2016-04-17 14:44:00

Mbretëresha Qiellore. Françesku: në Lesbo pashë shumë dhimbje


“Pashë shumë dhimbje”. Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku foli me emocion të thellë për vizitën e djeshme ndërmjet refugjatëve, në ishullin grek Lesbos, së bashku me patrikun ekumenik Bartolomeu I dhe kryepeshkopin ortodoks të Athinës, Hieronymos. Papa shprehu edhe solidaritetin për viktimat e tërmetit në Ekuador e edhe për ato  në Japoni, pak ditë më parë. Kërkoi, në përfundim, vëmendje për punëtorët e përkohshëm të call center.

Një natë nuk mjafton për t’i renditur në kujtesë ngjarjet, që i jetove me mendje e me zemër, në një ditë të ngarkuar me emocione të fuqishme, si rrallë herë ndodh në jetë.

Pashë shumë dhimbje

Gjëja e parë që i kujtoi Papa turmës, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, ishte përvoja e jetuar në Lesbos, ndërmjet refugjatëve të të gjitha moshave, njerëz që e mikpritën, e prekën të mrekulluar, me emocion të thellë, si personifikim i faktit se jo gjithë të mëdhenjtë e botës përpiqen t’u rrinë  larg, por se ka edhe prej tyre, që bëhen të afërt, i takojnë, ndajnë së bashku dramën, i ndihmojnë:

“Vizituam një nga kampet e refugjatëve: vinin nga Iraku, nga Afganistani, nga Siria, nga Afrika e nga shumë vende të tjera… Përshëndetëm më se 300 prej tyre, një nga një. Të tre: patriku Bartolomeu, kryepeshkopi Hieronymos e unë. Shumë prej tyre ishin fëmijë: disa kanë parë vdekjen e prindërve e të shokëve, të mbytur në det. E edhe unë pashë dhimbje! Shumë!”.

Ai burrë qante pa pushim

Nga ky det dhimbjeje, Françesku u ndalua vetëm tek një pikë, tregoi një histori tmerri, jetuar nga njerëz, që vunë në lojë çdo siguri, vetëm e vetëm për të ikur nga skëterra, që i rrethonte:

“Dua të tregoj një rast të veçantë të një burri të ri, rreth të dyzetave. E takova dje, me gjithë të bijtë. Ishte mysliman e më tregoi se qe martuar me një vajzë të krishterë: duheshin  fort dhe e respektonin njëri-tjetrin. Por një ditë kjo vajzë u ther në fyt nga terroristët, sepse nuk deshi ta mohojë Krishtin e as ta braktisë fenë e vet. Është martire! E i shoqi tregonte e qante pa pushim”…

Lutje për Ekuadorin dhe Japoninë

Sheshi u zhyt në një heshtje të thellë, kur Papa u shprehu solidaritetin ekudorianëve në veri të vendit - edhe ata, viktima të një tragjedie, të një tërmeti tejet të fortë, që shkaktoi vdekjen e 80 vetëve e plagosjen e shumë të tjerëve - siç ndodhi edhe në Kumamoto të Japonisë, ku gjithashtu të enjten e kaluar ra një tërmet i fortë. Ndihma e Zotit dhe e vëllezërve - u lut Françesku - u dhëntë forcë e mbështetje. Forcë, që feja, pati thënë në reflektimin para Mbretëreshës Qiellore, e gjen gjithnjë në Jezusin, Bariun e Mirë, që kremtohej pikërisht sot, në të Dielën IV të Pashkëve. Krishti, në Ungjill, na siguron: “Unë jap jetën për delet e mia e askush nuk do të mundë të m’i rrëmbejë nga dora”:

“Këto fjalë na ndihmojnë të kuptojmë se askush nuk mund të thotë se është ndjekës i Krishtit, nëse nuk ia vë mirë veshin zërit të Tij. E ky dëgjim nuk duhet kuptuar cektësisht, por në mënyrë që të bëhet e mundur njohja reciproke, nga e cila, pastaj, mund të vijë ndjekja bujare, e shprehur me fjalët ‘e ata më ndjekin’ (v27). Nuk është thjesht dëgjim me veshë, por kryesisht me zemër”.

Askush nuk mund të na shkëpusë nga Jezusi

Këto fjalë, përsëriti Françesku, na krijojnë një ndjesi sigurie absolute e dhembshurie të pafund. Jeta jonë është plotësisht në siguri, në dorë të Krishtit e të Atit:

“Prandaj nuk kemi më frikë; jeta jonë tashmë ka shpëtuar, nuk do të humbasë. Asgjë e askush nuk mund të na shkëpusë më nga duart  e Jezusit, sepse asgjë e askush nuk mund ta mposhtë dashurinë e Tij. Dashuria e Krishtit është e pathyeshme! I keqi, armik i madh i Zotit të mirë dhe i krijesave të Tij, përpiqet në njëmijë mënyra të na e rrëmbejë jetën e pasosur. Por djalli nuk mund të bëjë gjë prej gjëje, nëse ne nuk ia hapim portën e shpirtit tonë, duke ndjekur joshjet e tij gënjeshtare”.

Puna, dinjiteti i parë

Gjatë përshëndetjeve përfundimtare, Papa kujtoi Ditën botërore të lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare, duke i ftuar të rinjtë e të rejat e pranishme në Shesh, ta pyesin veten nëse Zoti po i thërret për t’ia kushtuar jetën shërbimit të tij në meshtari ose në jetën rregulltare. E, në fund, thirrja e Françeskut për njerëzit, që kanë probleme pune, të cilëve u shprehu gjithë afërsinë e tij:

“Mendoj posaçërisht për gjendjen e punëtorëve italianë të call center, duke uruar që të ketë epërsi mbi gjithçka dinjiteti i njerëzve e jo interesat e veçanta”.








All the contents on this site are copyrighted ©.