2016-04-24 14:01:00

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore: të lirohen njerëzit e rrëmbyer në Siri e në botë


Në përfundim të kremtimit në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa u drejtoi përshëndetjen e tij shtegtarëve, para lutjes së Mbretëreshës Qiellore. Françesku kujtoi posaçërisht laikët dhe rregulltarët e rrëmbyer në Siri. Papa bëri thirrje për lirimin e tyre.

Dëshmi gazmore, e potershme! Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore,  Françesku e quajti kështu Jubileun e adoleshentëve, duke i falënderuar të rinjtë e mbarë botës, që jetuan, në Romë, çaste feje e kënaqësie të përbashkët.

Të lirohen të rrëmbyerit në Siri, Zoti i prektë zemrat e rrëmbyesve

Papa kujtoi edhe një herë të gjithë ata, që vuajnë në Siri nga lufta e dhuna:

“Vijoj të shqetësohem fort për vëllezërit ipeshkvij, priftërinj e rregulltarë, katolikë e ortodoksë, të sekuestruar shumë kohë më parë në Siri. Zoti i mëshirëshëm ua prektë zemrat rrëmbyesve e ua dhëntë sa më parë këtyre vëllezërve tanë lirinë, që të mund të rikthehen në bashkësitë e tyre. Për këtë ju ftoj të gjithëve të luteni, pa harruar edhe njerëzit e tjerë të rrëmbyer nëpër botë”.

Martirët e luftës civile spanjolle, dëshmitarë të guximshëm

Papa kujtoi edhe lumnimin, në Burgos, të pesë martirëve të vrarë për fenë gjatë luftës civile spanjolle. “Ta lavdërojmë Zotin - pohoi - për këta dëshmitarë të guximshëm e t’i lutemi ta shpëtojë botën nga dhuna, me ndërmjetësimin e tyre".

E, pas Mbretëreshës Qiellore, edhe një nxitje drejtuar të rinjve, ardhur në Romë për Jubileun:

“Të dashur të rinj, e kremtuat Jubileun: tani kthehuni në shtëpi me gëzimin e identitetit tuaj të krishterë. Në këmbë, me kokë lart e me kartën tuaj të identitetit në duart e në zemrën tuaj! Zoti ju shoqëroftë. E, ju kujtoj, lutuni për mua. Faleminderit!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.