2016-04-22 15:41:00

Epitafi mbi varrin e Shekspirit


Dje, në mbarë botën e kulturuar u përkujtua 400-vjetori i vdekjes së Shekspirit (23 prill 1616). Në atmosferën kremtore të kësaj ngjarjeje e kujtuam, të premten e kaluar, me shfaqjen e Hamletit në Vatikan e po vijojmë ta kujtojmë edhe sot, me epitafin e shkruar mbi varrin e Dramaturgut të madh, në  Stratford-upon-Avon

.

Për Shekspirin (William Shakespeare: Stratford-upon-Avon, 23 prill 1564 - Stratford-upon-Avon 23 prill 1616) është thënë gjithçka. Për Shekspirin nuk është thënë asgjë. Nuk dihet ende me saktësi kush ishte, ndonëse iu kushtuan mijëra faqe, nga penda të mësuara e të talentuara në këtë lëmë. E ç’mund t’i shtojmë ne, që s’na mbetet tjetër, veçse ta admirojmë?  E t’i ribotojmë përkthimet mjeshtrore të Nolit, sepse edhe në këtë fushë vështirë të dalë kush për të sjellë diçka të re. E s’ka të vjetra a të reja as për epitafin, që shkruhet mbi varrin e tij, njëlloj i vështirë për t’u përkthyer, si veprat e tragjedianit të pakalueshëm.

Kush e shkroi? Kur? Ç’fshehtësi ndryhet në atë katren? E si mund ta kuptojë  njeriu i kohëve tona?

Besohet ta ketë shkruar një nga admiruesit e tij fisnikë, duke e ftuar kalimtarin të ndalohet menjëherë e ta admirojë atë gur, nën të cilin pushon Njeriu i madh, për të mos e humbur rastin aq të papërsëritëshëm. Ndalu, udhëtar, e lexo vargjet njëlloj të pavdekshme, shkruar për të pavdekshmin lindur e vdekur në Statford mbi lumin Avon:

“O mik i mirë, për hater t’Krishtit Zot,

ruej se rrëmon hinin e mbyllun k’tu kahmot!

Bekue kjoftë ai që vjen e sheh e shkon,

mallkue kush eshtënt m’i lot e m’i lëndon!”.1  

Tingëllon si i shkruar për Fishtën tonë të madh, ky epitaf kushtuar Shekspirit, të cilit askush nuk e ka pasur guximin e marrë, 400 vjet pas vdekjes, t’ia lëndojë kockat, që prehen nën rrasë.

Si vdes korpi e shndërrohet në hi pa emër e pa lëvizje, ne, të vdekshëmve të mjerë, na mbeten vetëm shkrimet, të cilat vijojnë të na e dëshmojnë gjenialitetin e Atij, që pret zgjimin, nën epitaf.

 

1 Good friend, for Jesus’sale forbear

To dig the dust enclosed here

Blest be the man that spares these stones

And curst be he that moves my bones!








All the contents on this site are copyrighted ©.