2016-04-18 14:20:00

Papa: kush ndjek Krishtin nuk gabon; larg vegimtarëve e fallxhorëve


Po ta dëgjojmë zërin e Jezusit e ta ndjekim, nuk dredhojmë rrugë. Ishte kjo, zemra e homelisë së Françeskut, mbajtur gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa nënvizoi se Jezusi, “Bariu i Mirë”, është porta e vetme, përmes së cilës mund të hyjmë në vathën e jetës së pasosur. Prej këndej, porosia për të mos u besuar vegimtarëve të rremë e fallxhorëve.

Porta, udha, zëri. Papa e mori shtytjen nga Ungjilli i sotëm - në të cilin gati-gati ndjehej çapi i lehtë i Bariut të Mirë - që të ndalohej, pastaj, mbi këto tre realitete vendimtare për jetën e të krishterit. Mbi të gjitha, vërejti, Jezusi na paralajmëron se kush nuk hyn në vathën e deleve nga porta, por kapërcen gardhin, është hajdut e cub. Krishti është porta, nënvizoi Papa, e portë tjetër nuk ka!

Ta pyesim gjithnjë veten nëse i marrim vendimet në emër të Krishtit

Jezusi - vijoi Ati i Shenjtë - u fliste gjithnjë njerëzve me figura të thjeshta, të kuptueshme, si figura e Bariut të Mirë. Të gjithë e njihnin jetën e bariut, sepse e shikonin për ditë e edhe pse shumica ishin vetë barinj. Prej këndej, e kuptonin menjëherë se në vathë hyhet vetëm nga porta e gardhit. Kush përpiqet të hyjë nga ndonjë anë tjetër, nuk është bari, është cub:

“Zoti flet krejt qartë. Nuk mund të hyhet në jetën e amshuar nga ndonjë anë tjetër, që nuk është porta, domethënë, që nuk është Jezusi. Ai është porta e jetës sonë; e jo vetëm e jetës së pasosur, por edhe e jetës së përditshme. Vendimet, për shembull, i marr në emër të Jezusit, apo i marr kontrabandë, nëse shprehemi me gjuhën e zakonshme. Në vathë mund të hysh vetëm nga porta, që është Jezusi”.

Të ndjekim Jezusin, jo fallxhorët e të vetquajturit vegimtarë  

Jezusi, vijoi Papa, flet për udhë. Bariu i njeh delet e veta e u prin jashtë vathës, kah kullotat e blerta. Ai u prin, e delet e ndjekin pas. Kjo është udha, vijoi Papa, të ndjekësh Jezusin. Në kullota barënjoma, në udhën e jetës, të jetës së përditshme të pasosur. Nuk duhet gabuar - porositi - Ai  prin e na tregon udhën:

“Kush e ndjek Krishtin, nuk gabon! Eh, o atë, po, ashtu si thua ti është, por punët nuk janë aq të lehta… Shumë herë unë nuk shoh qartë para meje e nuk e di ç’duhet të bëj… më thanë se ishte diku një vegimtare e shkova tek ajo; shkova edhe te fallxhorja, që m’i lexoi kartat… Në se bën kësisoj punësh, ti nuk e  ndjek Jezusin! Ndjek dikë tjetër, që të çon në një udhë tjetër, të ndryshme. Vetëm Krishti mund të ta tregojë udhën. Nuk ka tjetër. Jezusi na paralajmëroi. ‘Do të vijnë të tjerë, që do të thonë: Udha e Mesisë është kjo e kjo… Mos i dëgjoni! Mos i dëgjoni! Unë jam udha!’. Jezusi është porta e është edhe udha. Nëse e ndjekim Krishtin, nuk gabojmë kurrë”.

Zërin e Jezusit mund ta dëgjojmë në Lumturitë

Françesku, në fund, foli për zërin e Bariut të Mirë: delet, vërejti, e ndjekin, sepse ia njohin zërin. Por, e si mund ta njohim zërin e Jezusit - pyeti Papa - që të mund të mbrohemi, kështu, nga ata, të cilët nuk janë Krishti? Nga ata, që hyjnë prej gardhit të thyer, që janë cuba, që rrënojnë, që gënjejnë?.

Unë po të tregoj recetën, më të thjeshtën. Ti mund ta dëgjosh zërin e Jezusit në Lumturitë, e ai që hyn nga vrima e gardhit nuk është Jezusi. Ai që ta mësoi udhën e kundërt me Lumturitë, nuk di e as nuk do të hyjë nga porta: nuk është Jezusi! Së dyti: A do ta njohësh zërin e Jezusit? Mund ta njohësh kur na flet për vepra mëshire. Për shembull, duke lexuar Kapitullin e 25-të të Shën Mateut:

“Nëse ndokush të thotë , atë që thotë Jezusi aty, ai është zëri i Jezusit’.

E, së treti, ti mund ta njohësh zërin e Jezusit, kur të mëson të thuash: ‘Atë’, domethënë të mëson “Atynën”.

Është kaq e thjeshtë jeta e krishterë - komentoi Papa – Jezusi është porta. Ai na prin në udhë e ne e njohim zërin e Tij në Lumturitë, në veprat e mëshirës e në mësimin e Atynës. Mos harroni - përfundoi Ati i Shenjtë: porta, udha, zëri! Zoti na bëftë ta kuptojmë këtë figurë të Krishtit, këtë ikonë: “Bariun, që është porta e na tregon udhën e edhe na mëson ta dëgjojmë zërin e Tij”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.