2016-04-17 12:54:00

Papa në avion: Evropa të ndërtojë ura; citon, pastaj, Nënë Terezën


“Për mua, një ditë tepër e ngarkuar me emocione”. Me këto fjalë e hapi Papa konferencën e shtypit në avion, duke u kthyer nga shtegtimi në Lesbos. Kurrfarë spekulimi politik, ripohoi, thjesht shtegtim “humanitar”. E, në vijim, theksoi se duhen ndërtuar ura dialogu dhe integrimi. U tregoi gazetarëve, që e ndiqnin, edhe lotët e fëmijëve, që pikojnë deri në vizatimet e tyre. “Asnjë dallim ndërmjet të krishterëve e myslimanëve”- theksoi, duke iu përgjigjur gazetarëve, pas pyetjes për tri familjet, që solli me vete në Itali.

Shtegtim i ngarkuar me veprimtari e emocione, ky i Lesbos. Këto, fjalët  e para të Papës me gazetarët, në konferencën e shtypit mbajtur, sipas traditës, në avion, gjatë kthimit. Ditë prekëse për mua, përsëriti dy herë Ati i Shenjtë. E në vijim foli për vizatimet, që ia dhuruan fëmijët, ku shihen skena nga ngjarjet e jetës së tyre të tronditur në themel: simbole të shpëtimit, mbytje anijesh, vdekje, peizazhe ku deri dielli qan me lot, i tronditur nga skenat, që shikon atje poshtë. Gjithçka tregon se edhe të vegjlit duan dëshprimisht paqe!

Frika e fëmijëve

"Shikojeni këtë vizatim, kanë parë një shok të tyre duke u mbytur në det… Këta fëmijë e kanë në zemër shokun e mbytur, eh? Vërtet sot ishte për të qarë me lot. Për të qarë. E këtë temë e ka prekur edhe një fëmijë nga Afganistani, që ka arritur me anije në Greqi".

Udhëtim humanitar

Edhe një herë Françesku shpjegoi se nuk bëhet fjalë për një udhëtim politik lidhur me marrëveshjet mbi emigrantët ndërmjet BE-së e Turqisë, por për një shtegtim “humanitar” ndërmjet njerëzve, për njerëzit. Theksoi, më pas, se i kupton qeveritë, e edhe popujt, që kanë frikë nga fenomeni i emigracionit, por pa harruar të rikujtojë përgjegjësinë në mikpritje.

Politikat e strehimit të refugjatëve në Bashkimin Evropian

“Evropa duhet të bëjë urgjentisht politika strehimi, integrimi, zhvillimi, pune, reforme ekonomike… Të gjitha këto janë ura, që çojnë atje, ku nuk mendohet për të ngritur mure".

Tri familjet myslimane

Lidhur me mikpritjen e tri familjeve myslimane, që i mori me vete në Itali, Françesku shpjegoi se nuk u zgjodhën duke u nisur nga feja, por nga  dokumentet e rregullta:

“Ishin - për shembull - dy familje të krishtera në listën e parë, por nuk i kishin letrat në rregull… Nuk është, pra, ndonjë privilegj. Të gjithë, të 12-tët, janë bij të Zotit”.

Integrimi në Evropë

Qendrore, për Papën, tema e integrimit. Françesku kujtoi atentatet e kohëve të fundit në Evropë, duke pohuar se disa nga terroristët ishin bij e nipër të atyre, që erdhën të parët në Kontinentin e vjetër, për të shprehur, më pas, mendimin, se kjo sjellje, në kundërshtim të plotë me logjikën e mirë, është pasojë e mungesës së politikave të integrimit:

“Sot Evropa duhet ta rifitojë këtë aftësi, që e pati gjithnjë: aftësinë për të integruar. Sepse në Evropë erdhën gjithfarë endacakësh, erdhën Normanët, e gjithë kjo mori njerëzish u integrua dhe e pasuroi kulturën e saj… Besoj se kemi nevojë për mësimin dhe edukatën e integrimit”.

Emigrantët- gjeste të vogla

Edhe një herë Papa ripohoi se nuk ka kurrfarë dallimi ndërmjet atij që ikën nga lufta, e atij që kërkon të shpëtojë nga uria, sepse të dyja palët janë viktima të shfrytëzimit. Kujtoi edhe emigrantët latinoamerikanë. E citoi, më pas, Nënë Terezën, për t’iu përgjigjur pyetjes për vlerën e këtij shtegtimi, duke pohuar se pikërisht gjestet e vogla ia ndryshojnë faqen  botës:

“Por këto gjeste të vogla duhet t’i bëjmë të gjithë, burra e gra, për t’i dhënë dorën atij që ka nevojë”.

Regjimi i kursimit

Lidhur me regjimin politik të kursimit, Papa shpjegoi se shpirtërisht dhe krishterisht kjo fjalë ka një kuptim krejt tjetër, nga ai që ka politikisht:

“Në shtëpinë tonë, sa shpërdorime - sa shpërdorime! – i bëjmë pa dashje, apo jo? Kjo është kultura e hedhurinës, e shpërdorimit: unë flas për kursim në këtë kuptim, në kuptimin e krishterë të fjalës. Të ndalemi këtu e të jetojmë pakëz më thjeshtë”.

Amoris Laetitia

I pyetur për Nxitjen apostolike “Amoris Laetitia”, pohoi se diçka ka ndryshuar në disiplinën për të divorcuarit e rimartuar, por, nënvizoi, për  të mos dhënë përgjigje të shkurtër, duhet lexuar paraqitja e bërë nga kardinali Schönborn. Kujtoi, më pas, se mjetet e komunikimit e vunë tepër në pah çështjen e Kungimit të të divorcuarve të rimartuar, duke lënë në heshtje gjëra të tjera, si për shembull, faktin se familja në mbarë botën është në krizë.

Familja në krizë

“Familja është baza e shoqërisë! A nuk shihet qartë se të rinjtë nuk duan të martohen? Nuk shihet se rënia e numrit të lindjeve në Evropë të bën të qash? Nuk shihet se mungesa e punës dhe mundësitë për ta gjetur i bëjnë nënën e babain të merren me dy punë e fëmijët të rriten vetëm, pa hyrë në dialog me prindërit e tyre?”.

Ky, përmbledhtas, dialogu i Papës me gazetarët në  avionin, që fluturonte drejt Romës.  








All the contents on this site are copyrighted ©.