2016-04-22 15:32:00

Në Vatikan, Hamleti i Shekspirit. Imzot Tighe: pasuri e të gjithëve


Për herë të parë në histori, më 14 prillin e kaluar (2016) në Vatikan u shfaq një tragjedi e Shekspirit: Hamleti. Rasti - 400 vjetori i vdekjes së dramaturgut të Strasford on Avon, që kremtohet nesër, më 23 prill. Shfaqja, e përgatitur nga Shoqëria Globe Theatre e Londrës, u shfaq në skenën e Pallatit të Kancelarisë, me nismën e Ambasadës britanike pranë Selisë së Shenjtë dhe të Këshillit Papnor të Kulturës.

Pas tri orësh, publiku në Sallën e Nderit të Pallatit të Kancelarisë, shpërtheu në duatrokitje të stuhishme në kulmin e entuziazmit, për të falënderuar aktorët, që sollën në Vatikan Hamletin, tragjedinë ndoshta më të famshme të letërsisë e të teatrit në botë. Princi i Danimarkës ishte një aktor zezak nga Nigeria; Mbreti Klaud, me tipare neozelandeze të një Maori; Oraci, me fytyrën e një aktoreje lindur në Hong Kong. Ishin këta, disa nga aktorët e mrekullueshëm, që prej dy vitesh bredhin nëpër botë, në një turne të “Globe to Globe”,  që mban emrin e atij teatri të lavdishëm, ku u krijuan e u luajtën për herë të parë veprat dramatike të papërsëritshme të Shekspirit: dramaturg, tragjedian, komediograf, poet i madh, autor sonetash e veprash të tjera, që gjithsesi nuk dihet ende kush ishte, nga erdhi e ku shkoi. Figura e tij tashmë është veshur me legjenda, ashtu si veprat që shkroi e që vijojnë të luhen në teatrot më të famshme të botës. Sepse jo gjithkund e gjithkush mund t’i vërë në skenë. Këto ditë Hamleti është në shtegtim. Po viziton vendet, që as në mendje nuk do t’i kishte shkuar se do të mund t’i vizitonte ndonjë herë: një kamp refugjatësh sirianë në Jordani; Kievin, në vigjilje të zgjedhjeve ukrainase; amfiteatrot romake; teatrot më me nam të botës. Rreth 200 shfaqje të tragjedisë, me monologun më të famshëm të historisë së letërsisë e të teatrit, duke çuar kudo jehonën e temave universale të një autori, veprat e të cilit – siç pati thënë Pali VI - janë përkujtesë me vlerë për njeriun modern: “i kujtojnë se Zoti ekziston”. Kjo nismë u komentua kështu, nga ipeshkvi Paul Tighe,  sekretar i dytë i Këshillit Papnor për Kulturën:

Përgjigje: - Ishte një mënyrë për të ripohuar se Shekspiri është artist themelor për mbarë njerëzimin: artist, që arriti të krijojë botën e vet e që ka akoma aftësi t’i prekë zemrat dhe mendjet e njerëzve, në të katër anët e globit. Është një nga artistët më të mëdhenj të historisë së njeriut.

Pyetje: - Interesant fakti që Vatikani i ftoi artistët e Globe Theatre, të cilët frymëzohen nga vlerat e dialogut, të universalitetit, të takimit…

Përgjigje: - Për ne është vërtet e rëndësishme! Këtë vit jubilar kemi nevojë t’i hapim portat, të mos i mbyllim të vërtetat tona, por t’ia çojmë të Vërtetën dhe gëzimin e Jezusit të gjithëve. Në “Globe” të Londrës vërehet se gjithnjë më pak njerëz shkojnë në teatër. Atëhere aktorët menduan ta çojnë teatrin tek njerëzit. E dolën nëpër botë, duke e çuar në të katër anët e saj Hamletin, një nga vlerat më të mëdha të njerëzimit, pasuri që u përket të gjithëve. E edhe ne duhet, në mënyrën tonë, të mos kemi frikë por ta çojmë mesazhin tonë deri në skajet më të largëta të botës.

Vepër e vështirë, por e realizuar mirë në skenë. Me ritëm. Lehtësi, vazhdimësi në shkëmbimin e roleve, me valle e muzikë skenike, pa rënë kurrë në retorikë e në emfazë: këto, karakteristikat teknike, me të cilat shoqëria shumetnike londineze, në fillim pakëz e ndrojtur, ia fitoi menjëherë zemrën platesë, në Pallatin e Kancelarisë. Ishte një triumf i ri i Shekspirit, katër shekuj pas vdekjes… Por, a mund të vdesë Shekspiri? Shkrimtari gjenial, që mbetet bashkëkohas me të gjitha breznitë?

Koment i Nigel Baker, ambasador  britanik pranë Selisë së Shenjtë:

“Fakti që tani Shekspiri është përkthyer në 100 gjuhë të ndryshme e që mësohet në gjysmën e shkollave të botës, do të thotë se mbetet ambasador  jo vetëm i Britanisë së Madhe, por edhe i botës mbarë, e, mbi të gjitha i  filozofisë, i mënyrës së të menduarit dhe i kulturës, që ia hap të gjitha  portat botës. Edhe ne mendojmë se kemi ende shumë për të marrë nga bota, ashtu si bota mori nga Shekspiri, që i bëri të vetat të gjitha sugjestionet e botës universale. Sjellje e natyrshme për një diplomat!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.