2016-04-25 14:48:00

Ati i Shenjtë të burgosurve: mbajeni të ndezur dritën e shpresës


“Zoti ju do gjithnjë, nuk kanë rëndësi gabimet, që keni bërë”. Kështu u shkruan Papa të burgosurve në burgun e Velletri-t. Më 5 marsin e kaluar, ipeshkvi i Albanos, imzot Marcello Semeraro, e pati vizituar burgun e Velletri-t e, me këtë rast, të burgosurit i patën besuar letrën  për Papën, të bindur se do të merrnin edhe përgjigje. E përgjigjja erdhi. Nuk duhet të mbeteni të mbyllur në të kaluarën tuaj, u shkruan Papa, masa e vërtetë e kohës nuk është ajo e orës, masa e vërtetë quhet shpresë.

“Ju falënderoj që menduat për mua, në mes të vështirësive të situatave të jetës suaj të sotme”. Nis kështu, në një mënyrë që ti nuk e pret, letra e Françeskut drejtuar të burgosurve të burgut të Velletri-t. Është Papa, ai që falënderon e, menjëherë pas, nënvizon se mendon shumë shpesh për njerëzit, që jetojnë të mbyllur në burgje. Për këtë arsye - shton - gjatë vizitave të mia baritore, përpiqem, sa herë është e mundur, të shkoj e t’i takoj njerëzit, që jetojnë në kushte lirie të kufizuar, për t’u çuar dashuri e afërsi. E edhe për këtë desha që, në Vitin Shenjt të Mëshirës, të kremtohej edhe një Jubile i të burgosurve.

Masa e vërtetë e kohës quhet shpresë

Shumë të dashur - shkruan Papa - ju jetoni një përvojë, në të cilën koha duket sikur është ndalur, duket sikur nuk do të kalojë kurrë. Po masa e vërtetë e kohës nuk është ajo e sahatit, masa e vërtetë - nënvizon Françesku - quhet shpresë! E unë dëshiroj  që secili nga ju ta mbajë të ndezur dritën e shpresës së fesë, për të ndriçuar me të jetën tuaj. Prej këndej, ftesa për t’iu lutur Zotit, që t’ua mbushë kohën me shpresën e vërtetë.

Zoti na do, pavarësisht nga gabimet, që kemi bërë

Të jeni të sigurt gjithnjë - i inkurajon Papa - se Zoti ju do personalisht. Për të nuk ka pikë rëndësie mosha juaj, kultura, kush keni qenë, ç’keni bërë,  rrugët që keni shkelur, gabimet që keni bërë, njerëzit që keni plagosur”. Prandaj, mos e mbyllni veten në të kaluarën tuaj, madje shndërrojeni në udhë rritjeje, feje, dashurie. Jepini Zotit mundësinë t’ju bëjë të shkëlqeni përmes kësaj përvoje.

Me Krishtin gjithçka është e mundur, Ai mund ta përmbysë gjendjen tonë

Në historinë e Kishës - kujton Papa - shumë shenjtorë arritën në shenjtëri  përmes përvojave të rënda e të vështira. Prandaj - përfundon letra – hapjani portat e zemrave tuaja Krishtit, e do të jetë vetë Zoti, që do ta kthejë përmbys  gjendjen tuaj. Me Krishtin, gjithçka është e mundur!








All the contents on this site are copyrighted ©.