2016-04-23 16:41:00

Jubileu i adoleshentëve: Françesku rrëfen në Sheshin e Shën Pjetrit


Atmosferë festive nëpër rrugët e Romës e, posaçërisht, në Udhën e Pajtimit, për Jubileun e adoleshentëve. Sot paradite, nga ora 11.30 deri në 12.45, Françesku rrëfeu 16 të rinj në Sheshin e Shën Pjetrit, që u bë rrëfyestore e madhe nën qiellin e hapur plot diell të pranverës. Sonte, festa në Stadiumin Olimpik, me videomesazhin e Papës. Nesër, Mesha në Sheshin e Shën Pjetrit, kryesuar nga Ati i Shenjtë: “Të dashur të rinj e të reja - lexojmë sot në tweet-in e Françeskut - emrat tuaj janë të shkruar në qiell, në zemrën e mëshirshme të Atit. Të jeni guximtarë, gjithnjë kundër rrymës”.

Në festën e Shën Gjergjit, dita e emrit të tij, Papa bën dhurata, në vend që të marrë. Dhuratë është ky rrëfim në Sheshin e Shën Pjetrit, për më se një orë. 16 të rinj e të reja patën fatin të rrëfehen me Papën, pasi kishin bërë me kilometra rrugë për të arritur deri këtu, për Jubileun, që u kushtohet. Nga ora 9.30 e paradites së sotme, rreth 150 meshtarë po ndërrohen orë pas ore, deri në mbrëmje, për t’u krijuar të gjithëve mundësinë ta marrin Sakramentin e Pajtimit me Zotin. Në përkim të plotë me temën e këtij Jubileu, kjo turmë të rinjsh, që pret para këtyre rrëfyestoreve të jashtëzakonshme: “Të rriteni të mëshirshëm, si Ati!”.

Sonte, festa në Stadiumin Olimpik, nesër, Mesha në Shën Pjetër

Përveç çastit të rrëfimeve, të rinjtë jetuan sot paradite emocionin e shtegtimit drejt Portës Shenjte, pasi përshkuan Udhën e Pajtimit, duke u nisur nga Kështjella e Shën Engjëllit. Sonte i pret Stadiumi Olimpik për një festë të madhe, të paharrueshme, me dëshmi e këngë. Papa do t’u drejtohet të rinjve të pranishëm me një videomesazh. Nesër paradite, në orën 10.30, ngjarja jubilare do të arrijë kulmin me Meshën e kryesuar nga Papa, në Sheshin e Shën Pjetrit. Dita do të vijojë me vizitën në “Çadrat e mëshirës”, vendosur në shtatë sheshe të qendrës historike të Romës. Këtu, deri të hënën, romakë e turistë do të mund të gjejnë dëshmi të veprave të mëshirës shpirtërore e trupore.

Të rinjtë mikpriten nga famullitë romake

Dioqeza e Romës u angazhua posaçërisht në shërbim të mikpritjes: shumica e të rinjve, në qytet këto ditë, janë miq të famullive romake. Më se 200 bashkësi, duke iu përgjigjur ftesës së Shërbimit Baritor Rinor  të dioqezës së Romës dhe Qendrës së Oratoreve romake, vunë në dispozicion mjediset e tyre, me stilin e Ditëve Botërore të Rinisë. Kjo e Romës, duke kujtuar fjalët e Shën Injacit të Lojolës, dëshmon se është Kishë, që u prin të gjitha të tjerave në bamirësi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.