2016-04-22 14:15:00

Nesër Papa kremton ditën e emrit: për shumë vjet Shën Gjergjin!


Nesër, kujtimi liturgjik i Shën Gjergjit, Papa kremton ditën emrit, që i vunë prindërit në Pagëzim: Gjergj. Emrin e Shën Gjergjit, sinonim me ardhjen e pranverës, që në viset tona kremtohet me gema të lulëzuar, varur mbi dyert e shtëpive. Gjergjit martir, që mbyti kuçedrën e u martirizua për Krishtin. Simbolikë e përshtatshme për Papën me emrin Gjergj, që i prin një Kishe në rrethana martirizimi të hapur e të heshtur.

Urime, Atë i Shenjtë. Ju falënderojmë për  fjalët tua, që na marrin për dore për të na çuar në zemrën e Ungjillit. Gëzuar ditën e emrit!

Ju falënderojmë që jeni, kështu si jeni! Me ju, Zoti na bëri një dhuratë të madhe. Me jetën tuaj, me mënyrën si e shpjegoni Ungjillin, na nxisni ta ndjejmë Jezusin si pjesë të pandarë të jetës sonë të përditshme, plot mëshirë e dhembshuri. Ju, o Atë i dashur i Shenjtë, tashmë bëni pjesë në jetën e secilit nga ne, me shembullin tuaj, me punën e palodhur, me ngulmin tuaj për ta dashur Zotin, për t’ia hapur zemrën, edhe kur është thellësisht e plagosur, për t’ia përhapur fjalën në skajet më të largëta të tokës. E kur nuk mund të shkojmë aq larg, për ta bërë të pranishëm pranë, atje ku jetojmë e punojmë. Zoti ju ndihmoftë e ju ndriçoftë!

Falënderojmë Shpirtin Shenjt, që i dhuroi Kishës, Popullit të Zotit dhe mbarë njerëzimit një Gjergj si Ju: bari e mësues, që di t’i vlerësojë shenjat e kohëve! Nisëm t’ju duam që në çastin kur na kërkuat të luteshim për Ju, nga lozha, ku ju pamë për herë të parë si Papë. Papë i panjohur, i ardhur nga fundi i botës, që u bë menjëherë i afërt, i njohur e i dashur, jo më me emrin Gjergj, marrë në Pagëzimin e parë, por me emrin simbolik Françesk, marrë në pagëzimin e madh të papnisë.

Ju falënderojmë që pranuat ta ngjitni çdo ditë Kalvarin, duke mbartur mbi supe kryqin e mundimeve të botës, kryqin e secilit nga ne e heroizmin e së njëjtës luftë, që pati bërë Shenjti, emrin e të cilit e morët në pagëzim, me armikun më të madh të njerëzimit, me të keqin, për ta lulëzuar vreshtin e Zotit, duke e pastruar nga të gjithë gjarpërinjtë, që e rrethojnë.

Urime! Për shumë mot! Gëzuar!








All the contents on this site are copyrighted ©.