2016-04-19 12:16:00

Papa priti Presidentin Qendrafrikan: të mbështetet paqja në vend


Papa Françesku priti në audiencë, në Pallatin Apostolik të Vatikanit,  Presidentin e Republikës Qendrafrikane, profesor Faustin-Archange Touadéra, i cili më pas u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

“Në bisedën e përzemërt - njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, u kujtuan pritja entuziaste, që iu bë Papës gjatë vizitës së tij në Bangui, nëntorin e kaluar, procesi elektoral si dhe përtëritja e institucioneve të vendit, që po kryhet në një klimë konstruktive, për të cilën kontribuon edhe dialogu ndërmjet konfesioneve fetare. Më pas, urimi që të nisë koha e paqes dhe e begatisë për mbarë kombin. Njëkohësisht u vu në dukje se pasojat e konflikteve të viteve të fundit, rëndojnë akoma mbi jetën e popullsisë, duke nënvizuar edhe rëndësinë që ka vijimi i ndihmës ndërkombëtare në zhvillimin e  vendit. U fol edhe për marrëdhëniet e mira  ndërmjet Selisë Apostolike dhe Republikës Qendrafrikane, me besim se ato do të ndihmojnë për konsolidimin e mëtejshëm të kuadrit të mjeteve juridike, parashikuar nga e drejta ndërkombëtare. U vlerësua edhe kontributi, që i jep Kisha, me barinjtë e të saj, mbarë shoqërisë, posaçërisht në fushën edukative e shëndetësore si dhe në perspektivën  e pajtimit e të rindërtimit kombëtar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.