2016-04-21 13:58:00

Kalimi i Zotit përtej: rite e tradita të Pashkëve hebraike


Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit hebraik Nisan, për tetë ditë me radhë hebrenjtë e mbarë botës kremtojnë Pesach, Pashkët, duke kujtuar, kështu, çlirimin e popullit hebraik nga skllavëria nën thundrën e faraonit, në Egjiptin e lashtë. Dy ditët e para e të fundit janë festive në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale: ndalohet çdo punë e çdo veprimtari tjetër. Lejohet vetëm gatimi, me përjashtim të së shtunës. Për katër ditë e gjysëm, që njihen me emrin chol hamoed ose “ditë gjysëm festive”, lejohen shumë veprimtari, duke përfshirë edhe punët, që nuk mund të shtyhen për më vonë.

“Atë natë do të kaloj nëpër dheun e Egjiptit dhe do të mbys çdo të parëlindur në dheun e Egjiptit, që nga njeriu e deri në bagëti dhe do t’i ndëshkoj të gjitha hyjnitë e Egjiptit: unë, Zoti! Gjaku (i qengjit) do t’ju shërbejë si shenjë, që tregon në cilën shtëpi jeni: unë do ta shoh gjakun dhe do t’ju kaloj. Kështu ndër ju nuk do të ketë shuplakë shfarosje, kur unë t’i sulem dheut të Egjiptit” (Libri i Daljes, 12,12-13).

Pas qindra vjet skllavërie, Zoti e dërgoi Moisiun tek faraoni për t’i kërkuar lirimin e popullit hebraik. Pasi faraoni nuk pranoi, Zoti e goditi Egjiptin me dhjetë plagë: duke shkretuar tokën, duke shkatërruar të korrat e duke shfarosur bagëtitë. Plaga e fundit ishte më e tmerrshmja. Zoti vrau të gjithë të parëlindurit e Egjiptit, “duke kaluar përtej” (prej këtu, emri Pesach, “kalim përtej”) fëmijëve hebrenj e duke ua kursyer jetën.  

Faraoni, më në fund, u dorëzua. E la Moisiun dhe popullin hebraik të lirë të largohej nga Egjipti e të niste shtegtimin e gjatë, që do t’a çonte në Tokën e Premtuar.

Në lashtësi, kur ekzistonte ende Tempulli i Jeruzalemit, kremtimi i Pesach bazohej mbi shtegtimin kolektiv në Jeruzalem, ku flijohej qengji i Pashkëve pasditen e datës 14 të Nisanit  dhe  hahej, në përfundim të një darke kolektive, mbrëmjen e datës 15. Që kur u rrënua Tempulli, riti i Pashkëve nuk kremtohet më, vetëm kujtohet. Historia e çlirimit tregohet gjatë natës së parë të Pesach dhe lexohet nga Libri i lutjeve Haggadah, duke ngrënë gjellë të veçanta, me një rend të paracaktuar, që njihet me emrin Seder. Seder i Pesach përbëhet nga shtatë gjellë, secila, simbol i një pjese të historisë së skllevërve hebrenj, të çliruar nga skllavëria. Nis me barishte e hidhura Maror, për të kujtuar hidhërimin e skllavërisë; vijon me Zeròah, thundra e qengjit të pjekur, që simbolizon flijimet e hebrenjve duke ikur nga Egjipti; me Betzàh, vezë e zjerë, ofertë flije për ditët e Tempullit të dytë: Charòset (përzjerje arrash, mjalti e vere) simbolizon baltën që përdornin skllevërit hebrenj, për të bërë tullat; Karpàs (barishte, zakonisht serli) simbol i freskisë së pranverës; Chazèret, barishte tjetër e hidhur, që simbolizon ashpërsinë e skllavërisë; tre Matzàh, bukë të pambrume, që vihen në mes të pjatës së Sederit. Disa gjellë shoqërohen me ujë të kripur ose me uthull. Simbol i lotëve dhe i djersës së skllavërisë. Pihen edhe katër gota me verë, që simbolizojnë katër premtimet Biblike të Shpërblimit: “Do t’ju nxjerr nga shtypja e egjiptianëve, do t’ju shpëtoj nga skllavëria e do t’ju shpërblej nga  ndëshkimet e mëdha. Ju do të jeni populli im, e unë, Hyji juaj! (Dal 6,6-5). Seder-i përsëritet edhe mbrëmjen e dytë të Pesach.

Kremtimi i Seder përqendrohet shumë tek roli i fëmijëve, që bëjnë pyetje e marrin përgjigje apo shpjegime për vlerën e Seder. Pyetja e parë: “Pse kjo natë ndryshon nga të gjitha netët e tjera?”. E përgjigjja, shpjegim i hollësishëm i të gjitha elementeve të kremtimit, një lloj katekizmi hebraik.

Traditat e kremtimit të Pesach në botë, shpesh janë të ndryshme. Në disa bashkësi, për shembull, pjata e Sederit vendoset mbi kokën e një fëmije, që parakalon para të gjithëve, para se të nisë dreka. Në vende të ndryshme ndërthuren tradita të ndryshme: në Itali, bie fjala, hahen lazanje, matzoh, karçofi e mish i thatë.

Ndryshon, nga vendi në vend, edhe rendi i lutjeve gjatë Sederit.

Në Izrael kremtimet e Pesach zgjasin 7 ditë, në vend të 8-ve, sipas rregullit biblik të zanafillës.

Kudo që kremtohet, Pesach është rast që hebrenjtë e botës mbarë të mblidhen në familjet e tyre, për të kujtuar rifitimin e lirisë së popullit hebraik, duke ia trasnmetuar kujtimin breznive të reja e duke e kremtuar  “Festën e çlirimit nga skllavëria” me gjellë tejet të këndshme, tradicionale.  








All the contents on this site are copyrighted ©.