2016-04-21 16:10:00

Intervistë e kard. Amato kushtuar të Lumit Valentin Palencía dhe katër shokëve të tij, martirë


Të shtunën, në Burgos të Spanjës, do të kremtohet Mesha Shenjte me ritin e lumnimit të Valentin Palencía Marquina, prift dioqezan, dhe katër shokëve të tij (1936), martirë. Në këtë kremtim Papën do ta përfaqësojë kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për çështjet e Shenjtorëve, sot në mikrofonin tonë:

Pyetje: - Hirësi, të shtunën e ardhshme, në Burgos, do të lumnohen pesë martirë, viktima të revolucionit antikatolik të viteve ’30. Ç’mund të na thoni për këtë ngjarje?

Përgjigje: - Pesë martirët janë: prifti Valentín Palencía Marquina, i lindur në Burgos, në vitin 1871, e me të, edhe katër të rinj shekullarë, bashkëpunëtorë të tij, të gjithë të vrarë në janar të vitit 1936. Ndërmjet tyre spikat figura e Donato Rodríguez García, 25 vjeç mësues muzike, i kulturuar, me cilësi të shquara pedagogjike. Ecte me paterica, për shkak se në moshë ende të njomë ishte prekur nga sëmundja e poliomelitit. Janë, pastaj, Germán García García, 24 vjeç, mësues vullnetar në Kolegjin e themeluar nga don Valentín;  20 vjeçari Zacarías Cuesta Campo, që studionte muzikë në kolegj e ishte këpucar; e, në fund, Emilio Huidobro Corrales, i cili sapo i kishte mbushur 19 vjeç  e jetonte në Kolegj, sepse, pas vdekjes së nënës, njerku e kishte dëbuar nga shtëpia.

Pyetje: - A mund të na tregoni diçka të veçantë për don Valentinin dhe martirizimin e  tij?

Përgjigje: - Don Valentín Palencia ishte meshtar i kushtuar plotësisht  jetimëve, djemëve të varfër e të lënë pas dore, të cilët i strehonte dhe i edukonte në Kolegjin “Patronato di San Josè”. Ndërmjet nismave të ndryshme kulturore, që vuri në jetë, ishte edhe krijimi i një bande muzikore me të rinjtë e tij. Në korrik 1936 e çoi, si zakonisht, bandën në Suances, port i vogël peshkatarësh mbi bregun kantabrik, për një periudhë pushimesh, por edhe koncertesh, që vlerësoheshin shumë nga popullsia.

Pyetje: - E ç’ndodhi pastaj, në ato ditë vere?

Përgjigje: - Për fat të keq atë verë, që pritej të ishte shumë gazmore, armiku i së mirës nisi një epokë gjaku e zije për kishën spanjolle. U ndalua kremtimi i sakramenteve, u dogjën kishat, u plaçkitën shtëpitë rregulltare, u shkatërruan pajisjet kishtare, u dogjën disa nga pikturat e famshme të artit spanjoll. Natën e 15 janarit 1937, don Valentín dhe katër të rinjtë u arrestuan, u mbytën dhe u braktisën në një vend të vetmuar. Një nga dëshmitarët e krimit pohoi se don Valentín u vra thjesht sepse ishte meshtar. Të rinjtë shekullarë u vranë së bashku me të, për të mbrojtur fenë e tyre e për të ndarë fatin me mësuesin, mikun e  atin e tyre shpirtëror.








All the contents on this site are copyrighted ©.