2016-04-22 18:06:00

Selia e Shenjtë në OKB: droga nuk luftohet duke e liberalizuar


Familja luan rol themelor në luftën kundër drogës, që nuk mund të luftohet duke e liberalizuar përdorimin e saj. Këtë pohoi imzot Bernardito Auza, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, në sesionin e posaçëm të Asamblesë së përgjithshme, mbledhur këto ditë në New York  për të përcaktuar drejtimim e përgjithshëm dhe përparësitë politike botërore për drogat në dhjetëvjeçarët e ardhshëm.

Legalizimi i drogave nuk është rrugëzgjidhje

Duke folur nga tribuna e OKB-së, imzot Auza theksoi se Selia e Shenjtë është në kundërshtim të plotë me legalizimin si dhe me përdorimin e drogave, përhapja e të cilave – nënvizoi duke cituar Papën Françesku -  mund të kundërshtohet vetëm duke përballuar problemet, që e shkaktojnë. Pa zhdukur shkaqet, vështirë të zhduken pasojat!

Parandalimi nis që në familje

“Selia e Shenjtë - vijoi vëzhguesi i Vatikanit - nuk do të pushojë kurrë s’e theksuari rëndësinë që ka familja në strategjitë e parandalimit të drogës, si dhe të mjekimit, rehabilitimit dhe rikthimit të të droguarve në radhët shoqërisë. Fëmijët, që rriten në familje, të cilat kujdesen për ta, zakonisht e marrin edukatën e duhur për t’i thënë ‘jo’drogave ilegale.

Të rehabilitohen të droguarit, jo të dënohen

Por edhe në familjet e bashkuara, disa anëtarë, për fat të keq, mund edhe të bëhen viktima të shpërdorimit të drogës. Edhe këta njerëz, shtoi imzot Auza,  kanë nevojë për ndihmë e kujdes nga ana e familjeve të tyre e edhe e bashkësisë, duke përfshirë këtu edhe ndihmën e nevojshme shëndetësore  e shoqërore të frytshme e të mundshme. Në këtë kuptim - kujtoi – ka rëndësi të mos vihen në të njëjtin plan konsumatorët, trafikantët e ata, që e shesin drogën nën dorë. “Jo të gjitha krimet, që lidhen me drogën ilegale janë njëlloj të rënda, e një përgjigje e shpërpjestuar nuk do të krijonte aspak mundësi për t’i ndihmuar të droguarit.

Më shumë bashkëpunim ndërkombëtar kundër drogës

Problemi i drogës dhe i të këqijave, që lidhen me të, prek mbarë botën. Prej këndej - përfundoi imzot Auza - duhet bashkëpunim ndërkombëtar për ndjekjen e një strategjie të integruar dhe të ekulibruar, për t’iu kundërvënë me sukses kësaj plage e për ta shëruar!








All the contents on this site are copyrighted ©.