2016-04-21 13:25:00

Françesku, Karitasit: të jeni përkëdhelja e Kishës për të varfërit


Mos u lodhni së qeni përkëdhelja e mëshirshme e Zotit, përmes dorës së Kishës së Tij. Kjo është ftesa e Papës Françesku për pjesëmarrësit e Konferencës së Karitaseve të dioqezave italiane, që janë mbledhur këto ditë në Sacrofano, pranë Romës. Ati i Shenjtë bëri thirrje për zhdukjen e shkaqeve të varfërisë, në mënyrë që të parandalohet emigracioni.

Të varfërit kanë nevojë për përkëdheljen e Zotit

         Në të varfërin, nënvizoi Ati i Shenjtë, shohim Krishtin:

         “Ai rri në portën e zemrës sonë, të bashkësive tona, dhe pret që dikush t’i përgjigjet ‘trokitjes’ së lehtë, por këmbëngulëse: pret bamirësinë, pra ‘përkëdheljen’ e mëshirshme të Zotit, përmes ‘dorës’ së Kishës së Tij. Përkëdhelje, që shpreh dhembshurinë, afërsinë e Atit Qiellor”.

Karitasi të nxisë gjithë bashkësinë për të ndihmuar të varfërit

         Familja, theksoi më pas Papa Françesku, është djepi i bamirësisë, por nuk duhet të mjaftohemi me dy kacidhet, që u lëshojmë në dorë lypësve në rrugë. Sipas Papës, objektivi kryesor i Karitasit, është:

         “Të jetë shpirti i bashkësisë dhe ta nxisë atë ta shtojë bamirësinë e të dijë të gjejë rrugë të reja për t’u qëndruar pranë të varfërve, të jetë e aftë të interpretojë e të përballojë gjendje, që shtypin miliona vëllezër – në Itali, në Evropë, në botë”.

Solidaritet me emigrantët

         E s’mund të mungonin emigrantët, në fjalën e Atit të Shenjtë. Papa pranoi se emigracioni ka aspektet e tij kritike, por duhet konsideruar gjithnjë pasuri e duhet favorizuar integrimi i emigrantëve me popullsinë e vendit pritës. Parandalimi i këtij fenomeni global, ripohoi Françesku, bëhet vetëm duke zhdukur shkaqet e varfërisë:

         “Mburruni gjithnjë me vullnetin për të shkuar deri në shkaqet e varfërisë e me përpjekjen për t’i zhdukur ato: me përpjekjen për parandalimin e mënjanimit, me ndikimin mbi mekanizmat që sjellin padrejtësi, me veprimtarinë kundër çdo strukture të mëkatit… me legjislacionin e përshtatshëm në favor të së mirës së përbashkët e në mbrojtje të shtresave më të dobta”.








All the contents on this site are copyrighted ©.