“I krishteri, që nuk e lë Atin ta tërheqë kah Jezusi, jeton si të ishte jetim”. E pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Zemra e hapur për Zotin, vijoi Papa, është e aftë ta pranojë të renë, që sjell Shpirti Shenjt.
Mrekulli, shenja të bindshme, fjalë të padëgjuara, e pastaj, gati gjithnjë e njëjta pyetje: “Je ti Krishti?”. Papa e filloi homelinë duke u nisur nga dyshimi i përhershëm i judenjve ndaj Jezusit. Dyshim, i cili ndjehej fort edhe në fragmentin e sotëm ungjillor.
Ati tërheq zemrat
Pyetja: “E deri kur do të na lësh kështu krejt të paqartë? Nëse je ti Krishti, thuaje haptas” - që skribët e farizenjtë e përsërisin njëmijë herë, në forma të ndryshme, në të vërtetë – vërejti Françesku – lind nga një zemër e verbër. Verbëri feje, që vetë Jezusi ua shpjegon kështu bashkëbiseduesve të Tij: “Ju nuk besoni, sepse nuk jeni delet e mia”. Të bësh pjesë në grigjën e Zotit është hir, pa harruar se delja e vathës së Zotit e ka gjithnjë zemrën të hapur për bariun e vet:
“Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh e ata më ndjekin pas. Unë u jap jetën e pasosur e nuk do të humbasin në amshim e askush nuk do të mundë të m’i rrëmbejë nga dora”.
Këto dele studiuan, për ta ndjekur Jezusin, e pastaj edhe besuan? Jo! ‘Ati im, që m’i dha, është më i madh’. Është pikërisht Ati, që ia jep delet bariut. Ati, që i tërheq zemrat kah Jezusi”.
Si jetimë…
Zemërgursia e skribëve dhe e farizenjve, që i shohin me sy veprat e Jezusit, por nuk duan të pranojnë se Ai vetë është Mesia, është dramë e vërtetë, pohoi Françesku, që vijon deri në Kalvar. Madje nuk përfundon as aty. Sepse vijon. Vijon edhe pas Ngjalljes, kur ushtarët e rojes porositen të pohojnë se i zu gjumi, për ta bërë sa më të besueshëm lajmin e rrëmbimit të Krishtit nga dishepujt e Tij. As dëshmia e atyre, që e panë me sy ngjalljen, nuk arrin ta bindë atë, që nuk do e nuk do të besojë. E kjo ka një pasojë të rëndë: “Janë jetimë”, pohoi Papa, sepse mohojnë pikërisht Atin e tyre:
“Këta doktorë të ligjit e kishin zemrën e mbyllur, ndjeheshin zotër të vetvetes, ndërsa në të vërtetë ishin jetimë, sepse nuk kishin lidhje me Atin. Flisnin, po, për Etërit e tyre - nuk pushonin së përsërituri “Ati ynë Abrahami, Patriarkët….”- Flisnin për ta, por ashtu si flitet për ca figura të largëta, të zbehura nga koha. Në zemrën e tyre ishin jetimë: jetonin në gjendje jetimi, e i pëlqente kjo gjendje, në vend që të tërhiqeshin nga Ati. E kjo është drama e zemrës së mbyllur të këtyre njerëzve.
Tërhiqmë, të lutem, kah Jezusi!
Pëkundrazi, vërejti Papa, duke kujtuar, nga Leximi i parë, lajmin që arriti në Jeruzalem se shumë paganë ia kishin hapur zemrat fesë, falë predikimit të dishepujve, të cilët u shtynë deri në Feniki, Qipro e Antioki - lajm që, së pari i pati trembur për vdekje dishepujt - tregon ç’do të thotë ta kesh zermën të hapur për Zotin. Një zemër, si ajo e Barnabasë që, i dërguar në Antioki për të vërtetuar lajmet, nuk shkandullohet nga pagëzimi i mundshëm i paganëve e kjo sepse, përfundoi Papa, Barnaba e pranoi risinë, e la Atin ta tërheqë, e fort, kah Jezusi.
Jezusi na fton të jemi dishepujt e Tij, por për të qenë të tillë, duhet ta lëmë Atin të na tërheqë kah Biri. E lutja e përvuajtur, që ne mund të bëjmë, është: “O Atë, më tërhiq kah Jezusi, bëj që ta njoh Krishtin”, e Ati do të të dërgojë Shpirtin Shenjt për të na i hapur zemrat e do të na çojë tek Jezusi. “I krishteri, që nuk e lë Atin ta tërheqë kah Jezusi, jeton si të ishte jetim. E ne e kemi një Atë, nuk jemi jetimë!”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |