2016-04-18 14:00:00

Tërmet në Ekuador: dhimbja e ipeshkvijve të vendit


“Para tërmetit të fuqishëm në Ekuador, para vdekjes së shumë njerëzve dhe dëmeve materiale në shumë qytete, ipeshkvijtë e vendit duan t’i shprehin popullit ekuadorian një fjalë besimi në Zotin”: kështu shkruhet në komunikatën e Konferencës Ipeshkvnore të Ekuadorit. “Mendimi ynë – theksojnë ipeshkvijtë – shkon veçanërisht tek vëllezërit e provincave të Manabit e të Esmeraldës, që deri tani duken më të goditurat e, i ftojmë të gjithë të marrin pjesë në mbledhjen e fondeve për viktimat, për të plotësuar nevojat e tyre më urgjente”.

Ndërhyrje e menjëhershme e Karitasit

         Sekretari ekzekutiv i Karitasit të Ekuadorit, Mauricio Lopez, nënvizon për agjencinë kishtare Fides, se organizata bamirëse ka ndërhyrë menjëherë. Ndërkaq, Karitaset e vendeve të tjera po japin fonde për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti. Meqë dy provincat janë ndër zonat më sizmike të Ekuadorit, prej disa vitesh, Karitasi ka vënë në jetë projekte për parandalimin e dëmeve dhe për evakuimin e popullsisë.

Në Playa Prieta gjetën vdekjen gjashtë rregulltare

         Sipas lajmeve të fundit, numri i viktimave, gjithnjë në rritje, e ka kaluar 200-shin. Tërmeti me magnitudë 7,8 gradë të shkallës Richter, që goditi Ekuadorin të shtunën mbrëma, 16 prill, shkatërroi edhe një kuvend në Playa Prieta. Një murgeshë e pesë postulante të bashkësisë “Siervas del Hogar de la Madre” humbën jetën, ndërsa tre rregulltare u nxorrën të gjalla nga rrënojat, vetëm 24 orë më vonë. Edhe shkolla, që kishin rregulltaret, është shkatërruar krejtësisht nga tërmeti.








All the contents on this site are copyrighted ©.