2016-04-19 15:10:00

Gëzimi i familjeve siriane, që Papa solli nga Lesbos në Romë


“Për ne është akoma një emocion i pabesueshëm, ëndërr që jemi në Romë!”. Tri familjet siriane, që erdhën në Romë nga Lesbos, së bashku me Papën Françesku, akoma mrekullohen për fatin që patën. Me mikrofonin tonë, i kërkuam një dëshmi çiftit më të ri, Hassan dhe Nour Zahidà, të cilët kanë një fëmijë. Historia e tyre fillon në Damask të Sirisë, nga ku ikën drejt Halebit për të arritur në Turqi e, që andej, u përpoqën të shkojnë në Greqi me barkat e shpresës. Udhëtim i gjatë dhe i rrezikshëm, për të shpëtuar nga lufta, siç dëshmon gruaja, Nour:

         Kemi ikur nga Siria në dhjetor 2015, sepse im shoq u thirr për ushtar: në atë periudhë, i thërrisnin të gjithë burrat nga 18 deri në 45 vjeç për t’u bashkuar me ushtrinë siriane, sepse ishim në luftë! Emrin e tim shoqi e kishte çdo kazermë policie, prandaj nuk mund të iknim nga vendi përmes kufijve të rregullt, zyrtarë. U detyruam të ecim në “udhë të paligjshme”.

         Sa kohë qëndruat në Lesbos?

         Një muaj. Mbërritëm më 18 mars. Afërsisht, një muaj… Fillimisht, jeta në kamp ishte e mirë. Vetëm pesë ditët e para, sepse nuk kishte shumë njerëz. Pastaj, erdhën shumë familje, prandaj, në kamp u bëmë shumë… E ujë nuk kishte, as në banjo. Na thanë edhe se në të njëjtën dhomë, duhej të rrinin 2-3 familje. Kjo ishte jeta e kampit në periudhën e fundit.

         Pastaj, lajmi i papritur se pikërisht këto tri familje ishin zgjedhur për të ardhur në Vatikan me Papën. E emocioni është i vështirë për t’u treguar. Të dëgjojmë Hassanin:

         Qe vërtet një ëndërr. Po blinim diçka në qendër të Lesbos, në orën 8 të darkës. U kthyem në kampin e Keratepes dhe përgjegjësi, Stavros, na tha se dikush kishte zgjedhur tri familje për të shkuar në Itali. Por, nuk na thanë asgjë se me kë do të shkonim e kur. Pra, s’na thanë për Papën e për avionin special bashkë me të. E kur e morëm vesh, qe një ëndërr e re. E kuptuam ç’po ndodhte, kur u takuam me përgjegjësin e Bashkësisë së Shën Egjidit.

         E takimi me Papën Françesku do të mbetet përherë në zemrën e këtyre familjeve. Ja, gëzimi i Hassanit:

         Po, u takuam me Papën në aeroport. Na pyeti për gjendjen në Lesbos dhe ne i thamë se i vlerësonim përpjekjet e bëra për refugjatët, sidomos për sirianët, për ata, që vijnë nga kufiri ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë dhe për ata, që ndodhen të mbyllur në kampet e Keratepes dhe të Morias.

         Çifti sirian shpreh mirënjohjen e të gjithëve për Atin e Shenjtë. Ja fjalët e Nourit:

         Dua ta falenderoj Papën për këtë gjest. Asnjë njeri i fesë myslimane dhe asnjë president arab – e këtë e kam thënë disa herë – nuk ka bërë të njëjtën gjë. Thuhet se ndajmë të njëjtat gjëra – kemi të përbashkët gjuhën, fenë – por asnjë nga krerët fetarë e asnjë president arab nuk e ndjeu vuajtjen tonë. Vetëm Papa! Papa u lut për ne, e ndjeu vuajtjen tonë; vendosi të shkojë në Lesbos për ta parë nga afër ç’po ndodh; shkoi për vizitë në kampin e Morias, ku ka shumë tensione, për të parë ç’po ndodh. Prandaj dua t’i them: “Faleminderit! Faleminderit! Faleminderit që na shpëtove!”. Shpresoj që ky gjest të ndikojë e t’i prekë të gjithë, që të ndryshojnë qëndrimet politike dhe të hapen kufijtë përpara refugjatëve. Ka shumë, shumë gjendje të vështira në kamp e ka shumë njerëz, që kanë nevojë për ndihmë. E janë të gjithë njerëz të thjeshtë, të detyruar të braktisin gjithçka, për shkak të luftës. Ne jemi detyruar ta lemë atdheun tonë, për shkak të luftës… Duam vetëm të jetojmë në një vend të lirë, që i respekton njerëzit, që i respekton fetë.

         Më në fund, kjo familje, ashtu si edhe dy të tjerat, mund ta shohë të ardhmen me qetësi më të madhe. Ja komentet e tyre... së pari, Hassani:

         Në të vërtetë, ëndërrojmë ta na pranojnë këtu në Itali. Shpresoj ta rifilloj jetën këtu, ku sidomos fëmijët e gruaja të jenë të sigurtë. Jemi në kërkim të një jete të sigurtë. Nuk ka asnjë problem me vendin. Unë ëndërroja të arrija në një vend, ku të gjeja siguri për familjen. Dua të integrohem në bashkësinë italiane, ta jetoj me fund jetën, së bashku me familjen time të bukur.

E tani, të dëgjojmë të shoqen e Hassanit, Nourin:

         Për tim bir: shpresoj të ketë një jetë të lumtur, të luajë me të tjerët, të mbarojë studimet, të mësojë gjuhën italiane e të integrohet si duhet në shoqëri. Për mua e tim shoq: shpresoj të gjejmë punë. Ne jemi njerëz normalë, nuk jemi xhihadistë, nuk jemi terroristë! Jemi njerëz normalë, si ju. Ëndërrojmë një jetë normale në një vend, ku ka paqe. Ju duam fort. I përkasim një bashkësie të përzier, jetonim me të krishterë, myslimanë, alauitë… Nuk jemi xhihadistë! Nuk jemi terrorizëm! Nuk jemi aspak racistë kundër të tjerëve…








All the contents on this site are copyrighted ©.