, na largojnë. Duhet të jemi konstruktivë gjithnjë, me vetëdijen së të gjithë kemi gjëra, për të cilat duhet të kërkojmë falje. Të punojmë së bashku, theksoi Ati i Shenjtë, ta respektojmë njëri-tjetrin e kështu, dalëngadalë do të ndodhë mrekullia: shkretëtira do të kthehet në pyll.








All the contents on this site are copyrighted ©.