2016-04-20 14:22:00

Papa: kurrë afër mëkatit, gjithnjë pranë mëkatarit


Me mëkatin nuk duhet rënë kurrë në kompromis, ndërsa mëkatarët duhen trajtuar me mëshirë. Këtë na mëson Krishti në Ungjillin, që Papa Françesku e thelloi gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 30 mijë vetëve.

Maska e pastër, që tregon përçmueshëm me gisht tjetrin - nësa nuk dihet fare ç’fshihet pas kësaj dukjeje të bukur – e fytyra e sinqertë, e pushtuar nga dhimbja, që lyp përvujtërisht falje për të keqen e bërë. Nga cila anë është Zoti, me cilën fytyrë? Na e tregon vetë Jezusi në Ungjill, e jo në një, por në një mori episodesh.

Mëkati e mëkatari

Papa Françesku u ndalua mbi një aspekt të mëshirës, pasqyruar mrekullisht mirë në fragmentin ungjillor të Shën Lukës. Bëhet fjalë për një ngjarje, që i ndodhi Jezusit, ndërsa ishte mysafir tek një farize me emrin Simeon. Ky e kishte ftuar Jezusin në shtëpinë e tij, sepse kishte dëgjuar të flitej për të, si për një profet të madh. E ndërsa ishin ulur në sofër, hyn një grua e njohur në të gjithë qytetin si mëkatare e madhe. Pa thënë asnjë fjalë, ajo i bie Jezusit ndër këmbë, ia fshin me flokët e saj të gjatë, pastaj ia puth e ia lyen me vaj aromatik, të cilin e kish sjellë me vete.

Rreth kësaj skene u shtjellua katekizmi i audiencës së sotme, për t’u kujtuar besimtarëve se Fjala e Zotit na mëson ta dallojmë mëkatin nga mëkatari. Farizeu, i shkandulluar nga sjellja e Jezusit, që e lë gruan të bëjë ç’të dojë tek këmbët e Tij, nuk  mund ta kuptojë sesi një Rabbi mund të lejojë të molepset nga një grua, që shikohej si e gërbulur në gjirin e shoqërisë ku jetonte:

“Kjo sjellje është tipike për një lloj mënyre të të kuptuarit të fesë, e motivohet me faktin se Zoti e mëkati i kundërvihen rrënjësisht njëri-tjetrit.  Por Fjala e Zotit na mëson të bëjmë dallim ndërmjet mëkatit e mëkatarit: me mëkatin nuk duhet rënë kurrë në kompromis, ndërsa mëkatarët - domethënë ne të gjithë - janë si të sëmurët, të cilët duhen mjekuar, prej këndej,  kanë nevojë për mjekun që t’u afrohet, t’i vizitojë, t’i prekë”.

Shikoje mëkatin tënd

Në krahasim me farizeun - shpjegoi Papa - Jezusi është i lirë, i lirë sepse pranë Zotit, pranë Atit të mëshirshëm, madje, duke hyrë në lidhje me mëkataren, Jezusi i jep fund  gjendjes së izolimit, me të cilën e kishte dënuar gjykimi i pamëshirshëm i farizeut dhe i bashkëqytetarëvet të saj:

“Të gjithë jemi mëkatarë, por shumë herë biem edhe në tundimin e hipokrizisë, në tundimin për t’u dukur më të mirë se të tjerët. Por, shikoje mëkatin tënd…Të gjithë ne i shikojmë mëkatet tona, rrëzimet tona, gabimet tona e shikojmë edhe Zotin. Kjo, udha e shëlbimit; lidhje ndërmjet ‘un-it’ mëkatar e Zotit. Nëse unë e ndjej veten të drejtë, nuk mund ta krijoj këtë lidhje”.

Do më shumë, atë që të fal më shumë

Jezusi i përgjigjet pakënaqësisë së farizeut, duke treguar në atë ças historinë e dy huamarrësve, të cilëve huadhënësi ua fal borxhet, njëri më i madh se tjetri. Historia përfundon me pyetjen: “Kush prej tyre, thua, do ta dojë më shumë?”:

“Gruaja mëkatare na mëson lidhjen ndërmjet fesë, dashurisë e mirënjohjes. Iu falën shumë mëkate e prandaj edhe do shumë, shumë. Ndërsa ai, të cilit iu fal pak, pak edhe do të dojë. Edhe vetë Simeonit i duhet të pranojë se do më shumë ai, që pasi u dënua më shumë, edhe u fal më shumë. Zoti i përfshin të gjithë në misterin e mëshirës së Tij: e jep atë dashuri, që na prin gjithnjë e na mëson të gjithë neve të duam”

Mëshirë që rrëmbush shpirtin

Ndërmjet shërbyesit të zellshëm të ligjit dhe mëkatares së paemër, Françesku i ftoi të krishterët t’i përngjasin së dytës, duke i lypur Zotit hirin e begatë, që ta rrëmbush shpirtin me mëshirën e Tij:

“Ta lëmë dashurinë e Krishtit të dikohet begatisht në ne; nga kjo dashuri thith dishepulli e mbi të mbështetet; kushdo mund të ushqehet me këtë dashuri. Kështu, përmes kësaj dashurie mirënjohëse, që pastaj e dikojmë edhe ne mbi vëllezërit tanë, në shtëpitë tona, në familjet tona, në shoqëri,  u komunikohet të gjithëve mëshira e Tënzot”.

Ndërmjet përshëndetjeve përfundimtare në Shesh, Papa iu drejtua besimtarëve e pranishëm, ardhur nga vendet e prekura prej tragjedive të rënda e të dyfishta: të dëmtuarve nga tërmeti në Ekuador, e të dëmtuarve nga pasojat e Çernobilit dhe të konfliktit të armatosur, në Ukrainë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.