2016-04-23 20:00:00

400 vjet më parë vdisnin Shakespeare e Cervantes, zbulues të shpirtit të njeriut


Katërqind vjet më parë vdisnin William Shakespeare e Miguel de Cervantes. Kremtimet përkojnë me Ditën e sotme Botërore të Librit dhe të së drejtës së autorit, nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Hamleti, Otello, Mbreti Lir… Marrin formë të re personazhet më të famshme, lindur nga gjenia e William Shakespeare. 400 vjet pasi ndërroi jetë, gjë që mendohet të ketë ndodhur më 1616, në qytetin e tij të lindjes, Stratford-upon-Avon, në Britaninë e Madhe, më 23 prill, që pandehet se është edhe datë e lindjes, shumëfishohen kremtimet: nga metropolitana e Londrës, që u ngjiti  stacioneve të saj emrat e personazheve të kënduara nga “Bardi”, tek shfaqjet në brigjet e Tamizit e deri shumë përtej La Manshit, deri në Vatikan, ku për herë të parë në histori u shfaq një nga tragjeditë e shekspiriane, Hamleti, i luajtur pak ditë më parë në Pallatin e Kancelarisë, nga shoqëria Globe Theatre. Vepër, kjo, me vlerë universale, e  dramaturgut dhe poetit britanik, aq sa, mund të pohojmë se e gjithë jeta e njeriut përmblidhet në monologun e famshëm “Të rrosh a të mos rrosh…”. Me ne, Piero Boitani, pedagog i letërsisë së krahasuar, në Universitetin “La Sapienza” të Romës dhe autor i librit “Ungjilli sipas Shekspirit”:

Përgjigje: - Aftësia e jashtëzakonshme për ta kuptuar me fund jetën njerëzore, i jep veprës së tij vlerë universale. E kjo domethënë se William Shakespeare preku të gjithë telat e shpirtit të burrit e të gruas, njohu të gjitha virtytet e veset, të gjitha cilësitë pozitive e prirjet negative. Kemi në dorë tragjeditë, komeditë e edhe dramat romanceske të fundjetës së tij, në të cilat  autori hyn në thelb të shpirtit njerëzor, edhe në aspektin më të lartë, në atë hyjnor.

Pyetje: - Si është e mundur që ai mbetet përherë bashkëkohor e i shoqëron njerëzit brezni pas breznie, gjithnjë i freskët, sikur të ishte duke shkruar e duke luajtur në skenën e jetëve tona?

Përgjigje: -  Pikërisht për arsye të këtij kuptimi të jashtëzakonshëm të  gjithçkaje njerëzore. “Ne jemi akoma krijesat e tij” - thoshte Harold Bloom: domethënë jemi akoma personazhet, që krijoi ai; mjafton të mendosh për Hamletin, për Otellon, ose për  Jagon, mishërim i së keqes; ne jemi bërë ashtu,  në atë mënyrë, e ai e kuptoi dhe e shndërroi këtë në art të madh, të pavdekshëm, katër shekuj më parë.

Pyetje: - A mund të flitet për një vizion teologjik të artit shekspirian?

Përgjigje: - Kur flitet për njeriun e vihet në skenë, dalin në skenë të gjitha përmasat e tij e, prej këndej, edhe ajo teologjike. Shakespeare nuk ishte teolog, në kuptimin se nuk ishte si Dante, që e mësoi teologjinë formale në shkolla, frekuentoi e studioi teologët. Shakespeare jo! Por në dramat e fundit, për shembull, duket qartë se i drejtohet diçkaje shumë të lartë, e prej këndej, teologjinë duhet ta gërmojmë ne, duke i parë ose duke i lexuar veprat e  tij. Por vizioni teologjik është, pavarësisht nga aftësia jonë për ta kuptuar.

Pyetje: - Ndoshta nuk është e rastit që Pali VI, në vitin 1964, duke ia kremtuar 400-vjetorin e lindjes, pati folur për humanizmin e thellë të Shakespeare...

Përgjigje: - Pikërisht, Pali VI, i cili për Danten shkroi një tekst tejet të bukur, i njihte mirë shkrimtarët e mëdhenj dhe ishte në gjendje ta dallonte ndryshimin ndërmjet dy gjenive. Por dramat e fundit të Shakespeare - “Tregim dimri”, “Perikliu”, “Stuhia”, “Simbelini” - janë pjesë teatrale po aq të thella, sa veprat e Dantes dhe përfaqësojnë botën e re, atë që vjen pas Rilindjes.

Pyetje: - Pali VI pati thënë se intrigat në veprat e tij teatrale i kujtojnë njeriut modern se Zoti ekziston, se ka një jetë tjetër, pas kësaj, që e jetojmë mbi tokë. Pse?

Përgjigje: - Në fillim Shakespeare është majft humanist, krejtësisht humanist, do të thosha. Por, sigurisht, me Hamletin nis të shikojë përtej: Hamleti është dramë e pjekurisë së tij artistike, e fillimit të viteve ‘600 e, në fund të saj, nis të duket një rreze drite. Në pjesën e dytë duket se Hamleti ndryshon e nuk mendon më për atë përmasë të vdekjes që, siç thoshte ai vetë, është “vendi i pazbuluar, nga s’na kthehet kurrë udhëtari” . Ndërsa në pjesën e dytë, kemi një citim të marrë nga Ungjilli i Shën Mateut: thuhet se ka një provani të veçantë deri për harabelin, që bie nga foleja. E këtu është e qartë se nis të shikojë më lart. Ndonëse nuk arrin akoma ta shikojë qartë dritën, nis ta dallojë nga larg. Ndërsa në dramat e fundit, kam menduar gjithnjë  se në to ndjehet – në se mund të shprehemi kështu - jehona e Lajmit të Mirë.

Pyetje: - Prandaj keni shkruar se veprat e Shakespeare mund të konsiderohen Ungjilli i tij?

Përgjigje: -  Këto të fundit, po, Ungjilli i tij personal, sepse Shakespeare nuk bën pjesë në asnjë fe: sigurisht është i krishterë, e për këtë nuk ka asnjë dyshim. Çka nuk dimë, është nëse ishte anglikan apo katolik. Gjithsesi, ai krijon fenë e vet - një besojmë të vetën - që është, edhe kjo, pa asnjë dyshim, ungjillore dhe e krishterë e, përmes saj, na jep edhe mesazhin e vet, tejet të rëndësishëm. Fakti që bota shpëtohet nga gratë, bijat e bashkëshoretet, më duket një mesazh jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Pyetje: - Këto ditë përkujtohet edhe përvjetori i vdekjes së spanjollit Miguel de Cervantes, që ndërroi jetë më 22 prill 1616. Edhe Papa Françesku, në një intervistë dhënë revistës “Civiltà Cattolica” e kujtoi pak kohë më parë. A vëreni ndonjë aspekt, që i lidh dy gjenitë: Shakespeare e Miguel de Cervantes..

Përgjigje: - Është një dramë e humbur, që titullohej “Cardenio” – e cila, me sa duket, u shkrua nga Shakespeare së bashku me John Fletcher e u ndikua pikërisht nga historia e Don Kishotit. Po kjo nuk dihet me siguri. Gjithsesi edhe Miguel de Cervantes është zhbirilues i jashtëzakonshëm i shpirtit njerëzor: ndoshta  i skutave njerëzore, më shumë se atyre hyjnore,  më shakaxhi e më ironik se Shakespeare. Pastaj Cervantes nuk është vetëm autor i Don Kishotit, por edhe i një romani, që e shkroi në moshë të shtyrë. Titullohet “Peripecitë e Persilit e të Sigismondës”, histori romanceske. Nis në skajin verior të Evropës e përfundon në Romë: histori, që përfundon mirë, me Provaninë, që vepron!








All the contents on this site are copyrighted ©.